Masakra në Elbasan/ Bie pista e hakmarrjes, ja për çfarë po hetohet

Feb 6, 2016 | 9:31
SHPËRNDAJE

Hetimet kanë përjashtuar pistën e hakmarrjes me Memat si shkak i masakrës së Elbasanit me 3 të vdekur e 8 të plagosur. Kjo është konfirmuar dje nga burimet e gazetës “Panorama”.

Lokali ku ndodhi masakra
Lokali ku ndodhi masakra

Sipas të dhënave, nga hetimet e kryera, kontrollet dhe verifikimet në lidhje me pistën e parë, atë të hakmarrjes së vjetër, është përjashtuar që pista e krimit të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës të jetë hasmëria me familjen e Fadil Memës.

Për hetuesit, pista kryesore është larja e hesapeve, ku në mes është çështja e trafiqeve. Të dhënat flasin për një implikim të personave të familjes Çapja në trafiqe, por që ka sjellë reagimin ekstrem të personave me të cilët ishin konfliktuar së fundmi.

Nuk jepen emrat e personave që janë të përfshirë, edhe pse zyrtarisht asnjë prej tyre nuk ka pasur procedim nga Policia e Elbasanit.

I vetmi person me dosje për trafik droge ishte Eno Bedalli, një prej viktimave të masakrës. Edhe ai i arrestuar në vitin 2013 nga policia italiane. Vetë Bedalli, ashtu si dhe viktimat e të plagosurit e tjerë në lokal, nuk ishin ndaluar ndonjëherë në Elbasan apo në qytete të tjera të vendit.

Hetuesve u është dashur të punojnë në rrugë operative për të zbuluar konfliktet e fundit të Çapjave me persona të tjerë me të kaluar kriminale në qytetin e Elbasanit.

Nisur nga këto veprime, ata shpresojnë se shumë shpejt do të ketë një zbardhje të krimit që tronditi jo vetëm Elbasanin, por dhe mbarë vendin. Bashkë me Eno Bedallin mbeti i vrarë Agron Çapja, pronari i lokalit ku ndodhi masakra, si dhe nipi i tij, Ardit Sinakoli.

ELIDA DOMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura