Makina e grabitur e kambistit gjendet në pyll pa paratë

Jul 28, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

Pas një operacioni të mirorganizuar në terren nga forcat e Policisë së Komisariatit të Fushë-Krujës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u arrit të gjendet makina e kambistit, të cilën e kishin grabitur dy autorët bashkë me paratë.

Makina e kambistit
Makina e kambistit
Burime nga Policia e Krujës thanë se automjeti tip “Mercedez Benz ML”, me targë TR 7755 T, u gjet i ndezur në një pyll që ndodhet mes fshatrave Nikël e Tapizë, ndërsa paratë që ndodheshin në të ishin zhdukur.

Fillimisht ekspertët kriminalistë kanë bërë këqyrjen e imtësishme të automjetit për të arritur të gjejnë ndonjë gjurmë gishti, fije floku, apo prova të tjera që mund t’i lidhnin me autorët. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se në makinë kishte 3 vrima plumbash në xhamin e parë. Njëra nga vrimat sipas ekspertëve është bërë nga një e shtënë nga jashtë automjetit, ndërsa dy të tjera dyshohen të jenë bërë nga brenda saj.

Sipas specialistëve të Policisë, autorët mund të kenë qëlluar dy herë pasi ishin futur në makinën e kambistit, në ikje e sipër. Gjithashtu gjatë këqyrjes së automjetit janë konstatuar edhe dy xhamat anësorë të thyer, ashtu siç kishte deklaruar në dëshminë e tij në Polici 61-vjeçari, Cen Hyseni. Pasi është ekzaminuar për gati dy orë në vendin ku u gjet e braktisur, makina është transportuar në Komisariatin e Fushë – Krujës ku do t’i nënshtrohet edhe veprimeve të tjera hetimore.

Nisur nga vendi ku u gjet makina e grabitur, operacioni i Policisë është zhvendosur në fshatrat Nikël, Tapizë dhe disa zona përreth Fushë – Krujës e Tiranës, për të rënë në gjurmët e autorëve. Ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ata mund të jenë ndihmuar edhe nga persona të tjerë, që mund t’i kenë pritur në vendin ku ata kishin braktisur makinën dhe i kanë lëvizur me ndonjë automjet tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura