MASAKRA TE SHKENCAT/ Italiani jep dëshmi kontradiktore në polici, pastaj e pranon: Isha paguar për atentatin me armë

May 29, 2015 | 10:36
SHPËRNDAJE

Për disa orë rresht, që nga arrestimi në hotelin pranë Rrugës së Barrikadave, shtetasi italian Salvatore Letizia nuk ka pranuar të ketë qenë i përfshirë në krimin e trefishtë që ndodhi në bulevardin “Zogu i Parë”.

Foto nga vendi i ngjarjes

Megjithëse Policia kishte arritur të gjente disa prova që e lidhnin atë me ngjarjen, 33- vjeçari vazhdonte ta mohonte, madje duke sajuar edhe alibi, që në fakt rrëzoheshin lehtësisht. Ndonëse nuk e ka shpjeguar në asnjë moment faktin se përse mbante në portofol një fotografi të Mentor Lufit, ai është munduar të shpjegojë pse kishte plagë dhe ishte i gjakosur në fytyrë.

“Jam gjendur rastësisht në një vend ku pati shkëmbim zjarri. Isha kalimtar i rastit dhe u përplasa nga një makinë e bardhë”, ka deklaruar fillimisht shtetasi italian.

Me gjithë tentativën për t’i ndryshuar ngjyrën “Touareg”-ut të zi, me të cilin e përplasi nipi i Mentor Lufit, fotografia në portofol e nxirrte vazhdimisht zbuluar.

Edhe pasi i janë gjetur faktorë plotësues në duar, ai sërish mohonte autorësinë, derisa u gjet pistoleta që ai kishte fshehur pas një kazani plehrash te Rruga e Barrikadave. Por ato që e kryqëzuan dhe e bindën të flasë, ishin kamerat e sigurisë së një kazinoje pranë vendngjarjes, që kishin filmuar gjithçka.

Burime nga grupi hetimor thanë se për momentin nuk mund të bëhet publike se çfarë duket nga ato kamera, por siguruan se shtetasi italian është i përfshirë plotësisht në vrasje.

Madje ai, bashkë me mikun e tij, Besnik Sulku, kanë qëlluar disa herë me pistoleta në drejtim të makinës tip “BMW”, duke vrarë Mentor Lufin dhe Gerti Goxhajn. ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura