Lija e majmunëve, regjistrohen tre viktimat e para jashtë Afrikës, në Brazil dhe Spanjë

Jul 31, 2022 | 7:35
SHPËRNDAJE

Brazili dhe Spanja kanë raportuar vdekjet e tyre të para nga lija e majmunëve.

_126021140_gettyimages-1401390462

Sipas BBC, viktima e parë nga virusi jashtë Afrikës, në Brazil është një burrë 41-vjeçar. Ndërsa Spanja njoftoi dy vdekje menjëherë më pas, duke u bërë shteti i parë në Evropë që regjistron fatalitete.

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli shpërthimin e lisë së majmunëve një emergjencë globale shëndetësore.

Por sipas ekspertëve, infeksionet nga ky virus janë zakonisht të lehta dhe rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët.

Të premten, ministria e shëndetësisë e Brazilit tha se viktima kishte një sistem imun të dobësët dhe vuante nga limfoma.

Brazili deri më tani ka raportuar 1,066 raste të konfirmuara dhe 513 raste të dyshuara të virusit. Të dhënat nga ministria e shëndetësisë e Brazilit tregojnë se më shumë se 98% e rasteve të konfirmuara ishin te meshkuj që kryenin marrëdhënie seksuale me meshkuj.

Menjëherë pas kësaj, ministria e shëndetësisë e Spanjës konfirmoi vdekjen e parë në Evropë nga virusi, një pacient që vuante nga encefaliti.

Një vdekje e dytë e lidhur me linë e majmunëve u konfirmua nga autoritetet spanjolle të shtunën.

Ministria e Shëndetësisë e Spanjës tha se nga 3,750 pacientë me linë e majmunit, 120 ose 3.2% ishin shtruar në spital.

Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, deri tani janë 21,148 raste në mbarë botën.

Zyrtarët shëndetësorë po rekomandojnë që njerëzve në rrezik më të lartë të ekspozimit ndaj virusit – duke përfshirë meshkujt homoseksualë dhe biseksualë, si dhe disa punonjës të kujdesit shëndetësor – duhet të marrin një vaksinë.

Javën e kaluar, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shpallja e shpërthimit një emergjencë globale shëndetësore do të ndihmonte në përshpejtimin e zhvillimit të vaksinave dhe zbatimin e masave për të kufizuar përhapjen e virusit.

Dr Tedros tha se rreziku i lisë së majmunëve është i moderuar globalisht, por i lartë në Evropë.

Por, shtoi ai, “ky është një shpërthim që mund të ndalet me strategjitë e duhura në grupet e duhura”.

OBSH po lëshon rekomandime, të cilat shpreson se do të nxisin vendet të ndërmarrin veprime për të ndaluar transmetimin e virusit dhe për të mbrojtur ata që janë më të rrezikuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura