Lori Bala, në jurinë e “Miss Universe”: Gjykimi im për bukurinë femërore, parë me syrin e mprehtë të balerinës

| 15:26
SHPËRNDAJE
 

Balerina e njohur e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Lori Bala, ishte ulur kësaj here në panelin e jurisë së propozuar nga produksioni, për të zgjedhur më të bukurën e këtij edicioni të garës “Miss Universe Albania&Kosova”, që pati show-n final të premten në mbrëmje në Tiranë.

Lori, që bie në sy për sharmin e saj skenik, prej vitesh ka qenë një nga figurat kryesore të baletit, që përveç punës si soliste në TKOB, ka marrë pjesë në disa spektakle të rëndësishme të realizuara në televizion, siç është “Dancing with the stars”.

Por në botën e sotme, kur ekzistojnë teori të ndryshme në lidhje me bukurinë origjinale dhe perfeksionin femëror, lind pyetja se si gjykohet e bukura parë me syrin e mprehtë të balerinës profesioniste?

“Panorama Plus” intervistoi Lori Balën, se si e përzgjedh ajo më të bukurën mes dhjetëra vajzave që parakalojnë para saj, në një skenë ku edhe emocionet nuk mungojnë.

“Bukuria në sytë e një balerine? Për mua gjykimi nis me format trupore, për të vazhduar me performancën skenike dhe sigurinë në ecje”, tha Lori për “Panorama Plus”.

Nisur edhe nga eksperienca e saj në skenë, klasi dhe sharmi i saj, producenti i “Miss Universe Albania&Kososo” e përzgjodhi Lorin për të qenë pjesë e panelit e për të përzgjedhur më të bukurën e vitit, që do të përfaqësojë Shqipërinë në garën botërore.

Po kush është Lori Bala dhe karriera e saj? Dihet që është e dhjetëra brezave, e miliona, madje e qindra miliona njerëzve, “Ëndrra në Sirtar” për të realizuar veten në profesionin e dëshiruar. Por jo për të gjithë ai sirtar hapet ose ndodh të hapet dhe të rezultojë një zhgënjim.

Por ky nuk është rasti i Loreta Balës, balerinës së famshme dhe e admiruar tanimë prej vitesh nga publiku i skenës dhe ekranit. Për Lorin fati kishte shkruar me përpikmëri realizmin e ëndrrës së saj, që nis prej kur ishte e vogël.

Ishte vetëm 6 vjeç kur mes dilemash të mëdha të çdo vajze për t’u bërë princeshë, doktoreshë, mësuese, miss apo balerinë, era e pasionit fëmijëror e shtyu në drejtim të kërcimit. Ishte një erë, velat e së cilës i ktheu drejt këtij pasioni edhe babai i saj, duke ndierë përmes intuitës prindërore se Loreta kishte lindur për të qenë një artiste.

Ai ishte mbështetësi më i madh i ëndrrës së saj. Ishte shoku, këshilluesi, shoqëruesi, ishte shpatulla ku vajza do të gjente mbështetjen për të kthyer në realitet atë ëndërr që u shndërrua në pasionin themelor të jetës.

Prej atij momenti, kur këmbët veshën për herë të parë puantet e baletit dhe shkelën mbi parketin e kërcimit, janë me mijëra orë prova, mundime, djersitje, shumë lodhje, por edhe shumë kënaqësi.

Vitet rendën shpejt e sallat e vogla të praktikës u zëvendësuan nga teatrot e mëdhenj profesionalë e me publikun që mbushte llozhat për të ndjekur “Liqenin e Mjelmave”, “Bukuroshen e Fjetur”, “Zhizel” e shumë kryevepra të koreografisë botërore. Loreta Bala kishte prekur ëndrrën dhe tani po e jetonte.

Performanca e jashtëzakonshme dhe niveli i lartë profesional e pozicionuan atë në trupën kryesore të TKOB. Ndërsa koha rendte dhe maturia profesionale rritej, gjeografia profesionale shtohej. Për balerinën e spikatur nisën të vijnë ftesat e koreografëve të trupave prestigjioze.

Koreografi shqiptarofrancez me famë botërore,, Angelin Preljocaj, përzgjodhi Loreta Balën për shfaqjen e përzgjedhur në Pavillon Noir përballë publikut francez. Të njëjtën gjë bëri edhe koreografi izraelit, Barak Marshall, duke i besuar Loretës rolin kryesor në “Monger”.

Ajo vallëzoi në skenat e baletit italian në Como, Pavia, Bergamo, Rovigo, Lecces, Fogias apo Barit. Por edhe teatro të famshëm të baletit në Beograd, Nish etj., ku mjeshtri i skenës, koreografi dhe balerini i famshëm shqiptar, Ilir Kerni, përfshiu në shfaqjet e organizuara prej tij Loreta Balën.

Pasioni për kërcimin klasik është vetëm njëra anë e medaljes së artë profesionale të Lori Balës. Ana tjetër është kërcimi modern. Spektakli i famshëm ku protagonistë janë njerëz të famshëm “Dancing with the stars”, mban ndër të tjera edhe vulën e suksesit dhe shkëlqimit të Loreta Balës, e cila jo vetëm është një nga ikonat e kërcimit në këtë show, por është edhe fituese e edicionit të dytë të tij.

Një karrierë e mbushur me sukses dhe e duartrokitur pa reshtur falë një performance, e cila dikur nisi si një mendim brenda një sirtari dhe më pas u shndërrua në vezullimin e pashtershëm të një margaritari.

/Panoramaplus.al

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.