Majko: Do festojmë 100-vjetorin e luftës për pushtet më 28 Nëntor

Nov 1, 2012 | 10:16
SHPËRNDAJE
Pandeli Majko

Ish-kryeministri Pandeli Majko, prej disa legjislaturash deputet i PS-së, shprehet se në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar nuk ka ende histori zyrtare të pranuar nga të gjithë. Në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” ai shprehet se në një shekull pavarësi lufta bëhet për pushtet dhe protagonizëm. “28 Nëntor 1443, Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. 28 Nëntor 1997, dalja publike e UÇK-së në Llaushë të Drenicës. 28 Nëntor 1998, u miratua pas referendumit Kushtetuta e Shqipërisë. 28 Nëntor 1955, lindi heroi i shqiptarisë Adem Jashari”, shkruan Majko. Sipas tij, “e vërteta e hidhur, e fshehur pas debateve për festimet e 28 Nëntorit, është se pas 100 vjetësh pavarësi nuk kemi ende një histori zyrtare të pranuar nga të gjithë… Do të festojmë 100-vjetorin e luftës për pushtet dhe protagonizëm në Shqipëri”. Sa i përket debatit për historinë, pak ditë më parë Majko propozoi që të nderohet Lekë Dukagjini si ligjvënësi i parë shqiptar. “Lek Dukagjini… Askush nuk e përmend për mirë dhe ende nuk ka një bust të vetin në territoret shqiptare. Një personalitet i gjenezës shqiptare që shumë kombe do ta ëndërronin ta kishin pjesë të historisë kombëtare”, shkruan Majko në profilin e tij në Facebook.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura