Mbi disa mendime për ecurinë e vetingut

Jan 16, 2020 | 10:04
SHPËRNDAJE

AV. PROF. AS. DR. JORGO DHRAMI jorgo-dhrami

Besoj se më takon e drejta të shprehem mbi ecurinë e vetingut që nga koha e shkrimit tim, “Drejtësi dhe vetëm drejtësi”, botuar në gazetën “Panorama”, datë 14.02.2018 dhe deri më sot. Është e nevojshme të sqaroj paraprakisht se ky shkrim kurrsesi nuk mund të shërbejë si marrje në analizë e vetingut, sepse jo vetëm që nuk është në funksionin tim, por, në anën tjetër, për të mbërritur në një përfundim të drejtë dhe të saktë, duhen në mënyrë të domosdoshme të dhënat përkatëse që nevojiten në raste të tilla. Pa pasur këto të dhëna, konkluzioni do të ishte i gabuar. Mendimi im për ecurinë e vetingut do të mbështetet në njohuritë e mia direkte për disa nga gjyqtarët dhe prokurorët, nga shkrimet e herëpashershme në shtyp, si dhe nga informacionet e ndryshme që lidhen me Reformën në Drejtësi.

Së pari duhet thënë se organizmi ndërkombëtar që merret me trajtimin e vetingut ka bërë një punë serioze dhe të admirueshme. Prezenca e saj ka qenë dhe është admiruese, vendimtare si dhe një garanci për zbatimin e drejtë dhe të bazuar të kërkesave të ligjit. Kjo dukuri reale, midis të tjerave, konstatohet edhe nga qëndrimi që është mbajtur në rastet kur organizmi shqiptar nuk është treguar në lartësinë dhe shkallën e duhur për trajtimin e jo pak rasteve të ndryshimit të vendimeve të vetingut. Pa dyshim, kjo është meritë e organizmit ndërkombëtar, veçanërisht atij amerikan dhe Bashkësisë Europiane.

Natyrisht, edhe organizmi përkatës shqiptar në përgjithësi ka punuar me vullnet të mirë, duke i qëndruar me korrektësi aksit të detyrës së ngarkuar me ligj. Ndonëse “ekipi” i tyre punon në një situatë jo pak të vështirë, mbasi Shqipëria dhe popullata e saj është relativisht e vogël, e cila sjell mundësinë e të njohurit midis tyre, pa përmendur këtu që personat e gjykuar, në jo pak raste, më parë kanë qenë kolegë midis tyre, kjo vështirësi në përgjithësi është mënjanuar, duke iu përmbajtur në këtë mënyrë respektimit të drejtë dhe të saktë të kërkesave të ligjit.

Por, nga sa shohim, si për ecurinë e vetingut, ashtu edhe të disa vendimeve që lidhen me “kalimin” e këtij filtri të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke menduar që këta persona nuk e meritojnë këtë kalim, shprehemi se jo në pak raste është gabuar. Persona të tillë kurrsesi nuk mund të kryejnë funksionin e tyre të mëparshëm. Një mendim i tillë nga ana ime nuk është vetëm teorikisht, mbasi unë, duke qenë më parë në funksione kontrolluese, si për gjyqësorin, ashtu dhe për atë të ndjekjes penale, Prokurorisë, kuptohet që kam mendimet e mia për këta persona. Mendoj se nuk është normale të bëj ekspozimin e tyre, pasi nuk është etike. Veçse qëndrimi i tyre korruptues në realizimin e detyrës së ngarkuar me ligj, i ka turpëruar dhe diskredituar ata, pasi funksioni i tyre ka qenë dhe është i shenjtë. Ata, realisht, kanë konsumuar ekzistencën e një vepre penale që lidhet me detyrën. Kanë dëmtuar rëndë imazhin e autoritetit të institucionit që përfaqësojnë, si dhe të qenit gjyqtar apo prokuror. Vendimi i tyre në çështjet që kanë gjykuar apo hetuar ka pasur pasoja dramatike për palën apo të pandehurin që kanë trajtuar. Dhe kjo nuk mund të shlyhet me një “Më falni”. Qenia e tyre në këto funksione jo vetëm ka dëmtuar rëndë drejtësinë, por ajo ka treguar dhe tregon se në personin e tyre, primare nuk është drejtësia, por biznesi. Në këtë mënyrë, në trurin dhe zemrën e tyre, drejtësia ka vdekur. Largimi i tyre nga funksioni i prokurorit si dhe i gjyqtarit nuk është nevojë, por detyrim, pasi është imperativi i kohës. Ndryshe, gjendja jo vetëm do të rëndohet, por ajo do të çimentohet më tepër në fitim të tyre. Për rrjedhojë, shteti jo vetëm nuk do të ekzistojë, por ai do të kthehet në të kundërtin e vet. Vetëkuptohen pasojat katastrofale që do të pllakosin mbi Shqipërinë.

Në këtë vështrim, jam i mendimit se duke u nisur nga rastet e veçanta apo numri jo i vogël i vendimeve të prishura nga instanca më e lartë e vetingut mbi kërkesën e organizmit ndërkombëtar, cilido qoftë shkaku i tyre, ka vend për rishikimin dhe freskimin e përbërjes së disa personave të vetingut. Kjo bëhet duke u bazuar edhe në faktin që apeli i vetingut ka prishur jo pak vendime të shkallës së parë të tij, vendime këto të papëlqyeshme nga opinioni publik, si dhe të personave që kanë dhënë këto vendime. E thënë më shqip kjo, bëhet fjalë për rastet kur ekspozimi i korrupsionit ka qenë i dukshëm dhe i “prekur” me dorë. Barazia e luftës efektive dhe pa asnjë lëshim nuk duhet të qëndrojë vetëm për gjyqtarët e prokurorët e korruptuar që kanë dhënë vendime për shkak të korrupsionit, por edhe për gjyqtarët e vetingut që janë munduar nëpërmjet dhënies së vendimeve të tyre, në mënyrë indirekte të mbulojnë korrupsionin e gjyqtarëve apo prokurorëve. Zaten, do të thosha që veprimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të vetingut për raste të tilla, në raport me rastet korruptive të vendimeve të Gjykatës, duke u nisur nga klima e marrjes së vendimeve, duhet të jetë më i ndëshkueshëm. Sipas meje, duam apo nuk duam ta pranojmë këtë, kjo është alternativa.

Diçka tjetër që doja të prekja është një fakt i çuditshëm që lidhet me qëndrimin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë seancave gjyqësore apo hetimore, duke mos pyetur nëse ekziston apo jo një organizëm që quhet VETING. Sqarojmë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për gjyqtarë apo prokurorë korrektë, por për ata persona që në mëngjesin e çdo dite, më parë mendojnë se sa lekë do të përfitojnë këtë ditë nga veprimi i tyre korruptiv dhe jo se funksioni i tyre është vetëm të japin drejtësi. E llahtarshme, por është e vërtetë. Një të vërtetë të tillë e hasim në jo pak raste në gjyqësor dhe në prokurori, të cilat pa ngurrim ia kemi bërë të ditur vetingut. Për disa raste ka folur edhe shtypi. Organizmi përkatës i drejtësisë dhe i prokurorisë le ta monitorojë këtë të vërtetë të pathënë. Mirëpo, një konceptim i tillë në këta persona nuk është vetëm i rrezikshëm, sepse:

Së pari, duhet thënë se ky fenomen tregon një moskokëçarje. Ndërkohë, tregon mungesën e frikës për mosrespektimin e ligjit e të vetingut së bashku. Dhe, kur nga ana e tyre, manifestohet një qëndrim mospërfillës të ligjit në mënyrë të hapur dhe të demonstruar, ligji dhe vetingu, fatkeqësisht, kanë rënë në tokë, kanë kapitulluar. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se kjo. Vetingut i thuhet me ironi “Hasta la vista”.

Së dyti, mungesa e frikës ndaj ligjit dhe vetingut nxjerr në pah dobësinë e këtyre dy faktorëve, duke i lënë shkas “lulëzimit” të kësaj situate me një rrezikshmëri katastrofale për drejtësinë. Veçanërisht ndërkombëtarët, si garantues realë të zbatimit në mënyrë absolute të ligjit dhe të vetingut, duhet ta njohin këtë situatë tmerronjëse për drejtësinë, me qëllim të marrjes së masave efektive pa u vonuar, për shëndoshjen e situatës së drejtësisë, në mënyrë që ligji të gjejë vendin dhe autoritetin e vet mbi sundimin e tij. Kjo, sipas mendimit tonë, është imperative.

Në anën tjetër, mendoj se vetingu, në disa raste, ndonëse me “pikatore”, ka vepruar në mënyrë të nxituar, duke nxjerrë jashtë funksionit gjyqtarë dhe prokurorë që e meritonin të ishin në ato funksione. Shembujt ekzistojnë, janë të evidentuar, si në Prokurori ashtu dhe në Gjykatë. Pavarësisht se rastet mund të jenë të pakta, organizmi i vetingut duhet të tregojë dhe të bëjë rritjen e kujdesit në marrjen e vendimeve. Nuk do të ngurroja të nënvizoja faktin se si në gjyqësor, ashtu dhe në prokurori, ka persona të veçantë me dinjitet dhe të aftë profesionalisht.

Në përfundim, një vështrim në drejtim të disa kritikave që bëhen ndaj Reformës në Drejtësi, duke e konsideruar atë si pengesë të realizimit të zhvillimit të proceseve gjyqësore, të cilat, sipas mendimit tim, janë të nxituara. Situata, në të cilën ndodhet dhënia e drejtësisë në Shqipëri, është e kondicionuar me personalitetin e gjyqtarit dhe të prokurorit, pasi këta janë aktorët e dhënies së saj. Kur gjyqtari dhe prokurori janë të aftë profesionalisht, të ndershëm dhe korrektë në zbatimin e kërkesave të ligjit, mundësia për dhënien e drejtë dhe të saktë të vendimit gjyqësor është e një shkalle më të lartë e më të sigurt. Kjo është normale.

Por, kur këta aktorë nuk i kanë këto cilësi, ata gjykimin nuk e bëjnë mbi bazën e normave ligjore të drejtësisë, por të përfitimit nga korrupsioni. Në raste të tilla, bërja e procesit gjyqësor dëmton rëndë si imazhin e drejtësisë, ashtu dhe interesin e ankuesit. Dhe, të vepruarit nga ana e Gjykatës dhe e Prokurorisë, në këtë mënyrë, nuk është rastësi, por një aktivitet zinxhir i korrupsionit galopant. Në rrethana të tilla, kur drejtësia për shkak të korrupsionit, është e pamundur të realizohet me gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, a është e pranueshme t’u besohet këtyre personave dhënia e drejtësisë. Do të ishte e papranueshme të besohet se nga ana e tyre do të jepej drejtësi. Mirëpo, si realiteti, ashtu dhe vetingu, treguan se gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar nuk janë një numër i vogël, por shumica e tyre. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, janë “tharë”, kanë mbetur vetëm nga një apo dy gjyqtarë, sepse të tjerët i mori me vete lumi i korrupsionit. Pastrimi radikal i këtyre dy institucioneve më të larta të drejtësisë, duke i flakur tej të korruptuarit, nuk duhet kuptuar dhe pranuar si mosekzistencë e këtyre dy institucioneve, por pastrim radikal i gjyqtarëve që e përbënin atë. Ka një shprehje të urtë të popullit për raste të tilla: Më mirë djepi thatë sesa shejtani brenda. Prandaj, mosfunksionimi i këtyre dy institucioneve për këtë shkak, jo vetëm që është i përkohshëm, por ai, objektivisht, është dhe i arsyetuar. Mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese nuk është shkak subjektiv, por imperativ i kohës. Është një spastrim radikal i gjyqësorit dhe atij të ndjekjes penale, Prokurorisë, në mënyrë që të sundojë ligji dhe drejtësia e mohuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura