Lista e punimeve nëpër rrugë, 71 mln euro në vitin 2017

Dec 6, 2016 | 10:58
SHPËRNDAJE

Për vitin 2017 është parashikuar që të realizohet ndërtimi dhe rikonstruksioni i disa projekteve prioritare rrugore. Vlera e këtij investimi llogaritet në rreth 71 milionë euro. Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, projektet janë të shpërndarë në të gjithë territorin e vendit dhe përfshijnë rrugë urbane, lokale, rajonale dhe shëtitore.

rruget

Ndërhyrjet urbane si ato në Pogradec, Peshkopi, Bajram Curri e Vau i Dejës, priten të kenë ndikim në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e këtyre qyteteve, e njëkohësisht do të ndikojnë në përmirësimin e lëvizjes dhe trafikut. Me rëndësi vlerësohen edhe ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore në rajone, si: Pukë, Fushë-Krujë, Durrës, Belsh, Korçë, Shkodër, etj.

Në anën tjetër, po gjatë vitit 2017 do të nisë një tjetër projekt, siç është ai për zhvillimin e integruar urban e turistik. Përmes tij synohet të përmirësohet infrastruktura urbane, të rritet vlera e aseteve dhe të fuqizohen kapacitetet institucionale për zhvillimin e turizmit. Projekti me vlerë 63.8 milionë euro dhe një shtrirje gjashtëvjeçare në kohë do të zhvillohet në qytetet Berat, Gjirokastër, Përmet e Sarandë. Investimet do të përfshijnë përmirësim të hapësirave publike (parqe, sheshe, shëtitore etj.) të rrjeteve rrugore, përkujdesje për fasada apo ndërtesa me domethënie për trashëgiminë kulturore e urbane, përmirësim të destinacioneve turistike dhe aksesit në to, furnizimit me ujë, etj.

Në vitin e ardhshëm pritet të nisë edhe faza e tretë e programit për ndërtimin e ujësjellësve ruralë. Ky projekt me një vlerë prej 39.3 milionë eurosh, që financohet prej KfW, veç ndërtimit të rreth 30 ujësjellësve të rinj do të kontribuojë edhe me realizimin e studimeve të fizibilitetit dhe hartimin e projekteve.

Sa i përket projektit për ndërhyrjet në infrastrukturën publike në Bregdetin e Jugut dhe në zonën e Alpeve, i financuar nga Banka e Këshillit të Europës (CEB), Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe qeveria shqiptare, mbyllja e disbursimit të fondit është parashikuar të bëhet deri më 30 shtator 2019. Në total janë parashikuar 36.7 mln euro përmes të cilave do të realizohen ndërhyrje në rrugët urbane dhe rurale, trotuare dhe sheshe.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura