Mahmut Pasha, projekti me Rusinë për t’u bërë mbret i Shqipërisë, 1787

Nov 24, 2015 | 14:49
SHPËRNDAJE

Fuqia ruse, që po i imponohej fuqishëm shtetit osman, përfshiu edhe pashallarët e fuqishëm shqiptarë. Ata kishin ambicie madhore për të instaluar sundimin e tyre dinastik në territoret që ata zotëronin, në mënyrë që t’i mbijetonin shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Kështu, si Mahmut Pashë Bushatlliu, ashtu edhe Ali Pashë Tepelena tentuan të bëheshin pjesë të projekteve të mëdha politike, që synonin “Ballkanin e ri”, përmes dëbimit përfundimtar të osmanëve nga rajoni.

Madje, sipas një projektmarrëveshjeje me Rusinë (maj 1788), Mahmut Pasha zotohej që: me mbështetjen financiare të Rusisë të forconte më shumë lidhjet dhe aleancat me krerët e tjerë shqiptarë dhe ata fqinjë; të merrte nën sundimin e tij të plotë Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në Manastir dhe Selanik, duke u hapur rrugën trupave ruse që të merrnin Stambollin.

KARA MAHMUT PASHA

Pasi të realizohej ky plan veprimi dhe të vendosej paqja, tokat ballkanike të vendosura nën sundimin e Bushatlliut do të viheshin nën protektoratin rus, me kusht që të respektohej feja islame dhe institucionet e saj, zakonet dhe traditat vendëse, ashtu si në Krime dhe provinca të tjera ruse.

Kjo projektmarrëveshje sqarohet gjerë e gjatë nga historiani Dritan Egro, në një shkrim për çështjen shqiptare në fund të shekullit XVIII dhe rrugën drejt Pavarësisë. Siç mësojmë përmes dokumenteve të rralla të Egros, Kara Mahmuti synonte të vinte nën sundim krejt atë pjesë të viseve shqiptare, që e konsideronte Shqipëri dhe Maqedoni, për të mbërritur deri në Selanik e Manastir; por, pashai shkodran nuk u ngut të krijonte marrëdhënie varësie me Rusinë, pasi ai nuk e firmosi këtë dokument, pa marrë më parë pëlqimin e careshës ruse. Nga ana tjetër, edhe Ali Pashë Tepelena po bënte “llogaritë” e tij për pushtet me rusët…

Projekti grek i Katerinës II përfshinte edhe marrjen e fëmijëve të konfesionit ortodoks nga territoret ballkanike osmane dhe dërgimin e tyre në Rusi, për të marrë edukimin e duhur burokratik në diplomaci dhe ushtri. Sipas dokumenteve ruse, himarjotët Anton Gjika dhe Pano Biçili, qysh në kohën e Luftës Ruso-Osmane (1770-1774), ishin vënë në shërbim të Rusisë. Madje, Pano Biçili, në vitin 1786, rezulton të ishte konsull i Rusisë në Artë; ndërsa konsulli i parë i Rusisë në qytetin e Vlorës, në 1806, ishte Zaho Biçili. Fuqia ruse, që po i imponohej fuqishëm shtetit osman, përfshiu edhe pashallarët e fuqishëm shqiptarë. Rusia dhe Perandoria Habsburge kërkonin që fuqinë e pashallarëve shqiptarë ta përdornin për të dobësuar pozitat e sundimit osman në Ballkan, në funksion të realizimit të projekteve për copëtimin përfundimtar të shtetit osman.

Kurse pashallarët shqiptarë, në dijeni të ndryshimeve të mëdha që po përgatiteshin, synonin që aleancën me secilën fuqi të madhe të interesuar ta përdornin për interesat e veta, për të instaluar sundimin e tyre dinastik në territoret që ata zotëronin, të cilat duhet të mbijetonin pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Kështu, si Mahmut Pashë Bushatlliu, ashtu edhe Ali Pashë Tepelena tentuan të bëheshin pjesë të projekteve të mëdha politike, që synonin ribërjen politike të Ballkanit, përmes dëbimit përfundimtar të osmanëve nga rajoni, çka për pashallarët shqiptarë do të thoshte më shumë garanci që sundimi i tyre të zëvendësonte sundimin osman dhe atyre t’u njihej e drejta e kalimit të pushtetit te bijtë e tyre.

Në vitin 1787, Kara Mahmuti priste vetëm prerjen e marrëdhënieve osmano-austriake që të shpallej sovran i kësaj province të Perandorisë Osmane. Po në këtë kohë, interesim për pashain shkodran tregoi edhe caresha Katerina II. Madje, sipas një projektmarrëveshjeje me Rusinë (maj 1788), Mahmut Pasha zotohej që: me mbështetjen financiare të Rusisë të forconte më shumë lidhjet dhe aleancat me krerët e tjerë shqiptarë dhe ata fqinjë; të merrte nën sundimin e tij të plotë Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në Manastir dhe Selanik, duke u hapur rrugën trupave ruse që të merrnin Stambollin. Pasi të realizohej ky plan veprimi dhe të vendosej paqja, tokat ballkanike të vendosura nën sundimin e Bushatlliut do të viheshin nën protektoratin rus, me kusht që të respektohej feja islame dhe institucionet e saj, zakonet dhe traditat vendëse, ashtu si në Krime dhe provinca të tjera ruse.

Nga ky projektmarrëveshje mësojmë se Kara Mahmuti synonte të vinte nën sundim krejt atë pjesë të viseve shqiptare që e konsideronte Shqipëri dhe Maqedoni, për të mbërritur deri në Selanik e Manastir; por, pashai shkodran nuk u ngut të krijonte marrëdhënie varësie me Rusinë, pasi ai nuk e firmosi këtë dokument, pa marrë më parë pëlqimin e careshës ruse. Projekti i tij për t’u bërë mbret i Shqipërisë së tij nuk u mbështet. Austria, Rusia dhe Mbretëria e Napolit, në gjysmën e parë të vitit 1788, ranë dakord që, jo Mahmut Pashës, por mbretit të Napolit t’i jepej provinca osmane e Shqipërisë. Natyrisht që pashai shkodran, në këto rrethana, do të preferonte më mirë varësinë formale nga sulltani sesa shmangien totale nga ambicia e tij për t’u bërë mbret.

Edhe Ali Pashë Tepelena kërkoi mbështetjen ruse. Në një projektmarrëveshje me Rusinë (1791) parashikohej mbrojtja e besimit fetar islam në tokat e Ali Pashës (neni 1), ndërkohë që Ali Pasha zotohej t’i ofronte popullsisë greqishtfolëse në tokat e tij një status shumë të favorshëm, në aspektin fiskal (neni 2) dhe një integrim të plotë në strukturat politike dhe ushtarake në shtetin e tij (neni 3). Elementi ortodoks grek duhej të gëzonte edhe mbrojtje në gjykatat e Ali Pashës (neni 5).

Përmes kësaj marrëveshjeje, Ali Pasha kërkonte mbështetjen e Rusisë për t’u shkëputur prej shtetit osman, madje edhe mbrojtjen e saj në se kjo përpjekje do të rezultonte e pasuksesshme (neni 9); kurse Rusia kërkonte që në tokat që kontrollonte ky pasha mysliman shqiptar, përmes elementit ortodoks grek, të krijonte një bazë të re dhe të fuqishme diversioni për të mbajtur të angazhuara trupat osmane dhe për t’ia lehtësuar vetes përparimin drejt Stambollit (neni 7-8). Mbështetja ruse do të jepej vetëm nëse Ali Pasha do të garantonte trajtimin special të elementit ortodoks që jetonte në tokat e tij.

Krerët shqiptarë të pashallëqeve projektet e tyre për shkëputje nga Perandoria Osmane kërkuan t’i inkuadronin brenda projektit të madh ruso-austriak për ribërjen politike të Ballkanit post-osman. Ndërsa fiset malësore shqiptare me letrat e tyre drejtuar carëve rusë u kërkonin atyre mbrojtje dhe vasalitet, në këmbim të besnikërisë, krerët e pashallëqeve në kontaktet me Fuqitë e Mëdha kërkuan marrëdhënie partneriteti, pra favore të ndërsjella që palët e interesuara të plotësonin ambiciet e tyre politike, përmbushja e të cilave do ta çonte Perandorinë Osmane drejt copëtimit përfundimtar. Pashallarët shqiptarë me veprimet e tyre treguan se ishin lojtarë të dimensioneve ndërkombëtare, pasi e vlerësuan drejt faktin që zotëronin territore të rëndësishme strategjike, me peshë nevralgjike për balancat politike dhe ushtarake për Fuqitë e Mëdha (Austria, Rusia, Anglia dhe Franca).

Realisht, fuqia e tyre politike e ushtarake i bëri pjesë të kombinacioneve të Fuqive të Mëdha, por jo domosdoshmërisht pjesë të projekteve të tyre ballkanike. Në këtë kohë, feja përbënte jo vetëm parametrin më të rëndësishëm në përcaktimin e aleatëve strategjikë në rajon, por edhe mjetin më të fuqishëm, përmes të cilit Fuqitë e Mëdha (Rusia dhe Austria) kërkonin të ndryshonin konjukturën gjeopolitike të rajonit. Ja pse tentativat e shkëputjes nga shteti osman të pashallarëve shqiptarë nuk u mbështetën jo vetëm nga asnjë fuqi e madhe, por edhe nga asnjë vullnetar nga Europa, ndryshe nga ç’ndodhi në Greqi e Rumani. Ndryshe ndodhi me Mehmet Ali Pashën e Egjiptit, me origjinë nga Zëmblaku i Korçës, i cili e çoi Egjiptin drejt shkëputjes nga shteti osman (1805-1848) dhe hodhi hapa të sigurt drejt krijimit të shtetit modern egjiptian. Sikurse Bushatlliu e Ali Pasha, edhe ai fillimisht arriti të shtinte në dorë postin e drejtuesit më të lartë osman në tokat e Egjiptit dhe vetëm më pas ia filloi punës për t’u shkëputur prej saj.

Në këtë sipërmarrje të vështirë, ai fitoi si mbështetjen Fuqive të Mëdha, veçanërisht Anglisë, po aq përfitoi edhe nga rivaliteti gjeostrategjik mes Fuqive të Mëdha për hegjemoni në Mesdhe, duke i dhënë Egjiptit shansin historik. Procesi i ribërjes politike në Ballkan do të fillonte me pavar- ësimin e pashallarëve shqiptarë nëse këta do t’ia kishin dalë të shkëputeshin nga shteti osman, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha. Europa katolike në kohën e kapërcimit të madh drejt krijimit të kombeve (fundi i shek. XVIII-XIX), kërkonte të gjente sërish në tokat shqiptare shqiptarët e kohës së Skënderbeut, ndërkohë që me kalimin e shekujve shqiptarët kishin ndryshuar shumë.

Pjesa dërrmuese e tyre ishte islamizuar. Mahmut Pashë Bushatlliu dhe Ali Pashë Tepelena ishin dinjitarë të lartë osmanë, por myslimanë shqiptarë, që tentuan pavarësinë nga shteti osman dhe krijimin e shteteve të tyre dinastike, ku bërthamën do ta përbënin viset e banuara nga shqiptarët. Veprimet politike që Mahmut Pasha dhe Ali Pasha ndërmorën për realizimin e projekteve të tyre politike, vetë sulltanët osmanë i përkufizuan me një emër: pavarësim (istiklâl) nga shteti osman. Në këtë kontekst, periudha e separatizmit mysliman shfaqet si etapa më e hershme dhe përgatitore e lëvizjeve kombëtare në Ballkan.

Nga momenti i shtypjes së pashallëqeve, Porta e Lartë nuk la më në tokat shqiptare qendra të fuqishme graviteti që të tërhiqnin vëmendjen e Fuqive të Mëdha. Shqiptarëve, në këtë mënyrë, iu hoq mundësia e kontaktit të drejtpërdrejtë me Fuqitë e Mëdha, situatë e cila vazhdoi deri në vitet e Kongresit të Berlinit (1879). Ata tashmë duhet të kontaktonin vetëm përmes Stambollit dhe që nga ky moment aleatët duhet t’i kërkonin në rajon, duke e reduktuar ndjeshëm fuqinë e tyre politike dhe peshën e tyre në arenën ndërkombëtare.

Dobësimi i vazhdueshëm i pozitës ndërkombëtare të shqiptarëve gjatë shek. XIX bëri që elita politike shqiptare nga kërkesat për të qenë partnere veprimi politik në rajon, të kalonte në trokitëse dyersh dhe kërkuese të drejtash në dyert e kancelarive të mëdha. Shteti osman pas shkatërrimit të plotë të pashallëqeve u përpoq ta dobësonte pushtetin ekonomik e politik të elitës myslimane shqiptare, por sërish e mbajti atë si pjesë integrale të pushtetit të saj, tanimë jo në viset shqiptare, por në Stamboll. Kështu filloi nga brenda rënia e fuqisë shqiptare, rënie graduale, por që rezultoi e pafrenueshme deri në dekadën e dytë të shek. XX.

Në shek. XVIII shqiptarët tashmë identifikoheshin si myslimanë, dhe si të tillë duheshin ndëshkuar për bashkësundimin shekullor me osmanët. Kurse, njohja e autonomisë së Serbisë (1814-1815) dhe, më pas, e pavarësisë së Greqisë (1830) nga shteti osman përbëjnë dy hallkat e para në vargun e ngjarjeve që shënuan fillimin e procesit të ribërjes politike të Ballkanit osman. Ato dëshmojnë se si Rusia, ashtu edhe fuqitë e tjera europiane ishin të prirura të ndihmonin elementin e krishterë në Ballkan, pasi, duke qenë se ky element nuk ndante të njëjtin besim me sunduesin osman, shkëputja prej tij mund të realizohej politikisht më lehtë.

MBI PROJEKTET FEDERATIVE BALLKANIKE

Planet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Perandorisë Osmane shoqëroheshin me projektet politike, që kishin të bënin me atë se si Fuqitë e Mëdha kërkonin ta shihnin Ballkanin postosman. Gjatë vitit 1805 u intensifikuan dukshëm marrëdhëniet mes Rusisë dhe Malit të Zi si kundërbalancë e veprimeve luftarake të Napoleonit në Adriatik. Peshkopi malazez, Petër, i propozoi carit Aleksander I krijimin e një shteti të madh që do të përfshinte territoret e Malit të Zi, Hercegovinës, Dalmacisë, veriut të Shqipërisë, me kryeqytet Dubrovnikun, kurse princ i këtij shteti do të ishte peshkopi Petër dhe Rusia do të ishte fuqia protektore e tij. Kur kishte shpërthyer kryengritja serbe, kreu i parë i saj, Aleksander Karagjorgjeviç, në 1809, në kohën që i drejtohet Napoleon Bonapartit për t’i marrë serbët në mbrojtje, i paraqiti atij projektin për krijimin e një shteti të sllavëve të jugut në Ballkan (Jugosllavia).

I njëjti propozim në këtë kohë iu paraqit edhe ministrit të Jashtëm të Rusisë, A. Çartoriski-t. Projekti që iu paraqit Rusisë parashikonte që në krye të këtij shteti të vendosej një princ nga dera e Romanovëve. Ky projekt gjatë shekullit XIX erdhi gjithnjë e duke u fuqizuar. Pikërisht në të njëjtën kohë (1809) me këtë projekt, ndonëse në trajtë embrionale, filloi të merrte jetë edhe projekti i parë për një mbretëri shqiptaro-greke në Peloponez (More). Këto negociata u zhvilluan mes T. Kolokotron-it (arvanitas) dhe Ali Farmaqit (shqiptar mysliman), që sfidonte në Peloponez autoritetin e djalit të Ali Pashës. Në këto bisedime i pranishëm ishte edhe konsulli i përgjithshëm francez i shtatë ishujve të Jonit, Donzelo.

Ndonëse burimet greke nuk e shprehin qartë, në themel të kësaj ideje qëndrojnë fillimet e presionit sllav për zgjerim në rajon; madje, ky presion do të jetë edhe katalizatori i çdo fillimi negociatash shqiptaro-greke për formimin e një shteti të përbashkët gjatë gjithë shek. XIX. Hartimi i projekteve të tilla shumë shpejt do të sillte në diskutim edhe faktin se cili popull do të ishte lider i rajonit, pozicion që deri në këtë kohë e luanin shqiptarët.

FILLIMET E ÇËSHTJES SHQIPTARE

Të gjitha paradigmat e ngritura në shek. XX mbi lindjen dhe ecurinë e nacionalizmit ballkanik kanë ngulitur fort një qasje, e cila: 1. Në rrafsh empirik, lëvizjet nacionaliste i trajton si vepër mirëfilli të popujve të krishterë të Ballkanit. Kjo qasje, në fakt, i ka hapur rrugë paradigmës, sipas së cilës, shqiptarët duke qenë në shumicë myslimanë, u vonuan në zgjimin e tyre kombëtar dhe, për pasojë, u shkëputën të fundit në Ballkan nga Perandoria Osmane. 2. Në rrafsh teorik, lëvizjet nacionale i ka konceptuar sipas skemës: zgjim kulturor, b. veprim politik, c. formim i shtetit kombëtar. Asnjë prej këtyre qasjeve paradigmatike nuk e ka marrë parasysh faktin se cili ka qenë qëndrimi politik i krerëve myslimanë në Ballkan ndaj zhvillimeve të reja politike.

Madje, kjo kastë drejtuese e Ballkanit është paraqitur dhe gjykuar vetëm si një ndajshtesë e reagimit që qeveritarët e Stambollit mbajtën ndaj fenomenit të nacionalizmit në Ballkan. Historianët perëndimorë që janë marrë me nacionalizmin ballkanik nuk e kanë marrë në konsideratë dokumentacionin historik dhe atë kronikal osman dhe rus, që dëshmojnë se gjysma e dytë e shek. XVIII shënon një periudhë me zhvillime të vrullshme në Ballkan, njohja e të cilave na çon jo vetëm në të dhëna të reja empirike, por edhe në qasje të reja metodologjike, jo vetëm për sa i përket nacionalizmit ballkanik dhe etapave pararendëse të tij, por edhe për sa u përket raporteve fetare dhe çështjeve nacionale në perspektivën gjithëperandorake osmane. Krijimi i bërthamës shtetërore greke në zemër të territoreve të një shteti mysliman (1830) do të shërbente si precedent që do ta ndiqnin edhe popullsitë e tjera të krishtera, të cilat, qoftë me dhimbje, por edhe duke shkaktuar dhimbje, do të dilnin nga sfera myslimane dhe do të hynin në sferën e krishterë të ndikimit politik dhe kulturor.

Duke filluar nga dekadat e fundit të shek. XVIII, interesat e myslimanëve shqiptarë dhe shtetit osman filluan të diferencoheshin. Vendin e interesave thellësisht të përbashkëta fetare dhe perandorake tani po e zinin qëndrimet e kundërta lidhur me të ardhmen e Perandorisë Osmane dhe tokave të banuara nga shqiptarët. Ndërsa turqit osmanë mbanin mbi supe peshën e fatit të perandorisë, shqiptarët filluan të mendonin për të ardhmen e tyre. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shfaqet kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare. Në dekadat e para të shek. XIX, kur i gjithë Ballkani ortodoks po shtronte jo vetëm diplomatikisht, por edhe me armë zgjidhjen e çështjes kombëtare, krahasuar me fqinjët, në rastin shqiptar kemi një specifikë që ka të bëjë me faktin që elita shqiptare e kohës ishte myslimane; pra, fuqia politike, ushtarake dhe ekonomike ishte në duart e elitës myslimane.

Raportet franceze të kohës dëshmojnë se, me rastin e varrimit të trupit pa kokë të Ali Pashës, krerët shqiptarë treguan se ruanin respekt të thellë për prijësin e tyre, te vrasja e tij panë në njëfarë mënyre të ardhmen e tyre të zymtë; kjo vrasje thelloi hendekun mes tyre dhe shtetit osman. Ndaj “revolucioni do të ndodhë patjetër dhe jo shumë vonë”. vijon…

DRITAN EGRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura