“Me Mesin rritim nivelin e kampionatit, jam shumë i lumtur”, Al Khelaifi: Mbape nuk ikën, dua Champions-in!

Aug 12, 2021 | 10:57
SHPËRNDAJE

Kilië Mbape nuk largohet nga Parisi. Reali i Madridit duhet të presë deri në verën e ardhshme, kur atij t’i mbarojë kontrata me francezët, në mënyrë që të veshë fanellën e bardhë. Diçka të tillë e ka bërë të ditur bosi i skuadrës së PSG-së, Naser Al Khelaifi, gjatë prezantimit të Lionel Mesit.

al khelafi

“Mbape është lojtar i PSG-së. Ai e ka thënë edhe publikisht që nuk dëshiron të largohet nga skuadra. Ne e dimë të ardhmen e tij dhe e ka pranuar vetë që do të qëndrojë. Ka thënë se donte një skuadër kompetitive dhe fituese, por nuk mund të ketë më kompetitive sesa PSG në këto momente. Tani nuk ka më justifikime që të bëjë gjë tjetër, përveçse të qëndrojë këtu. Parisi ka mentalitet fituesi dhe ai është lojtari ynë”, ka thënë fillimisht Al Khelaifi.

CHAMPIONS

Transferimi i Mesit në Francë sigurisht që shton shanset që këta të fundit të fitojnë Ligën e Kampioneve. Sulmi që do të krijohet është i frikshëm me NejmarMbape dhe Mesi. “Ne kemi ambicie të mëdha dhe një projekt serioz. Gjithçka po kulmon me afrimin e lojtarit më të mirë në botë.

Shpresoj që Mesi të fitojë shumë trofe me skuadrën tonë dhe me shokët e skuadrës, të cilët janë më të mirët në botë. Kemi një trajner si Poçetino, i cili gjithashtu është më i miri”, ka thënë Al Khelaifi. Bosi nga Katari gjithashtu foli edhe për “Fair Play”-n Financiar. “Ne sigurisht që i respektojmë rregullat e vendosura.

Përpara se të bëjmë lëvizje, komunikojmë me ekonomistët dhe me personat përgjegjës. Ne e kemi kapacitetin për ta transferuar Mesin dhe gjithçka ka ndodhur brenda rregullave. Këtë gjë po e bëjmë për të mirën e klubit dhe të qytetit të Parisit”, shtoi ai.

Presidenti i PSG-së foli edhe për ndryshimet që priten në kampionat pas ardhjes së Mesit. “Impakti është i madh. Mendoj se kampionati po e rrit nivelin.

Edhe të drejtat televizive do të pësojnë rritje. E gjithë bota dëshiron të shikojë PSG-në e Mesit. Kjo do të thotë se rritet edhe vlera e skuadrës. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që ndikuan në transferimin e Leos. Është një ditë historike për ne, pasi kemi marrë lojtarin më të mirë në botë”, përfundoi ai.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura