Mbledhja e fshehtë, firmosen pallate në zona muzeale

Jul 20, 2011 | 11:15
SHPËRNDAJE
Kalaja e Elbasanit

Çdo gjë që zhvillohet fshehtas e ka me vete rrezikun për të dalë zbuluar.Duket se kështu ka ndodhur edhe me mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, i cili është zhvilluar në datën 15 korrik, pa praninë e mediave. Dje në mesditë, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore pati një komunikim me mediat, për të deklaruar paligjshmërinë e këtij takimi, të zhvilluar nën drejtimin e zv/ministres Suzana Turku dhe ku janë marrë një sërë vendimesh të rëndësishme për ndërtimin e objekteve në qendra të mbrojtura historike në disa qytete të Shqipërisë, si Korçë, Elbasan apo Berat. Përfaqësuesit e Forumit kërkuan që kjo mbledhje të quhet e “pavlefshme” nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërsa nga kjo e fundit (MTKRS) nuk ka asnjë përgjigje zyrtare në lidhje me deklaratën e Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore. “Shkelja e parë dhe në themel është vetë thirrja e Këshillit pa pasur ministër. Ligji përcakton qartë që Këshillin e thërret dhe e drejton Ministri i Kulturës. Është njësoj sikur një ministër të mbledhë Këshillin e Ministrave, kur ka rënë qeveria dhe nuk ka Kryeministër”, thuhej në deklaratën e lexuar nga Artan Lame. Që prej dorëheqjes së ish-Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, i cili kandidoi për kreun e Bashkisë së Durrësit, posti i kreut të kësaj Ministrie ka qenë vakant. Vetëm dje, në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave u emërua ministri i ri, i cili më parë do të kalojë përmes votimit në Parlament, Aldo Bumçi. Në një sërë aktivitetesh, MTKRS është përfaqësuar nga zv/ministrja e Kulturës, Suzana Turku, e cila gjatë kësaj periudhe ka qenë “ministrja në detyrë” e komanduar nga kryeministri.
Pa kuorumin e duhur
Por duket se shkelja më e madhe vijon paskëtaj, në marrjen e vendimeve pa pasur numrat e nevojshëm të pjesëmarrësve në mbledhje. “Shkelje tjetër ishte zhvillimi i mbledhjes në kushte, kur pjesëmarrja nuk plotësonte kuorumin e kërkuar prej ¾ e anëtarëve. Kjo përcaktohet në Urdhrin 456 dt 15/10/2003 të ministrit të Kulturës për “Miratimin e Rregullores së KKR””. Më pas, L citoi nenin 5 të këtij urdhri ku thuhet se “Mbledhjet e KKR zhvillohen kur janë të pranishëm ¾ e anëtarëve dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm”. Mësohet se përbërja e KKR-së caktohet gjithashtu me urdhër të ministrit dhe urdhri i fundit i tij në lidhje me këtë Këshill, mban datën: mars 2011. Në bazë të këtij urdhri, KKR ka 13 anëtarë: Ministri (kryetar); Drejtori i IMK-së (sekretar) dhe anëtarët: drejtori i Drejtorisë së TK; Drejtori i ASHA-s; Klodian Pajuni; Neritan Ceka; Luçiano Bojaxhi; Kristaq Kaskaviqi; Gjergji Bakellbashi; Enver Faja; Ervin Gjini; Belisa Muka dhe një jurist i MTKRS-së. Sipas këtij urdhri, duhej që KKR të mblidhet, kur të paktën janë 10 nga 13 anëtarët e Këshillit. Në mbledhjen e së premtes mësohet se përveç ministrit të zëvendësuar nga zv/ministrja, mungonin edhe drejtori i Agjencisë së Shpëtimit Arkeologjik, Roland Olli dhe anëtarët Kristaq Kaskaviqi, Enver Faja dhe Belisa Muka. Që do të thotë se në mbledhje merrnin pjesë 9 veta. Sipas Artan Lames, juristi i pranishëm kërkoi moszhvillimin e mbledhjes së radhës së KKR-së, pikërisht për këtë arsye, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.
Marreveshja
“Gazetarë të njoftuar nga ana jonë nuk u lejuan të merrnin pjesë në mbledhje, duke shkelur kështu edhe një nga parimet bazë të vendimmarrjes, që është ai i transparencës. Me ish-ministrin Xhaferaj kishim arritur një marrëveshje, sipas së cilës përfaqësuesit tanë do të ishin të pranishëm në mbledhjet e këtij Këshilli. Kjo marrëveshje u harrua nga zv/ministrja Turku. Ajo përpara një muaji ishte vënë në dijeni nga ana jonë për paligjshmërinë e kësaj mbledhjeje. Forumi kërkon që kjo mbledhje e paligjshme të deklarohet nul nga ana e Ministrisë së Kulturës. Shqiptarët ia kanë besuar mbrojtjen e trashëgimisë së tyre kulturore, administratës publike, e cila paguhet pikërisht për këtë gjë, por, me ç’duket, ka ardhur koha t’i drejtohemi parimit: “Ta mbrojmë trashëgiminë kulturore nga shteti”. Po në këtë linjë Lame theksoi se të gjitha institucionet qe merren me trashëgiminë kulturore janë mbushur me militantë partiakë dhe në to janë të paktë njerëzit vërtetë kompetentë.

Vendimet

“Kur përdoren metoda të tilla, është gjithmonë një hall”, thotë Artan Lame. Në mungesë të informacioneve nga KKR, është Forumi ai që të vë në dijeni se në mbledhjen më të fundit janë marrë disa vendime të rëndësishme, për ngritjen e ndërtesave në zona të mbrojtura të disa qyteteve të Shqipërisë. Në këtë mbledhje mësohet të jetë firmosur ndërtimi i vilave “me lartësi jo të madhe” në zonën historike të qytetit të Korçës. Sipas Lames ndërkaq këto vila janë në ndërtim e sipër e kjo mbledhje nuk bëri gjë tjetër, veçse i ligjëroi këto ndërtime, të cilat ende nuk e kishin marrë lejen e ndërtimit. Gjithashtu, është dhënë leje për ndërtimin e një pallati në zonën e mbrojtur të qytetit të UNESCO-s, Berat, si dhe ndërtime në zonën e kalasë në qytetin e Elbasanit.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura