Mediat në Çeki: Turistët çekë e duan Veriun e Shqipërisë, edhe pse i armatosur që në ’97-n

Jul 6, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

I gjithë Veriu i Shqipërisë, së bashku me malet, mund të thuhet pa ekzagjerim se është destinacioni më i dashur për çekët. Kështu shkruajnë mediat çeke, duke iu referuar rastit të vrasjes së çiftit çek ditën e premte në Prekal të Shkodrës.

Artikulli në gazetën çeke, “Cestovani”

Shqipëria ka Alpe fantastike, bujtina të pakta dhe zona e Veriut është e pa urbanizuar mirë. Çmimet janë të lira, tre euro për një birrë, ndërsa klima është fantastike.

Valbona dhe Thethi janë dy destinacionet më të dashura. Ka alpe, ka dëborë që nuk shkrin kurrë, ka ujëvara dhe burime të pastra. Madje edhe uji i lumenjve mund të pihet.

Mirëpo, në Alpet Shqiptare ka rreziqe dhe shumë herë ka patur vrasje apo të shtëna armësh. Këto përbëjnë rrezik për çekët, që ndryshe nga turistët e tjerë, zgjedhin të rrinë në natyrë të hapur apo të ngrenë çadra.

Një tjetër gjë negative është sinjali telefonik që nuk është i fortë në këto zona. Edhe vetë shqiptarët në disa prej tyre komunikojnë akoma me thirrje nga shpati në shpat.

Popullsia, e armatosur pas luftës civile

Kur shpërthyen demonstratat e vitit 1997, një pjesë e mirë e shqiptarëve iu vërshuan depove të armëve të ushtrisë dhe i rrëmbyen ato.

Më shumë se 650 mijë armë u zhdukën nga depot, dhe një pjesë e mirë e tyre ende nuk janë dorëzuar, por fshihen nga poseduesit e paligjshëm.

Ndaj, për këtë arsye mund të ndodhin grabitje dhe vrasje të shumta. Kujtojmë këtu se tre turistë çekë, në vitin 2001 janë zhdukur në Alpet Shqiptare dhe nuk ka asnjë gjurmë prej tyre tani pas 14 vjetësh.

Megjithatë rreziqet janë të izoluara dhe jo çdokush është i ekspozuar njësoj ndaj tyre, tregon një çift gjermanësh që kanë vizituar shpesh Shqipërinë.

Por që nga ngjarjet e 1997-s, Shqipëria ka bërë përparime dhe Veriu, që njihet si zona më e egër e vendit, ka hapur dyert për turizmin, përmes investimeve të shumta. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura