Masakra e Mamurrasit/ Dosja shkon në gjykatë, akuzat për 4 autorët

May 30, 2016 | 13:17
SHPËRNDAJE

Pas hetimeve të asaj që u cilësua Masakra e Mamurrasit, kur një përleshje me armë në stacionin e trenit la një viktimë dhe plagosi 2 kalimtarë, prokuroria ka mbyllur dosjen dhe e ka dërguar në Gjykatë.

Masakra e Mamurrasit

Masakra e Mamurrasit

Prokuroria e Kurbinit ka cuar për gjykim 4 persona, të akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, në përfundim të hetimeve, nga ku rezultoi se të pandehurit kanë zhvilluar një konflikt të ashpër të armatosur me njëri-tjetrin, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit, ku mbeti i vdekur një person i përfshirë në përleshje dhe u plagosën dy kalimtarë të rastit.

Ngjarja 

Ngjarja ka ndodhur në datën 23.09.2015, ku kushërinjtë Gazmir, Taulant dhe Naim Tafa janë përplasur me armë me vëllezërit Elton dhe Tom Mamli.

Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, ndërkohë që kanë mbetur të plagosur rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin bashkë me shumë persona të tjerë në zonën e stacionit të trenit.

Detejet e hetimit 

Konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri. Rreth një muaj para ngjarjes, i dëmtuari në Suedi, Edmond Tafa dhe i pandehuri Gazmir Tafa kanë rrahur në Mamurras Elton Mamlin.

Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”.

Por, pavarësisht presionit, Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë marrëdhëniet me Tafat dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 Shtator 2015, vëllezërit Elton dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin.

Pas këtij episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tyre Range Rover. Ndërsa Dorjan Mamli është takuar me kushërinjtë Tafa, të cilëve u ka treguar për ngjarjen. Këta të fundit (Tafat) kanë dalë me mjetin e tyre, tip “Benz”, në kërkim të vëllezërve Mamli.

Të dy palët janë përballur me njëri-tjetrin pranë stacionit të Trenit dhe fillimisht kanë përplasur mjetet e tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Pas përplasjes, të dy palët, të armatosur, kanë dalë nga mjetet dhe kanë qëlluar kundër njëri-tjetrit. Konflikti i armatosur ka ndodhur në një moment, kur ambjenti përreth ka qenë i populluar me shumë njerëz.

Nga goditjet me armë, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Naim Tafa, i cili gjendej nën shoqërinë e kushërinjve Tafa. Nga ekspertiza, rezulton se ai është vrarë nga arma e përdorur nga Tom Mamli. Po ashtu, nga goditjet me armë, kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.

Akuzat per autoret 

– Të pandehurit Gazmir dhe Taulant Tafa (kushërinj me njëri-tjetrin) akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake

– Të pandehurit Elton dhe Tom Mamli (vëllezër me njëri-tjetrin) akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese”, dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake

– I pandehuri Dorjan Mamli akuzohet për “Moskallëzim krimi”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura