Masakra në Lushnjë/ Pse akuzohet policia? ‘Ata i njohin mirë, vetë i lënë të…’

Oct 16, 2017 | 12:16
SHPËRNDAJE

Pas ngjarjes së rëndë javën e kaluar, qyteti i Lushnjës vazhdon të mbetet nën makthin e krimit. Qytetarët, edhe pse prisnin që të arrestoheshin autorët e masakrës me dy të vdekur dhe dy të plagosur, shumë prej tyre shprehen se asgjë nuk do ta qetësonte qytetin dhe shohin si rrugëzgjidhje largimin.

viktimat ne lushnje

“Ta dëgjosh nga jashtë është vetëm një llaf goje, por të jetosh përditë këtu e kupton se në çfarë situate pa zgjidhje jemi. Kemi fëmijë, nipër e mbesa dhe nuk dimë ku po i rrisim. Ne presim të arrestohen autorët që një Zot e di nëse janë vërtet ata që thotë policia, por edhe po u arrestuan, ne nuk e dimë fare që do të ketë qetësi apo jo. Këtu është bërë për të ikur natën. Dhe kështu do mbetet Lushnja. Do ikin të gjithë e le të hanë kokat ata që e kanë qejf hakmarrjen e pazaret”, tregon i moshuari M.XH., i cili banon vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes ku mbetën të vrarë dy të rinjtë.

Qytetarët tregojnë se të gjithë emrat që janë përfshirë në këtë “mesele”, siç e quajnë ata, janë emra të cilët policia i njeh mirë.

“Po akoma vazhdoni ju të kërkoni drejtësi? Po kjo s’do mend që s’do dalë asnjë fajtor. As kanë për të gjetur asnjërin. Policia i njeh me dhëmbë e me dhëmballë ata e familjet e tyre. I dinë çfarë hanë për darkë, dinë ku shkojnë e si flenë. Ja shikoni, Lushnja tre rrugë ka. Qysh nuk i gjejnë dot këta?! Po jo vetëm këtë rast, por në shumë raste vetë policia i lë të ecin si të duan nëpër qytet. Kur do shteti i bën zap të gjithë. Lëreni këtë muhabet se kështu do vejë kjo punë e kjo rrugë që ka nisur ky grup të rinjsh do sjellë shumë lot. Po mjerë kush e ka për derë”, shprehet D.M., një grua që qan kur kujton të rinjtë e vrarë, duke thënë se “ata e mbyllën derën, por tani mjerë kush ka radhën”.

Afër urës, vendi ku ndodhi ngjarja, ka mbetur i shkretë. Nuk ka lëvizje. Lokali ku ndodhi masakra vijon të qëndrojë i mbyllur. Qytetarët kalojën aty dhe kanë frikë të kthejnë kokën në vendin e mbushur me lule. Ata heshtin dhe psherëtijnë thellë. Por siç akuzojnë qytetarët lushnjarë, krimi i Lushnjës duket se vërtet po tremb policinë.

Ngjarja e rëndë edhe pas 5 ditësh vijon të mbetet pa të arrestuar, edhe pse si autorët e dyshuar, ashtu edhe viktimat e të mbijetuarit jetonin në të njëjtin qytet dhe pranë komisariatit të Lushnjës.

Të mbyllur në godinën e komisariatit, drejtuesit më të lartë të Policisë së Lushnjës duket se nuk kanë kurajën të përballen me krimin edhe pas “shtrëngimit të dhëmbëve” të ministrit Fatmir Xhafaj. Ngjarja e 11 tetorit shënoi një tjetër krim të rëndë në Lushnjë, pas ngjarjeve të hidhura të viteve ’97-’98.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura