Mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE s’jep asnjë rezultat, ja debatet për të mos e ndarë Shqipërinë nga Maqedonia

Jun 23, 2021 | 8:17
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian nuk arritën të ndanin në vendimmarrjen e tyre Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut për shkak të vetos së Bullgarisë.

shqip

Në axhendën e mbledhjes së djeshme ishte  caktuar shkëmbimi i mendimeve për procesin e zgjerimit dhe situatën në të cilën  ndodhen Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në këtë proces. Ata nuk pranuan që për shkak të plotësimit nga  Shqipëria të të gjitha kushteve të kërkuara nga BE-ja, t’i hapej drita jeshile për të caktuar një datë për  mbledhjen e parë ndërqeveritare, duke e shkëputur nga Maqedonia e Veriut, të cilën Bullgaria nuk dihet se kur do ta lëshojë nga vetoja e saj.

Greqia, por edhe Gjermania, Austria e Sllovakia,  janë shprehur kundër  ndarjes, pasi sipas tyre, vendimi do të jepte sinjal negativ për rajonin. Mbledhja e  radhës e Këshillit Europian është parashikuar për në 21 dhe 22 tetor. Ky qëndrim i ministrave të Jashtëm të BE- së u duk qartë dhe në  postimin e raportueses së Parlamentit Europian për Shqipërinë, Isabel Santos, e cila kërkonte vlerësimin e Shqipërisë sipas progresit të  bërë. Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin  Evropian, Isabel Santos, përmes një postimi në “Twitter”, e konsideron një moment të rëndësishëm për vendin tonë vendimin që pritet  të merret për hapjen ose jo të negociatave. “Moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Rruga e pranimit në BE duhet të pasqyrojë progresin e  bërë nga vendi. Këshilli i Përgjithshëm duhet të planifikojë Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Vullneti i mirë i popullit shqiptar ndaj  Bashkimit Europian gjithashtu e meriton këtë zhvillim”, shkruan Santos.

QËNDRIMET 

Sekretarja e Shtetit të Portugalisë, Ana Paula Zacaria, ishte optimiste për arritjen e një dakordësie mes  ministrave të jashtëm të BE- së për të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor. Zacaria shpresonte për vendosjen e një date për zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare. “Kemi një axhendë të gjatë. E filluam këtë mëngjes me diskutime për zhvillimin e mbledhjes së ardhshme të Këshillit Europian më datë 24 dhe 25 qershor. Liderët diskutuan për çështje të  ndryshme si emigrimi, bashkëpunimi mes vendeve për  situatën e COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike. Do  të adresojmë edhe disa çështje në politikën e jashtme. Do të vijojmë me debatin se ku jemi në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne shpresojmë që do të kemi dy konferencat ndërqeveritare për këto dy vende”, tha Zacarias, e cila pak orë më pas dha konkluzionet e këtij takimi. I të njëjtit  mendim ishte dhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman.

Ndër të tjera, ai tha se Kroacia mbështet dhe kërkesën e Kosovës për liberalizimin e vizave. “Fokusi është te vendet e Ballkanit  Perëndimor. Unë jam i lumtur që shoh progresin e mirë që kanë bërë disa shtete në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Do të zhvillojmë një konferencë me  Serbinë dhe Malin e Zi. Kosova kërkon liberalizimin e  vizave dhe Kroacia e mbështet atë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet,  duam që të shohim hapjen e procesit të negociatave dhe zhvillimin e Konferencës së Parë ndërqeveritare”, tha Radman.

Vendi më skeptik, Holanda u bind për Shqipërinë

Holanda, një nga vendet më skeptike në Bashkimin Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, më në fund u bind se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli Europian. Parlamenti holandez ra dakord një javë më parë që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë pas miratimit të kuadrit  negociator. Madje mediat holandeze shkruajnë se politikanët që nuk e mbështetën një vit më parë Shqipërinë, këtë  herë kanë dhënë nota pozitive. Sipas asaj që njofton Ambasada holandeze, qeveria është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Më 4 qershor, qeveria e Holandës binte dakord me analizën e Komisionit Europian se zgjedhjet në 25 prill u zhvilluan  normalisht dhe në mënyrë transparente dhe se e rëndësishme është që opozita do të kthehet në Parlament, por  përmes një letre drejtuar Parlamentit, ngre një sërë detyrash ku më të rëndësishmet janë hetimet për parregullsitë.

“Qeveria (e Holandës) e konsideron të rëndësishme që rastet e mashtrimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK”,  thuhej në letrën që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe çështjes së përdorimit të paligjshëm të të dhënave personale të zgjedhësve nga Partia Socialiste. Në këtë pikë, Holanda kërkon që çështja të zbardhet. “Ekzistenca dhe rrjedhja e bazës së të dhënave me informacione personale të ndjeshme, të cilat shkaktuan shumë bujë pak para  zgjedhjeve, do të duhet gjithashtu të hetohet. Raporti përfundimtar i ODIHR-it për këto zgjedhje nuk është publikuar ende. Qeveria e Holandës e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të zbatohet në  kohën e duhur”, citohet nga letra. Një tjetër çështje që i kërkohet Shqipërisë të adresojë është shitblerja e votës. “ODIHR ka përmendur parregullsi, përfshirë edhe blerjen  e votave që të denoncohen në Kolegjin Zgjedhor dhe autoritete të tjera që ato të merren me këto çështje në mënyrën  e duhur. 33 raste janë çuar përpara SPAK”, nënvizon dokumenti. “Politika e qeverisë holandeze në lidhje me procesin e zgjerimit është strikte, e drejtë dhe mbështetëse e  angazhuar. Vendimet për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë në lidhje me pranimin në BE janë të bazuara në meritat individuale të vendeve. Shqipëria ka bërë progres në fushat prioritare si Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër  krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjithashtu, ‘track record’-i ka shënuar progres, megjithëse një numër më i lartë  dënimesh për zyrtarët e lartë mbetet një çështje e rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje. Qeveria holandeze  mundet kësisoj të bie dakord për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, sapo kuadri negociator të jetë miratuar. Sot shumica e Parlamentit ra dakord që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë,  pas miratimit të kuadrit negociator. Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngrit- ura nga partitë apo grupet parlamentare. Qeveria holandeze është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i  qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e  të parës Konferencë Ndërqeveritare si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në  fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe fuqizimit të  mëtejshëm të institucioneve demokratike, do të mbeten prioritete kyçe”, thuhet në dokumentin e qeverisë holandeze.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura