Maalouf, “Princi i Asturias” shpjegon “Çoroditjen e botës”

May 23, 2011 | 9:37
SHPËRNDAJE
Shkrimtari Amin Maalouf

“Jam i joshur nga ç’na sjell epoka jonë dhe rri plot vëmendje t’i mësoj shpikjet më të fundit dhe t’i përdor sa më parë në jetën time të përditshme. Jam i ndërgjegjshëm që i takoj, sidomos për sa u përket përparimeve në mjekësi e në informatikë, një brezi fort të privilegjuar në krahasim me gjithë ç’ka qenë më parë. Por nuk mund t’i shijoj i qetë e i patrazuar frytet e modernitetit, po nuk qeshë i sigurt se po kështu do t’i shijojnë edhe brezat e ardhshëm. Mos po e teproj me këto frikërat e mia? Nuk e besoj, për fat të keq”, kështu shprehet në librin e tij “Çoroditja e botës”, botuar nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, fituesi i çmimit “Princi i Asturias 2010”, Amin Maalouf. Bota po shkon drejt një çoroditjeje më të madhe dhe, në disa fusha njëherësh – çoroditje intelektuale, çoroditje financiare, çoroditje klimatike, çoroditje gjeopolitike, çoroditje etike. “Vërtet që herë pas here ndodhin ngjarje të papritshme të dobishme; atëherë fillojmë të besojmë se njerëzit, kur ndodhen në qorrsokak, nga e keqja, si për mrekulli, e gjejnë rrugëdaljen. Por, sakaq, ja ku ndodhin turbullira të tjera, që zbulojnë shtysa njerëzore krejt të ndryshme, më të errëta, më të njohura dhe njeriu nis të pyesë veten nëse lloji njerëzor nuk ka arritur në njëfarë mënyre pragun e paaftësisë morale”. Për Amin Maalouf-in, ky çrregullim i botës më shumë se me “një ndeshje të qytetërimeve”, ka të bëjë me shterjen e njëhershme të qytetërimeve, ose më mirë të themi, të dy prej tyre, që përfaqësohen nga Perëndimi dhe nga bota arabe. I pari, për shkak se s’u qëndron besnik vlerave të veta, e dyta, sepse prej kohe ka hyrë në një qorrsokak.
Shkrimtari me origjinë libaneze, Amin Maalouf, si rezultat i luftës civile në Liban, që nga viti 1975 jeton në Francë. Ndonëse gjuha e tij amtare është arabishtja, që nga ajo kohë Maalouf shkruan në frëngjisht. Vepra e tij është përkthyer në mjaft gjuhë. Në vitin 1993 u shpall fitues i çmimit Goncourt, çmimit letrar më me emër në Francë. Në vitin 2010, fitoi çmimin tjetër prestigjioz, Çmimi i Princit të Asturias për letërsinë, të fituar një vit më parë nga Ismail Kadare. Në shqip, janë përkthyer më parë dy prej veprave të tij, romani “Samarkanda”, dhe eseja “Identitete vrastare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura