“Medea” e Luiza Xhuvanit

Mar 20, 2018 | 9:51
SHPËRNDAJE

JOSIF PAPAGJONI

E kam parë në katër versione tragjedinë rrëqethëse të Euripidit, “Medean”. Një shfaqje izraelite, në skenën antike të Butrintit, ku kishte klithma dëshpëruese të Medeas mëmëvrasëse nën një kod teatror simbolik, tejet të pastër, me prani konvencionesh të thukëta në mizanskenë, gjeste e kostume, me Korin dhe gjuhën e tij arkaike, gjegjësisht një rituali koreografik dhe zanor bukur mirë të përpunuar. Pastaj s’më ka ikur nga mendja një Medea greke, mbushur gjak, klithma, flokëshprishur, ambiguide e dyfytyrëshe, me qarje, me botë të Korit gjithë tragjizëm.

Një version i denjë ka qenë trajtimi regjisorial i Mikel Kalemit me Ema Andrean si Medea para më shumë se 10 vjetësh. Dhe ja tek e pashë së fundmi me regjisorin grek, Dimitri Mylonas, në sallën e re të teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”: një sallë e re, një shans i ri për bashkësinë e artistëve të teatrit. Luiza Xhuvani qe Medea jonë.

luiza

Çfarë fuqie që kishte fjala e begatë në gojën e kësaj aktoreje,fjala që përthith mendjen dhe hap vragë thellë në shpirt, fjala e bukur shqipe nga një përkthim i lavdërueshëm, fjala ku pushteti i pikëllimit tragjik, i zemërçjerrjes vjen e mbushur tejet me filozofi e mençuri. Fjala e Euripidit! Aq e vjetër, sa dhe e re; sa e një historie të përgjakshme nxjerrë prej kurmit të mitit, aq dhe e një historie të mundshme e të sendërgjuar, nxjerrë prej imagjinatës letrare.

Afërmendsh, se duke qenë ligjërues i teatrit në Universitetin e Arteve, kam lundruar në përsiatje idesh dhe porosish filozofike e humane, që burojnë prej kësaj kryevepre; po ashtu në veçoritë e artit dhe tragjedive të Euripidit, që me të drejtë thuhet se e zbriti mitin në rrafshe të prekshme humane, e zhveshi nga sublimiteti dhe madhështia e frikshme që ai ka, hyri në fibrën e brishtë humane të tij duke dalluar traumat që shkaktojnë lëngata të rënda, vetëshkatërruese ose të imponuara nga faktorët socialë; po aq duke kuptuar kodet e hekurta, konfliktin e tyre me zemrën njerëzore, gjer dhe anatemat si mallkime të rrënjosura në vetëdijen e një bashkësie etnike apo antropologjike.

Euripidi kishte një qëndrim shumë të butë ndaj figurës së gruas, madje mbrojtës. E dëshmoi këtë posaçërisht me “Trojanët”, kur u kritikua nga bashkëqytetarët e vetë athinjotë si përkrahës i armiqve; me “Andromakën”, që e shfajësoi dhe i dha paqen e munguar; me “Helenën” që e shndërroi në një iluzion, ku ishte ngatërruar krejt historia e saj, sikundër edhe me “Efigjeninë në Aulidë” dhe “Efigjeninë në Tauridë”; më tutje me vetëmohimin e “Alketës” për të shoqin dhe dëlirësinë e saj, me “Elektrën” e traumatizuar dhe nënën e saj, Klitenmnestrën, vrasëse të të shoqit, e cila shfajësohet nga krimi, për të mbërritur më tutje tek ashku dhe ndezja pasionale e Fedrës, e cila, seksualitetin e vet dhe erosin e ndezulluar nuk e ka si shenjë qëndrimi dhe karakteri, por si pamundësi dhe fatalitet, ardhur nga vetë Hyji.

E pra, në këtë tablo figurash femërore, gra të martuara, në prag martese, të braktisura apo në zgrip të fatit të zi, gra të mjera apo mëtonjëse pasionale burrash të fuqishëm e krenarë, tragjedia “Medea” është ajo më e egra, ajo që të shkund fort dhe ti sheh përmasën e tmerrit, sheh krimin më të pamendueshëm sa dhe të pafalshëm: nënën që vret fëmijët e vet. Paçka se ky është krimi më i rëndë në racën njerëzore, pasi nëna është bartëse e jetës jo asgjësuesja e saj, mbrojtësja e filizit jo korrësja e tij, Euripidi ka guxuar dhe jep motive e arsye justifikimi duke e futur nën sqetull heroinën e tmerrshme, sa dhe “magjistaren e ligë”.

Po pse? Arsyen ta jep në dorë ligjërimi dramatik i aktores së mrekullueshme shqiptare Luiza Xhuvani, e një formati të epërm, e denjë në nivelet më të mira të teatrit bashkëkohor ballkanik dhe europian. E them pa kurrfarë kompleksi këtë, sepse koha më ka dhënë mundësinë të shoh jo pak shfaqje edhe në vende të ndryshme të Europës. Po, është lumturi që e kemi këtë aktore. Ajo ka shumë role në teatër, por unë mjaft të kujtoj monodramën “Leksioni i zonjushës Margaritë” dhe nga antiket “Elektrën” e Sofokliut, që të biem në një mendje për fuqinë dhe energjinë e saj. Afërmendsh, se ky është një nga rolet e madhërishme të Luizës, i një përmase ku ti stepesh, ti ke hyrë në vorbullën psikike të gruas me emrin Medea, ti rrok përmasën e gruas përplot dinjitet e krenari të egër, gruas dashnore të flakët, kokëkrisur dhe sakrifikuese;ti prek gruan nënë të dhembshur e po aq të tmerrshme, gruan me fuqi ezoterike që sfidon pushtetet e mëdha;ti keqardhesh me gruan që vuan poshtërimin e të shoqit dhe gjakon hakmarrjen më të pamendueshme, plagën dhe dhimbjen më të thellë ndaj tij, vrasjen e fëmijëve, ndërprerjen e rrjedhës së trashëgimtarëve, pra, të gjakut, lumturisë dhe pushtetit.

Të gjitha këto Luiza i përcolli me një stil ligjërimi më së shumti klasik, ku has dhe një këngë- zim të lehtë të fjalës që i gjegjet këtij stili, i cili na çon diku tutje, në mugëtirën e epokës antike, atje ku miti dhe historia, njerëzorja dhe hyjnorja, sublimja dhe vogëlsia, e rëndomta dhe e jashtëzakonshmja shkrihen e ndërveprojnë në shpirtra të dimensioneve jo aq heroike, se sa tragjike. Hijeshia plastike e Luizës, qëndrimi prej zonje, i drejtë, autoritar, dinjitoz në dhimbjen më të thellë dhe poshtërimin më të madh që i ka bërë Jasoni, i shoqi i saj mosmirënjohës, i shkojnë bukur mirë pikërisht karakterit të saj prej gruaje të fortë.

Këto dy paralele janë dukshëm të qarta e të ravijëzuara në gjithë lojën e Luizës. Ajo ishte në lartësinë e tragjedisë së Medeas, në stuhinë e përjetimit të saj. Aktorja ka një shqiptim shembullor të fjalës, por çka është parësore, ajo na e dha atë ligjërim të bukur të veprës madhore greke në një shqipe plot tingëllima, ritme e poezi. Dhe këto i shndërron në përvuajtjet e një gruaje që dashuron fort, aq sa dhe urren fort; që përunjësinë e shndërron në krenari, që mosmirënjohjen e kthen në premisë për personalitet, kurse poshtërimin që i kanë bërë pa të drejtë e bjerr në hakmarrjen pa arsye, gjer në zgrip.

Por vrazhdësia, fuqia, potenca psikike, stili ndonjëherë deklamues si prej tragjedisë antike, dominimi me tërësej i personazheve të tjerë dhe i Korit, nuk e ka lënë jashtë vëmendjes fashën e ngrohtë, të butë, intime, gjer dhe përkëdhelëse të aktores në raportin e saj si nënë, me fëmijët më së pari, teksa në mendjen e shthurur e të kobshme ka projektuar sakaq krimin më të rëndë, therjen e tyre.

Ky dualitet gjendjesh shpirtërore, që krijojnë shenjën bazike të vetë rolit të Medeas nga Xhuvani, ishte ashtu i pranishëm, ashtu pikëllues, gjithmonë në përputhje me ligjërimin e lartësuar e tragjik të fjalës. Dhe kur gjëma ndodh, vjen një zgjidhje e tretë, do të thosha, e trajtimit që aktorja i ka bërë këtij kryeroli. Jasoni i përpëlitur nga dhimbja e therjes së djemve, nga zhdukja e aradhes së gjakut dhe pushtetit që buron prej saj, kërkon i ndërkryer arsyen e krimit, ndërsa ajo, Medea e Luiza Xhuvanit, atje sipër mbi kështjellë, e rrahur nga drita, duket si një Perëndi ndëshkuese, tejet e ftohtë, racionale, e pagjak, sipërane. Edhe mizanskena regjisoriale është domethënëse, çka të kujton konceptin e famshëm të “Deus ex machina” të tragjedisë greke, kur perënditë zbrisnin me vinç dhe jepnin ndëshkimet apo udhët e fatit të person azheve të therorizuar. E tillë të duket edhe Medea.

Ky profil i ftohtë, zotërues, që duket sikur i bishtnon tmerrit të pakmëparshëm, e shndërron atë në pjesë të arsyes, të vetë filozofisë së tragjedisë: Dashuria nuk mund të tradhtohet pabesisht, martesa nuk mund të shkelet e përdhoset për interesa pushteti, shpirti dhe dinjiteti nuk mund të poshtërohen e të fyhen pa kufi. Isha fare afër i ulur në teatër dhe e kundroja me vëmendje gjithë aktrimin e Luizës. Jam i vjetër tashmë dhe kuptohet se çdo grimasë e papërligjur nga aktorët nuk mund t’i shpëtojë dot syrit tim. Luiza s’kishte asnjë të tillë.

Edhe kur ajo e këngëzonte enkas fjalën, kur zgjaste tingujt diku, e diku gjetkë i jepte zërit intonacionin e gjëmës, vajtimit, klithmës, ulërimës, përherë i gjegjej modelimit të zgjedhur drejt, intonativ e zanor, i gjegjej kërkesës së regjisorit, duke ecur bri stilit, formës së ligjërimit, kodit teatror të vendosur. Dhe në të tria këto qasje respektohej kryekreje gjurma “antike” e trajtimit të tragjedisë. I ngopur me tërësej nga loja e saj, fill pas shfaqjes doja ta uroja e ta përqafoja, pasi kam dhe një miqësi të hershme me të qysh kur ajo ishte nxënëse në Sarandë, qytetin tonë të lindjes, dhe ashtu, gjithë entuziazëm, i thashë: “Ku do të ngjitesh akoma më lart, Liza?” Ajo thjesht qeshi me një modesti dhe mirësi që unë ia njoh herët.

Vërtet, është e vështirë ta shoh më lart se Medea, jo se ajo s’do të luajë role të tjera të formatit tragjik paskëtaj. Por Medea është një lartësi dhe thellësi e atillë, një humnerë njerëzore e paskajë, një thellomë psikologjike ku çdo aktore do të kishte dëshirë ta luante një herë të vetme këtë rol, që të përballej drejtpërdrejt e pa hile me pushtetin e artit të madh, i cili të shkund e të sfilit me tërësej.

Jam vërtet i lumtur që Luiza ishte aty sipër, te Medea e Kolkidës dhe Korinthit, te Medea gjëmëmadhe, e dhimbshme dhe e përgjakshme, te Medea e teatrit shqiptar, shëmbëlltyrë e nivelit të lartë të tij. Fola enkas gjatë për Luiza Xhuvanin si Medea, sepse ajo është thelbi i tragjedisë, kryepersonazhi dhe vetë tharmi i shfaqjes. Pa të dhe jashtë saj gjithçka do të qe diç pa sens, një karro pa rrota. Por shfaqja, në vetvete, bashkë me Medean, ka dhe madhështinë e saj. Është një performim i mrekullueshëm, një arritje e teatrit tonë.

Regjisori e ka zgjidhur hapësirën skenike, së toku me skenografin Beqo Nano, në një rrafsh pa reliev, ku imazhi është vetë aktori, fuqia e tij. Doemos, janë dhe portat e një kështjelle që teksa hapen dhe del Medea, vezullon aty një projektor si sy i madh, si Diell, si zjarr apo Lucifer.

Zjarri i asaj çka ajo përfaqëson. I një shpirti që digjet. Ligjërimi, sikundër thashë, është trajtuar në gjuhën e hershme poetike të tragjedisë greke, ku përveç Luizës, një shije të mirë më la po aq edhe interpretimi i të mirënjohurës Roza Anagnosti e mëpastaj i rrëfimtarit, aktorit të ri, Kristian Koroveshit. Disi më ndryshe përvijohet loja e Viktor Zhustit si mbreti Kreont dhe ajo e Alfred Trebickës si Jasoni. Të dy ndjekin modelin e një “ulje” më pranë tokës, të natyrshmes, realistes, të njëmendtës, duke e shtëmëngur aureolën e tyre prej mbretërish dhe heronjsh patetikë dhe duke i bërë, pra, më human e më të besueshëm në pretendimet e tyre.

Por në lojën e Alfredit kishte shumë vrulle pasionale dhe skena e ballafaqimit me Medean, sidomos ajo pas vrasjes së djemve, erdhi plot gjëma e rrëmbime. Ia shihja syrin, fytyrën, trupin e mbledhur, gjer dhe frymën e ngulfatur, ngërçin nga vrulli dhe energjia, dhe ndjeva, e kuptova fuqinë e rolit, atë gravitet thërrmues që ai ka, ndjeva shpinën e ak- torit që duhej ta mbartte. Trebicka e mbajti. Dytre momente qenë vërtet të një caku të skajtë, ku ulërin gjëma.

Nga arritjet e padiskutueshme të shfaqjes ishte Kori i grave. Manipulimi i tij, rituali foljor, ai i gjestit, hapja dhe mbyllja, krijimi i lëvizjeve që nënkuptonin herë ngërçin e Medeas, herë tmerrin e bëmës që ajo rrekej të kryente, herë lëvizjen e thikës në trupat e fëmijëve, herë një dallgë e herë një kurorë (kështu i kam dekoduar disa lëvizje), si dhe shumë lëvizje të tjera të koreografit Gjergj Prevazi, e begatuan mendimin e shfaqjes. Kori nuk ishte dekorativ, aspak jo!

Ishte një kor aktiv, energjik, tragjik, me vajza të gjata, të trajtuara njësoj në flokë, veshje, ligjërim, gjest, shtat etj. Domethënëse dhe me harmoni prerjesh, ngjyrash, simbolikash qenë kostumet e Sofi Kara. Vija re se si salla nuk pipëtinte, paçka se shfaqja shkoi diku te dy orë e gjysmë rresht. E rëndë dhe e lodhshme fjala, por e bukur, kishe ëndje ta dëgjoje e diçka të abstragoje rrufeshëm mbi të, para se të vinte fjalia tjetër, mendimi tjetër.

Dhe duke ditur se shpesh, siç është e qenësishme në tragjedinë greke, ligjërimi përfton karakter retorik e filozofik, duke ofruar gjykime dhe arsyetime për atë çka ka ndodhur e po ndodh, mu për këtë arsye aktorët i dhanë pushtet komunikimit, marrëdhënies, ani pse ligjërimi apo rrëfimi i historive bëhej edhe veçmas, përballë publikut e jo sy për sy me partnerin tjetër, siç ngjet në një marrëdhënie të tipit realist. Ky karakter, duke u ruajtur si i tillë, nuk qe shndërruar në një gardh izolimi e përveçimi, përkundrazi, aktorët e kishin thyer; në sy e në vesh kishin marrëdhënien me tjetrin, sikurse raportin me ngjarjen e rrëfyer.

“Medea” erdhi që nga kujtesat e turbullta të grekëve plot sqimë të 2500 vjetëve më parë, por na u duk gjithë po një grua çuditërisht e sotme, madje-madje, ndonjëherë edhe e meseve tragjike shqiptare, e madhërishme dhe e gjëmshme, një epos human e një greminë psikike, ku njeriu thyen kokën, zemra bëhet copë e çikë, thërrmohet, ku mendja tmerrohet nga bëma, por ku edhe mëson, edhe shkarkohet nga fshikujt e frikës, edhe përfton katarsisin e vet, edhe pendohet, sa edhe parandalon të keqen. Dhe kështu përhirohet, selitet, bëhet më i mirë…

Josif Papagjoni

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura