Marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë do ta prishin serbët

Sep 8, 2020 | 9:40
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR BIBERAJ Aleksander-Biberaj

Të bën shumë përshtypje që, pasi Edi Rama heshti për një kohë të gjatë lidhur me tezën e Hashim Thaçit “për shkëmbim territoresh” apo “ndryshim kufijsh”, ndonëse e vërteta është se Edi punoi nën rrogoz prej 2 vitesh dhe në hije si hienat, së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin për ndarjen e Kosovës, tani, pas marrëveshjes së Uashingtonit, është bërë shumë aktiv me “kauzën” e tij, duke thirrur se nuk isha unë tradhtari. As vetë Presidenti Hashim Thaçi, i cili ishte ideatori i “ndarjes së Kosovës”, dhe në mënyrë jotransparente udhëhoqi në emër të Kosovës bisedime të fshehta me harta e kufij të rinj së bashku me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për më shumë se 2 vite, nuk u hodh përpjetë si Rama nga marrëveshja e Uashingtonit. Por, çfarë i djeg kaq shumë Edit dhe pse në mënyrë djallëzore përzien marrëveshjen e firmosur në Shtëpinë e Bardhë, me planin tjetër të ndarjes territoriale të Kosovës, plan i djegur e i flakur tej përfundimisht, fillimisht nga Berlini dhe Parisi, më vonë nga vendet kryesore të BE-së edhe së fundmi edhe nga administrata Trump?!

Me sa duket, pas damkosjes si sponsorizuesi, mbështetësi dhe përkrahësi i flaktë i ndarjes së Kosovës, tani meraku i tij është që të “heqë qafe” petkun e atij që punon kundër interesit tonë kombëtar dhe po përpiqet që në çdolloj mënyre, me këtë marrëveshje, të “lajë” veten. Por, nuk ka shans që ta besojë kush këtë klithmë të tij, pasi të gjithë shqiptarët, kudo që janë, e dinë se ai ka qenë aty bashkë me Thaçin dhe Vuçiçin që nga fillimi i kësaj historie antikombëtare dhe kur të hapen letrat, se historia do të shkruhet, ai do të damkoset si bashkëpunëtor me Vuçiçin dhe Thaçin për ndarjen dhe copëtimin e mëtejshëm të territoreve shqiptare, në vazhdimësi të Kongresit të Berlinit (1878) dhe konferencës së Londrës (1912-1913) dhe doktrinave antishqiptare të shekullit të kaluar te Cubrillovicëve dhe Qosicëve për ndarjen dhe shpopullimin ose kolonizimin e Kosovës me kolonë serbë. Ironia e fatit është se pa u hequr “njolla” e Kosovës, Edi i “dha të drejtë” kryeministrit grek, Karamanlisit, për pretendimin e tij për 12 Km lidhur me ndarjen e detit, gjë që do ta fuste Kalin Grek të Trojës deri në shtëpinë e Edit ne Vuno apo deri në zyrën e tij elektorale në Sarandë, Vlorë apo Durrës.

Gjërat janë më se të qarta, sado që të ulërakë Edi Rama se “nuk jam unë tradhtari”, nuk ka ujë që lan mëkatet antikombëtare të tij dhe as propagande që të mbulojë veprimtarinë antikombetare të tij dhe rilindjes së tij të diktuar po prej tij. Po t’i rikthehemi marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, apo Serbisë dhe SHBA-së, siç i quajti Vuçiç (marrëveshje bilaterale), duke mohuar se ka firmosur marrëveshje me shtetin e pavarur të Kosovës apo ndërmjet Kosovës-Serbisë dhe SHBA-së (marrëveshje trepalëshe), u duk qartë që Kosova nuk ishte e fituara e kësaj marrëveshje. Përkundrazi, Kosova humbi një shans historik për t’u njohur nga Serbia me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në praninë edhe të Presidentit amerikan, Donald Trump.

Po t’i bëjmë një analizë të shkurtër marrëveshjes rezulton se: 1) Heqja e njohjeve reciproke nga draftmarrëveshja (pika 10) ishte një gabim fatal dhe i patolerueshëm/i pafalshëm, pike të cilën delegacioni shqiptar nuk duhej ta pranonte kurrsesi dhe gjithçka duhej të negociohej vetëm rreth njohjes së Kosovës nga Serbia. Ishte vetë Kryeministri kosovar, Z. Hoti, që deklaroi përpara se të nisej për në Uashington, edhe si kryetar delegacioni, se do të pranonte vetëm njohjen e Kosovës nga Serbia dhe vetëm rreth saj do të mund të negociohej, premtim që s’e mbajti, pasi pikërisht atë pranoi që të hiqej nga negociatat. Siç duket i kompleksuar, i frikësuar dhe i intimiduar nga dështimi i Uashingtonit, ai deklaroi edhe përpara vazhdimit të sotëm të negociatave në Bruksel ne praninë e BE-së, se “do të pranohej vetëm njohja reciproke”, gjë që tingëllon si klithmë në fund të postit, pasi humbi shansin e madh dhe tani bëhet edhe i pabesueshëm si kryenegociator.

Në mos e mbrojti pikën 10 të “njohjes së Kosovës nga Serbia”, delegacioni shqiptar duhej të insistonte dhe të vendoste veton të paktën për të kërkuar heqjen nga preambula e Kushtetutës së Serbisë të paragrafit që definon se “Kosova e Metohija janë pjesë e Serbisë”, por as këtë nuk e arriti dot, nuk e dimë nëse e kërkoi dhe nuk e arriti apo nuk e kërkoi fare. Heqjen e njohjes reciproke e deklaroi hapur si triumf edhe Vuçiçi, duke thëne se “serbët të rrinë të qetë, pasi njohja reciproke Kosovë-Serbi u hoq” nga marrëveshja.

2) Diskutimi i ujerave të Gazivodës/Ujmanit dhe ndarja ‘share’ e tyre me Serbinë është komplet në favor të Serbise dhe dem te Kosoves, pasi e fut Serbine ne pronesi te territorit e Kosovës, duke cenuar Kushtetutën si dhe tërësinë territoriale të saj. Edhe për këtë, Vuçiçi ishte i lumtur pasi u shpreh se “nëse deri sot ne nuk merrnim asnjë kilovat energji nga Gazivoda, tani do të futemi në shfrytëzimin e tij dhe të marrim sa të marrim”, nënkuptimi “qyl e kemi”.

3) Fizibiliteti për daljen e Serbisë në det, që implikon edhe Shqipërinë, është komplet në interes të Serbisë, pasi Serbia atë që s’e arriti ndër shekuj me luftëra, synon ta arrijë me marrëveshje, ku në prapaskenë qëndron patjetër edhe “lideri global”, miku i Vuçiçit dhe Hashimit, Edi Rama.

4. Diversifikimi i operatoreve të energjisë në Kosovë nënkupton futjen e operatoreve serbë në Kosovë, gjë që shkon në favor të Serbisë, pasi serbët futen në tregun strategjik të energjisë në Kosovë.

5. Moratoriumi prej një viti për stopimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare ishte po ashtu një gabim fatal, pasi Kosova është një shtet i pavarur, që synon të anëtarësohet në këto organizata dhe ky vullnet nuk mund të kushtëzohet dhe as të stopohet me asnjë lloj marrëveshje.

6. Futja në marrëveshje e çështjes së manastireve, pronave dhe infrastrukturës së tyre është komplet e panevojshme, pasi vetëm sa rrit pushtetin dhe shton pronat e manastireve ortodokse në Kosove dhe krijon kushte për krijimin e “enklavave fetare”, që nesër mund të jenë burim konfliktesh në Kosovë.

7. “Minishengeni Ballkanik” është pa dyshim pjellë serbe dhe çdo promovim i saj, pavarësisht se ku dhe si bëhet, shkon komplet në favor të Serbisë dhe jo të Kosovës apo Shqipërisë. Pastaj, pjesa e investimeve, e infrastrukturës komunikative (rrugë, porte, aeroporte, hekurudha), e njohjes reciproke të diplomave e kështu me radhë, janë pjesa e historive të marrëdhënieve prej dekadash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Qershia mbi tortë” e marrëveshjes ishin historitë e Hezbollahut apo Kosovës si vend mysliman i Lindjes së Mesme e kështu me radhë, të cilat ishin lapsuse dhe gabime gjeopolitike, apo strategjiko-diplomatike, që kurrsesi nuk duhet të dilnin nga një dokument i Shtëpisë së Bardhë. Gjëja më e rëndësishme ishte njohja e Kosovës nga Izraeli dhe për këtë duhet falënderuar si Presidenti Trump, ashtu dhe Kryeministri Netanjahu.

Nëse do të bënim një bilanc fare të thjeshtë të marrëveshjes, siç edhe duket lehtë, shumica e pikave të marrëveshjes janë kërkesa të serbëve të pranuara nga delegacioni shqiptar, ndërkohë që përveç paragrafit që frenon agresionin/fushatën serbe të antinjohjeve të reja/vjetra të Kosovës për një vit, nuk kuptohet se çfarë kërkesash të tjera të shqiptarëve janë bërë pjesë e asaj marrëveshjeje. Duket qartë që ka një disproporcionalitet që anon dukshëm nga Serbia.

Fatkeqësisht, delegacioni shqiptar shkoi në këtë takim komplet i papërgatitur, pa lobim dhe vrap e vrap, ndërkohë që e kundërta me sa duket ka ndodhur me delegacionin serb. Me një kërcënim dhe “denoncim” përpara Shtëpisë së Bardhë të ministrit serb të Financave, u hoq nga marrëveshja paragrafi që parashikonte njohjen reciproke Kosovë-Serbi. Fatkeqësi kombëtare që ne shqiptarët vazhdojmë dhe paraqitemi kaq dobët në arenën ndërkombëtare, të kompleksuar dhe shumë inferiorë. Serbët po punojnë natë e ditë për të realizuar doktrinën e Vuk Drashkoviçit, i cili thoshte para shumë vitesh se: “Ne Kosovën e kemi humbur, por do ta fitojmë duke u afruar me ata që na e morën”.

Është e pafalshme dhe e patolerueshme që ata që kryen krimet më monstruoze para 2-3 dekadash në Kosovë dhe Ballkan, të ulen sot në tryezë me viktimat, që jemi ne shqiptarët, dhe të dalin më të fituar se ne nga kjo marrëveshje. Natyrisht, për Presidentin Trump dhe stafin e tij, kjo marrëveshje konsiderohet arritje dhe sukses elektoral dhe për këtë arsye e organizuan me kaq urgjencë dhe në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Trumpit i duhej patjetër një foto e tillë dhe si President i SHBA-së e arrin lehtë, siç edhe e arriti.

Gjithsesi, në të gjithë këtë histori ka një gjë të mirë, që ajo marrëveshje nuk ka realisht asnjë fuqi juridike dhe do të jenë serbët të parët që nuk do të zbatojnë asnjë pikë të saj që s’iu intereson, sepse ky është stili i tyre i të bërit politikë dhe diplomaci. Për sa kohë që ata i ke përpara, ata vetëm qahen, ankohen, jargaviten dhe sillen si të nënshtruar në palcë, si gjynahqarët e botës, si më të urtët dhe më të mirët, si qengja, por sapo largohesh prej tyre, ata veshin lëkurën e ujkut, trimërohen, mohojnë çfarë kanë bërë dhe tjetërsohen.

Dhe nëse këto gjëra s’i di Presidenti Trump dhe administrata e tij, dhe ndoshta s’kanë se si t’i dinë, këto gjëra besoj se i dinë dhe nëse s’i dinte, le t’i mësonte Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pasi nuk besoj se do të ketë shans për të qenë edhe një herë tjetër në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, shans që po të ishte shfrytëzuar mirë, do t’ia lehtësonte dhe kursente Kosovës telenovelën serbe të njohjes së saj nga Serbia. Serbia dhe serbët e dinë shumë mirë që e kanë humbur Kosovën që në vitin 1998, por nëpërmjet sagës së njohjes së saj do të përpiqen që ta shesin atë sa më shtrenjtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura