Majko: Do jem në Vlorë dhe në Tiranë për 100-vjetorin

Nov 3, 2012 | 12:14
SHPËRNDAJE
Pandeli Majko

Deputeti i PS: Votimi i tri reformave, jo pa zgjidhur çështjen e Fierit.

“Po organizojmë vullnetarë për t’i çuar në Vlorë më 28 Nëntor”

Deputeti socialist, Pandeli Majko, duke folur për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, shprehet se vetë do të jetë edhe në Vlorë, edhe në Tiranë në darkën që do të bëjë Presidenti.  Sipas tij, PS po përgatit vullnetarë që të shkojnë në Vlorë për të festuar Festën e Flamurit.
Znj. Klinton dje apeloi për zgjedhje të lira. Ekziston një mundësi e tillë?
Zgjedhjet e lira? Është një përgjigje shumë e vështirë. Mendoj se konteksti i asaj që deklaroi zonja Klinton në Shqipëri, është konteksti i një mikeje shumë të veçantë për Shqipërinë, përveçse sekretarja e Shtetit e një vendi që ka afruar miqësi historike që në vitin 1912. Mesazhi i saj ishte: respektoni veten, duajeni vendin tuaj më shumë se interesat politike dhe bëni zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Shqipëri, megjithëse ka një legjislacion, që prej 22 vjetësh ne jemi përpjekur ta shkruajmë bukur atë që duhet bërë, në këtë vend nuk ka pasur zgjedhje të lira. Në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve është shkruar “zgjedhje më të mira se të mëparshmet, por jo zgjedhje të ndershme”.
Premton viti 2013 për zgjedhje të lira?
Mendoj se sot, edhe si reflektim i asaj që tha znj. Klinton, është fakti i thjeshtë që ne duhet ta duam vendin tonë më tepër se interesat politike të ditës apo ato që quhen afatshkurtra. Duhet të respektojmë protokollin e historisë sonë të përbashkët, që nis nga respektimi i 28 Nëntorit dhe deri te 29-Nëntori. Këto që kërkon opozita sot për të respektuar Vlorën, është diçka e shkruar në Protokollin e Shtetit. Dhe këto histori duhen respektuar si të tilla, Festa e Flamurit është festuar nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha në Vlorë dhe në Tiranë. Tiranasit kanë një zemër të madhe, por ata e kuptojnë që Vlora e ka festën e saj. Ne në këtë ansamble në Korçë, do të vendosim që të shkojmë të festojmë së bashku në Vlorë.
Pra Partia Socialiste do ta festoje Ditën e Pavarësisë në Vlorë?
PS do ta festojë në Vlorë më 28 Nëntor. Janë së paku një mijë vullnetarë vetëm nga Korça. Tashmë kemi zgjedhur dhe koordinatorët që do të merren me festën. Sot të gjithë demokratët duhet të kuptojnë që ky nuk është një vendim politik që bëhet në emër të flamurit të Partisë Socialiste. Çdo i djathtë duhet ta kuptojë që nuk mund të festohet dhe në Tiranë, dhe në Vlorë, qoftë edhe nga pikëpamja teknike. Ne duhet të respektojmë protokollet e historisë, që kanë respektuar të gjithë shtetarët, pa asnjë përjashtim, pavarësisht bindjeve apo mentaliteteve. Në të kundërt, besoj se në datën 28 do të këtë një Festë të Flamurit, e cila do të festohet në mënyrën më madhështore të mundshme që unë shpresoj të mos ndodhë. Në darkë do të jem në Pallatin e Brigadave në Tiranë për të respektuar pikërisht këtë protokoll të vjetër të historisë, se shteti shqiptar është gdhirë në Vlorë dhe është ngrysur në Tiranë. Këtu nuk ka mungesë respekti, por ka vetëm respekt të protokolleve të historisë. Ato nuk mund të zhbëhen.
Jeni optimist për realizimin e reformave të kërkuara nga BE?
Ne jemi aktualisht të bllokuar me qarkun e Fierit për të votuar tri projektligje të rëndësishme në Parlament. Opozita nuk ka vënë asnjë kusht politik.  I vetmi kusht është respektimi i vendimit të gjykatës. Shpresoj që qeveria shqiptare dhe maxhoranca të kuptojnë se i vetmi kusht i opozitës është respektimi i vendimit të gjykatave. Shqipëria, sot që flasim për luftën e korrupsionit,  ka nevojë për prokurorë dhe gjykatës, të cilët të jenë të aftë të japin vendime dhe këto vendime të zbatohen. Nëse fillojmë nga këto gjëra, të cilat duken kaq anësore, për mënyrën si ne e kemi parë ndërtimin e së kaluarës sonë, janë të gjitha mundësitë që ne të kemi shpresë për mesazhin që dha zonja Klinton dje në Tiranë, më shumë se politikanët e këtij vendi.

Korçë/ Dhoriela Demkolli

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura