Mandati i tretë, një licencë për vjedhje

Nov 12, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

KLEVIS BALLIU

klevisballiu

Në çdo shtet demokratik, zgjedhjet janë glorifikimi i sistemit demokratik ku përplasen alternativat e ndryshme në një garë për të pasur privilegjin, nderin dhe përgjegjësinë e drejtimit të një vendi.

Beteja më e fortë, qoftë për opozitat dhe për maxhorancat, janë gjithnjë zgjedhjet pas mandatit të parë, ku njëra palë kërkon të mbajë pushtetin, ndërkohë që opozita mundohet të fitojë zgjedhjet për të filluar programin e saj.

Beteja për mandatin e tretë është më shumë një protokoll në çdo shtet demokratik, pasi edhe qeveritë më të mira pas 8 vitesh në pushtet kanë një konsumim të madh dhe beteja për opozitën si rrjedhojë bëhet më e lehtë.

Një qeveri nuk ka çfarë premton pas 8 vitesh në krye të një vendi, pasi për to lind pyetja e thjeshtë; pse nuk e ke bërë në këto 8 vite atë çka premton sot? Por Shqipëria është në pozita edhe me ekstreme, pasi qeveria e Edi Ramës nuk ka asnjë sukses në çdo sektor të vendit, si politika e jashtme, thithja e investitorëve të huaj apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Në fakt, është krejt e kundërta. Në 8 vite, qeveria nuk arriti të hapë negociatat me BE-në, pra, dështoi në politikën e jashtme. Investitorët e huaj janë thjesht një kujtim i largët, gati po kthehen në legjenda. Ndërkohë që lufta kundër krimit as nuk ka nevojë për analizë që nga momenti që krimi hyri në Parlament, në qeveri e në çdo zyrë shtetërore krimi fitoi dhe lufta kundër t’i mbarojë. Nuk ka rritje ekonomike, varfëria është rritur, papunësia gjithashtu.

Pra, qeveria ka dështuar për sa u përket nevojave të shtetit dhe prioriteteve për qytetarët e saj.

Por kjo qeveri ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në pasurimin e vetvetes me anë të parave të taksapaguesve shqiptarë, duke ngritur skema që as Lupeni nuk do t’i kishte imagjinuar. Kujtojmë këtu rastin flagrant të Unazës së Re, ku një kilometër rrugë tek Unaza kushton 2-fishin e një rruge nacionale në Austri, që shquhet si vendi me kilometrin më të shtrenjtë, pasi është vend alpin.

Po kështu, nuk mund të harrohen PPP-të e famshme ku shteti ia jep paratë e qytetarëve një biznesmeni që ai të bëjë një investim sipas interesit të tij, pa rrezikuar asgjë dhe të gjitha ato PPP, në fakt, s’kanë sjellë asgjë për vendin, por kanë sjellë shumë për ato 5 biznesmen, ose me saktë OLIGARKËT E RILINDJES.

Patjetër, s’mund të harrojmë këtu inceneratorët e famshëm që paguhen nga qytetarët, por që vetë inceneratori nuk funksionon dhe në disa raste nuk ekziston. Po ashtu, kemi ndërtimet e pafundme të Bashkisë së Tiranës që për çdo pemë të mbjellë ka ngritur dy pallate, çdo shesh, çdo rrugicë me pak vend shërben për një pallat, se fundja gjithë këto para që vidhen nga Unaza, nga PPP-të, nga inceneratorët diku do të pastrohen. E ku më mirë se te pallatet e Erion Veliajt. Rrjedhimisht lind pyetja: pse kërkon një mandat të tretë kjo qeveri kur ka dështuar? Dështimi, në fakt, është arsyeja pasi qeveria kërkon tanimë të legalizojë vjedhjen, gjë të cilën mund ta bëjë në një mandat të tretë kupushteti do të ishte absolut dhe arroganca në kulmin e saj.

Në mandatin e tretë, qeveria me sukseset e lartpërmendura do të kishte mundësi jo vetëm të kishte një licencë për të vjedhur, por edhe do të sigurohej që të mos mbante as një përgjegjësi për këto vjedhje. Ndaj vota për maxhorancën është në fakt një votë për të mos u shërbyer qytetarëve, por t’u shërbehet kërkesave të Ramës, nevojave të Ramës. Ndaj sot është një detyrë kombëtare për çdo qytetar që të votojë ndryshimin për të vënë para përgjegjësisë hajdutët dhe jo të votojnë për t’i dhënë hajdutit licencë për të vjedhur më shumë.

Zgjedhjet parlamentare në 25 prill nuk janë të zakonshme, por ato janë një shans për qytetarët e vendit që të ndëshkojnë jo thjesht Ramën, por mënyrën e tij të të bërit politikë. Pra, të ndëshkojnë sistemin e korruptuar politik duke e ndëshkuar me një votë plebishitare, e cila do të shërbente si një mesazh dhe për qeverinë e re. Nëse ka një ndëshkim masiv me votë ndaj Edi Ramës sot, çdo politikan që vjen pas tij do ta marrë mesazhin shumë qartë se në këtë vend nuk mund të vjedhësh dhe t’ia hedhësh paq, por do të ndëshkohesh.

Vota kundër Ramës, në fakt, është votë për qytetarët, vota kundër Ramës si rrjedhojë është votë pro ndëshkimit të politikës të korruptuar dhe politikanëve që e drejtojnë atë. Në fakt, edhe suksesi i qeverisë së ardhshme do të varet shumë nga ndëshkimi që do t’u japë zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion dhe këtu nuk e kam fjalën për një drejtor në drejtori të vogla të ministrisë, por për vetë ministrat dhe kryeministrin. Kushdo i përfshirë në një aferë korruptive duhet të vihet përballë drejtësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura