Mediat gjermane: Merkel synon integrimin e Shqipërisë dhe Serbisë për të zbehur influencën ruse, turke dhe arabe në Ballkan

Jul 9, 2015 | 17:40
SHPËRNDAJE

Gazeta gjermane me profil ekonomik “Deutsche Wirtschafts Nachrichten”, në një artikull të saj për vizitën e Merkelit në Shqipëri, shkruan se kancelarja gjermane kërkon që të integrojë në BE Serbinë dhe Shqipërinë, në mënyrë që të frenojë influencën ruse, turke dhe arabe në rajonin e Ballkanit.

Kështu, gazeta gjermane aludon se i gjithë aktiviteti politik i kancelares Merkel është përqendruar në këtë drejtim.

Megjithatë, gazeta gjermane shton se Merkel vuri në dukje se Serbia dhe Shqipëria kanë ende shumë kushte dhe standarde për të plotësuar përpara se të integrohen në BE.

Një çështje tjetër që mbetet pengesë është ajo e Kosovës. Gazeta gjermane shkruan se BE-ja është e angazhuar që të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe krijimi i bashkësisë së komunave serbe atje do t’i japë fund varësisë së serbëve të Veriut nga Beogradi.

Edhe vetë kryeministri i Italisë, Mateo Renzi ka kërkuar që të përshpejtohen proceset e integrimit për Serbinë dhe Shqipërinë.

Artikulli në gazetën gjermane

Mirëpo, gazeta vë në dukje se integrimi i Serbisë dhe i Shqipërisë për shkak të kërkesave gjeopolitike mund të shkaktojë çarje të reja në Eurozonë.

Gazeta kujton rastin e Greqisë, e cila u integrua në BE për shkak të influencës së SHBA-ve dhe tashmë, sipas gazetës, i ka hapur telashe të mëdha BE-së. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura