“Masat lehtësuese të qeverisë”- Denaj: Zbutën ndikimin negativ të Covid-19 në ekonomi

Oct 29, 2020 | 13:42
SHPËRNDAJE

Denaj-Anila Denaj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë mori pjesë në Konferencën  vjetore të Bankës së Shqipërisë, “Covid 19-Impakti  në Ekonomi  dhe Politikat  e Bankës Qëndrore”, në bashkëpunim me LSE ( London School of Economy).

Ministrja Denaj vlerësoi bashkëpunimin dhe angazhimin e BSH-së gjatë pandemisë dhe theksoi  se Covid-19 ka sfiduar qeverisjen dhe teoritë ekonomike brenda një kohe shumë të shkurtër.

Ministrja në fjalën e saj u shpreh,  se  për sa i përket rritjes ekonomike, ky vit është më i vështiri për rritjen ekonomike për shkak të këtyre ndikimeve jo pozitive në buxhet. Gjithësisë, qëndrueshmëria e bazave kryesore ekonomike, përfshirë stabilitetin e financave publike, duket se të paktën deri më tani, nuk ka shenja mangësie të madhe, ndryshe nga ccfarw ishte parashikuar të ndodhte fillimisht.

“PBB-ja u tkurr me 10.2% në tremujorin e dytë dhe -6.6% në gjysmën e parë të vitit 2020, krahasuar me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Ne parashikojmë një tkurrje të ekonomisë me 6.1% në fund të vitit. Në rast se situata me pandeminë nuk do të përkeqësohet në vijim, projeksionet e vitit të ardhshëm do të jetë 5.5% në rritje”, tha Ministrja.

Ministrja informoi pjesëmarrësit në këtë konferencë mbi masat e marra për të mbështetur likuditetin e bizneseve, veçanërisht nëpërmjet skemave të reja të garancisë së shtetit në shumën gjithsej prej 250 milion dollarë. Zbatimi i këtyre garancive ishte diçka e re, ashtu sikundër vlerësimi mbi ndikimin e gjerë që kanë në momente krize si këto.

Viti i ardhshëm është sfida e vërtetë për ne, tha Ministrja Denaj, pasi  askush nuk mund të parashikojë efektet përfundimtare të pandemisë.  Sidoqoftë ne kemi shtuar përpjekjet për të mbështetur rritjen e ekonomisë.

Fjala e plotë e Ministres Denaj

Të nderuar Guvernatorë të Bankave Qendroe,

Të nderuar të ftuar,

Është kënaqësi për mua të jem pjesë e kësaj konference vjetorë të organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me London School of Economy.

Jam e lumtur që shoh këtë traditë të kapërcejë sfidat e sotme dhe ka arritur të mbajë në një nivel të lartë komunikimin, konsultimet për të identifikuar dhe për të gjetur zgjidhjen e këtyre krizave të paparashikuara.

Covid-19 ka sfiduar qeverisjen dhe teoritë ekonomike brenda një kohe shumë të shkurtër.

Fakti është se politikbërja ka ndryshuar dhe disa aspekte të aktivitetit ekonomik do të ndryshojnë, ose kanë ndryshuar tashmë.

Objektivi madhor për të mbështetur qytetarët dhe hapja ndaj qasjeve të reja, na kanë ndihmuar në përballimin e kësaj situate të vështirë.

Niveli i lartë i bashkëpunimit mes Qeverisë dhe Bankës Qendrore ka qenë kycce për të adresuar nevojat në këtë situatë emergjente.

Duke u ndalur këtu, do të doja të shprehja vlerësimin tim për punën dhe angazhimin e Bankës së Shqipërisë gjatë pandemisë, duke ruajtur rolin e saj kryesor për ekonominë shqiptare.

Pa diskutim, në lidhje me rritjen ekonomike, ky vit është më i vështiri në dekada

Gjithësisë, në kuadër të qëndrueshmërisë së shtyllave kryesore ekonomike, nuk ka shenja mangësive të mëdha, ndryshe nga sa ishte parashikuar relativisht të ndodhte fillimisht.

-PBB-ja u tkurr me 10.2% në tremujorin e dytë dhe -6.6% në gjysmën e parë të vitit 2020 krahasuar me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Ne parashikojmë një tkurrje të ekonomisë me 6.1% në fund të vitit. Në rast se situata me pandeminë nuk do të përkeqësohet në vijim, projeksionet e vitit të ardhshëm do të jetë 5.5% në rritje.

– Shkalla e papunësisë arriti në 12.5%  në tremujorin e dytë, krahas 11.6% në fund të vitit 2019, ndërsa vetë punësimi u tkurr me rreth 4% krahasuar me fundin e vitit 2019. Parashikojmë një rritje të papunësisë në 13.9% në fund të këtij viti, duke zbritur në 12.2% në fund të vitit tjetër.

Pozicioni ynë mbetet ende relativisht i mirë.

Ekziston padyshim një zgjerim i deficitit të llogarisë korrente, për shkak të tkurrjes së fortë të flukseve hyrëse që vinin nga turizmi apo eksportet e mallrave dhe kemi gjithashtu një rënie të remitancave.

Megjithatë, ky zgjerim  i deficitit të llogarisë korrente ka qenë i përmbajtur.

Në të njëjtën kohë qëndrueshmëria e pozicionit të jashtëm të ekonomisë, ka pasur disa zhvillime pozitive në llogaritë financiare.

Përgjatë këtij viti, rënia e pritshme e hyrjeve të investimeve të huaja direkte ka qenë e kompensuar nga rritja e flukseve hyrëse financiare, kryesisht në formën e huamarrjes nga qeveritë e huaja.

Falë partnerëve tanë si FMN-ja, BE-ja dhe BB-ja, të cilët na kanë ndihmuar menjëherë përmes instrumenteve të buta të kredimarrjes, ne kemi arritur të injektojmë ose do të injektojmë përgjatë pjesës tjetër të vitit hyrjet e valutave të forta.

Pra, nuk ka pasur një rënie të theksuar siç pritej në fillim. Përkundrazi, ne kemi pasur një rritje të rezervave valutore, kjo reflektohet qartë edhe në tregun valutor.

Një tjetër element i rëndësishëm i cili ka mbetur përgjithësisht mjaft i qëndrueshëm përgjatë kësaj kohe është edhe sistemi financiar dhe aktiviteti i ndërmjetësimit. Duke marrë në konsideratë likuiditetin e disponueshëm deri më tani në sistem ( edhe për shkak të politikës monetare akomoduese)  këta tregues janë disa nga më inkurajuesit, në krahasim me pritshmëritë.

Gjatë këtij viti kemi ndërmarrë hapa të caktuara për të mbështetur likuditetin e biznesve, veçanërisht nëpërmjet skemave të reja të garancisë së shtetit në shumën gjithsej prej 250 milion dollarë. Zbatimi i këtyre garancive ishte diçka e re ,ashtu sikundër vlerësimi mbi ndikimin e gjerë që kanë në momente krize si këto.

Viti i ardhshëm është sfida e vërtetë për ne, pasi  askush nuk mund të parashikojë efektet përfundimtare të pandemisë.  Sidoqoftë ne kemi shtuar përpjekjet për të mbështetur rritjen e ekonomisë.

Si qeveri, ne mbetemi të përkushtuar për t’u rikthyer në konsolidimin e qartë fiskal në planin afatmesëm sapo efektet e kësaj goditjeje të rëndë të zhduken. Ne parashikojmë që të kthehemi në një balancë primare pozitive, që nga viti 2022, por me siguri që në 2023 e në vazhdim dhe në një borxh publik të ulur gradualisht, duke arritur në 68.5% deri në 2025.

Pa rrezikuar ndonjë nga parametrat kryesorë të qëndrueshmërisë së financave publike dhe plotësisht në përputhshmëri me rregullat tonë fiskale në buxhetin e vitit të ardhshëm ne jemi duke planifikuar që të mbështesim shpenzimet e nevojshme në dy sektorë kryesor:

Në dy sektorë të lidhura me kapitalin njerëzor: shëndetësi dhe arsimi

Mbështetje për sektorin e infrastrukturës përfshirë përpjekjet për rindërtimin, duke mos lënë askënd vetëm.

Investimet në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturë janë thelbi i planit tonë për rimëkëmbjen. Sipas një raporti të fundit të publikuar nga FMN-ja, për çdo investim prej 1% në infrastrukturë, ne do të marrim 2% rritje në periudhën afatmesme.

Jemi të gatshëm të investojmë, në mënyrë që dhe biznesi të përfitojë dhe të zhvillohen tregjet financiare.

Shqipëria po punon mbi strategjinë e saj të re 7-vjecare mbi “Strategjinë e Zhvillimit të Bizneseve dhe Investimeve” dhe ne jemi duke u përpjekur në rrugëtimin tonë duke shkuar drejt një tregu financiar funksional.

Kuadri ligjor për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut shqiptar të kapitalit dhe fondeve të investimeve është përmirësuar .

Tre ligjeve të rëndësishme mbi tregun e kapitalit, mbi sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe tregjeve financiare janë miratuar këtë vit .

Një hap i rëndësishëm drejt një tregu të zhvilluar të kapitalit është gjithashtu përfshirja e “Fintech” në kornizën e re ligjore.

Do të doja shumë, që këto ndryshime ligjore dhe këto hapa drejt një ekonomie më të fortë të ishin zhvillimet kryesore në ekonominë e vendit tonë, të cilat do të vinin në përdorim potencialin e saj të plotë. Sidoqoftë, 2020 do të jetë viti që ndan 2 epoka: para dhe pas Covid-19.

Ne nuk do të ndalim përpjekjet tona për reforma dhe për një të ardhme që mundëson ndryshime sa më pozitive.

Faleminderit përsëri,

Mirëpres diskutimet dhe sugjerimet tuaja për adresimin e qëllimit tonë të përbashkët për një ekonomi lokale dhe globale të begatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura