“Më detyronte të udhëtoja me të”/ Përndiqte shoqen e ngushtë të gruas, i arrestuari: Vinte me dëshirë

Aug 22, 2018 | 18:33
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Një 44-vjeçar, baba i tre fëmijëve, i arrestuar disa ditë më parë nga Policia e Tiranës për përndjekjen e shoqes së gruas së tij, është lënë në burg nga Gjykata.

Gjyqtari Artan Gjermeni ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarin Artan Dedej nga Vora. Në sallën e gjyqit, 44- vjeçari i mohoi akuzat duke deklaruar se nuk e ka kërcënuar dhe dhunuar asnjëherë gruan që e ka denoncuar.

Artan Dedej në gjyq

Ndërsa është shprehur se takohej me të me dëshirën e saj. Në dëshminë e dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore, Dedej ka pranuar se dhjetë ditët e fundit marrëdhëniet e tyre nuk kanë qenë të mira e për shkak të xhelozisë ai e ka sharë dhe ofenduar në telefon, por asnjëherë nuk e ka kërcënuar apo dhunuar.

“Kishte dy javë që nuk donte të bashkoheshim si herët e tjera. Shkova ta merrja si herët e tjera. Ajo ishte e mërzitur. Pasi ecëm 100 metra, më tha mbaje se do të shkoj në Polici. I thashë të shkonte”, është shprehur gjatë seancës i dyshuari. Të njëjtën gjë ka pretenduar edhe avokati mbrojtës, i cili ka kërkuar masë më të butë sigurie.

“Klienti im ka një marrëdhënie shoqërore me kallëzuesen dhe ditën e ngjarjes ka dashur të sqarojë këtë marrëdhënie dhe nuk ka pasur qëllim ta kërcënojë apo ta vërë në pozitë tjetër siç pretendoi akuza”, është shprehur avokati. Megjithatë, këto nuk e kanë bindur gjyqtarin, i cili ka vendosur që 44-vjeçari të qëndrojë në burg.

DOSJA E PROKURORISE

Më datë 18 gusht 2018, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Përndjekjes”, të parashikuar nga neni 121/a/1 dhe 2 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Artan Dedej, mbi bazën e materialeve hetimore të ardhura nga Komisariati i Policisë Nr.6, Tiranë.

Nga materialet e para hetimore ka rezultuar se: Shtetasja Elona L., është e martuar dhe me 3 fëmijë. Përpara dy vitesh e gjysmë është njohur me shtetasen R. Dedej, me të cilën është miqësuar. Si rezultat i kësaj miqësie kanë kryer dhe takime të shpeshta dhe vizita familjare. Në këtë mënyrë, ajo është njohur me bashkëshortin e saj, shtetasin Artan Dedej.

Gjatë periudhës 2- vjeçare ai e ka kërcënuar dhe dhunuar herë pas here shtetasen Elona L., si dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të, herë me dëshirën e saj dhe herë pa dëshirën e saj. Kallëzuesja ka sqaruar se ajo nuk ka bërë kallëzim ndaj tij, pavarësisht se ai e shqetësonte në mënyrë të vazhdueshme, për shkak të dy familjeve, por ky shtetas vazhdon ta përndjekë duke i dalë në rrugë dhe duke e detyruar të hipë në makinën e tij.

Kjo ka ndodhur dhe më datë 17 gusht 2018, ku rreth orës 16:30, shtetasja Elona L. ka lënë punën pranë një firme private në Rinas dhe ka hipur në furgonin e punës bashkë me shoqet e saj.

Pasi ka mbërritur në Domje, ajo është telefonuar nga shtetasi Artan Dedej, i cili i ka kërkuar që të zbriste nga furgoni dhe ajo duke njohur agresivitetin e Artanit, ka zbritur. Në këtë kohë aty është afruar Artani me automjetin e tij tip “Benz”, me targë TR 2956, i cili e ka kapur forcërisht Elonën dhe e ka futur në makinë. Pasi Elona ka tentuar të hapë derën dhe të dalë, ai i ka thënë që të zbriste po të donte se do ia tregonte ai dhe ka marrë rrugën në drejtim të Domjes. Elona, për shkak të frikës që ajo ka pasi e kishte përdorur disa herë duke kryer marrëdhënie seksuale, herë me dëshirë dhe herë pa dëshirën e saj, dhe për faktin se ai nuk e lejon që të jetojë normal me familjen e saj, ka bërë kallëzim në Polici.

Pas kallëzimit të marrë, Policia ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit Artan Dedej, si i dyshuar për veprën penale të “Përndjekjes”. Neni 121/a, Përndjekja (shtuar me ligjin nr.23/2012, darë 01.03.2012, neni 15). Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anë të veprimeve të përsëritura, me qëllim për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet.

DEKLARIMET E AUTORIT

I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Artan Dedej ka shpjeguar se ai ka rreth 2 vite që ka pasur shoqëri me shtetasen Elona L., por ka rreth 10 ditë që ata kanë pasur marrëdhënie jo të mira, por komunikimi ka vazhduar dhe ai i është përgjigjur dhe e ka takuar çdo ditë Elonën me dëshirën e saj.

Ai sqaron se as nuk e ka kërcënuar dhe as nuk ka ushtruar dhunë ndaj saj, por gjatë komunikimit me telefon janë sharë dhe ofenduar për shkaqe xhelozie.

Më datë 17 gusht 2018, rreth orës 16:05, ai e ka telefonuar Elonën me numrin e tij që ajo të zbriste nga mjeti i punës për ta marrë ai, pasi këtë veprim ai e kishte kryer edhe herë të tjera, duke u përkujdesur për të. Sapo janë afruar në fshatin Domje, Elona i ka kërkuar llogari se pse e kishte zbritur nga furgoni dhe ai i është përgjigjur se ka vepruar si çdo ditë me dëshirën e saj. Por atë ditë ajo ishte e mërzitur dhe pasi ka hipur në mjetin e tij, i ka kërkuar që të zbriste dhe ai e ka zbritur dhe ajo ka vazhduar rrugën në këmbë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura