‘Macron minoi besimin dhe destabilizoi Ballkanin’, “Financial Times” kritika presidentit francez: Fundosi politikën e zgjerimit të BE

Oct 23, 2019 | 10:22
SHPËRNDAJE

Revista prestigjioze britanike “Financial Times” ka bërë një analizim të situatës në Ballkanin Perëndimor, më veçanërisht në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, pasi ato nuk mundën dot të fillojnë procesin e negociatave me BE-në.

7788658960_emmanuel-macron-a-l-elysee-le-21-mai-2017

“Financial Times” bën përgjegjës Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që sipas saj nuk i ka marrë përsipër rreziqet që mund t’i kanosen këtij rajoni pas një vendimi të tillë.

“Vetoja e Presidentit francez, Emmanuel Macron, kundër hapjes së negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut javën e kaluar, mund të mbahet mend si një gabim historik që dobëson Europën dhe që minon aspiratat e saj për t’u bërë një fuqi gjeopolitike. Me një akt të tillë, Presidenti francez fundosi politikën e zgjerimit të BE-së, duke vendosur për bllokimin e një prej instrumenteve të tij themelore të politikës së jashtme, minoi besimin në premtimet e tij dhe destabilizoi Ballkanin. Jo keq për një punë brenda një nate. Dhe e gjithë kjo, nga një drejtues që pretendon të ilustrojë frymën europiane të solidaritetit dhe bashkëpunimit.

Të dyja vendet e Ballkanit kanë përshkuar një kohë shumë të gjatë dhe një sërë sfidash për të arritur në këtë pikë. Shqipëria u përkul para presionit të BE-së për të kaluar në veting të gjithë gjyqtarët e saj nga një panel i pavarur, ndërsa i dha gjithashtu agjencisë kufitare të BE-së, Frontex-it, qasje në operacionet e Policisë shqiptare në kufi. Maqedonia e Veriut ka shkuar në mënyrë të konsiderueshme më tej, madje edhe duke ndryshuar emrin e saj për të zgjidhur një mosmarrëveshje dydekadëshe me Greqinë, duke tentuar të hapë rrugën e saj për në BE.

Macron dha dy argumente për vendimin e tij për këto dy vende. E para është që BE-ja duhet të forcojë politikat dhe institucionet e saj ekzistuese përpara se të shtojë anëtarë të rinj. E dyta është se procesi i zgjerimit është në vetvete i gabuar në atë që ofron për anëtarët e rinj. Këto janë argumente të vlefshme. BE-ja duhet të rregullojë vendimmarrjen, të forcojë eurozonën dhe shumë gjëra të tjera. Unioni Europian gjithashtu ka nevojë për mekanizma të rinj për t’i mbajtur anëtarët përgjegjës për ruajtjen e standardeve demokratike.

Ajo duhet të sigurojë që aderimi ka më pak lidhje me përmbushjen teknike të kushteve dhe më shumë është i prirur drejt një ndryshimi thelbësor në kulturën e pluralizmit dhe sundimit të ligjit në këto vende. Por nuk ka asnjë arsye pse këto nuk mund të adresohen pasi BE të fillojë negociatat zyrtare të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, një proces që ndoshta do të zgjasë më shumë se një dekadë. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime të thella për krimin e organizuar, korrupsionin dhe sundimin e ligjit, veçanërisht në Shqipëri, mafia e së cilës është bërë e shquar në disa vende të BE-së. Danimarka dhe Holanda gjithashtu kundërshtuan pranimin e Tiranës, duke shprehur rezerva edhe për Shkupin.

Është e vështirë të imagjinohet që zoti Macron të ndryshojë mendimin e tij dhe të shkojë në zgjedhje para votuesve francezë në vitin 2022 me këtë kartë të ndryshuar. Duke mbyllur derën e zgjerimit, Franca lë BE-në pa një kornizë të besueshme për marrëdhëniet me fqinjësinë e saj, jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për vende si Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia, për të cilat anëtarësimi është ende një propozim i largët”, shkruan “Financial Times”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura