Ligji i ri, Nikolla: Paratë e taksapaguesve, jo te privatët

Jul 2, 2015 | 12:18
SHPËRNDAJE

Ministrja Lindita Nikolla

Projektligji për arsimin e lartë u miratua dje në parim nga Komisioni për Çështjet ligjore. Mosprania e komisionerëve të djathtë në Komision nuk anashkaloi debatin mbi risitë që sjell ligji në arsim. Shqetësimet kryesore u hasën mbi tarifat e shkollimit, skemën e financimit apo kreditimin e studentëve. Duke e cilësuar reformën më të papolitizuar në 20 vitet e fundit, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla bëri të qartë se asnjë para e taksapaguesve shqiptarë nuk do të shkojë te privati. “Çdo gjë që lidhet me skemën e financimit ka referencë institucionet e arsimit të lartë publik. Ka diversifikim të burimeve publike e private për të shëndoshur institucionet tona të arsimit.” Sa i takon tarifës së shkollimit, ministrja përsëriti se kjo kompetencë u kalon universiteteve. Por këto të fundit nuk mund të abuzojnë, pasi Ministria do të vendosë një tarifë tavan, e cila nuk mund të kalohet. Sipas ministres, ligji i ri ka lindur si një nevojë për të vendosur rregull në zhvillimet kaotike në arsim, vendosjen e standardit të besueshëm të cilësisë së mësimdhënies e kërkimit shkencor, diversifikimin e burimeve të financimit të arsimit të lartë e të tjera. 

DISKUTIMI

Kapitulli 12, që parashikon krijimin e institucionit publik të pavarur, ishte një ndër pikat e shumta që u diskutuan në Komision. Shqetësimi kryesor i komisionerëve ishte statusi dhe financimi i këtyre institucioneve nga fonde publike. “Pse ka lindur nevoja për një institucion të tillë dhe cili është modeli nga e keni marrë? Nuk e kam të qartë në ligj nëse parashikohet që kreditë studentore apo financimi do të përfshijë edhe këto institucione”, citoi deputetja Vasilika Hysi. Në përgjigje të këtyre pyetjeve, ministrja e cilësoi krijimin e këtyre institucioneve një risi që nuk i imponohet asnjërit prej tyre dhe që i shërben vetëm një të mire, arsimit publik. “Ky ligj nuk i detyron Institucionet e Arsimit të Lartë të kthehen në Institucione të Arsimit të Lartë të Publik të Pavarur (IALPP). Ky është një nocion inovator dhe një mundësi e re për çdo institucion, i cili pas një seti të përcaktuar rregullash do të mund të kërkojë të kthehet në IALPP, ku moment i rëndësishëm është heqja dorë nga fitimi.

Vetëm pasi ka hequr dorë nga fitimi, IAL mund të fillojë të funksionojë si Institucion i Arsimit të Lartë Publik i Pavarur. Është një mundësi, një derë e hapur dhe jo një detyrim ligjor.” Skema e re e financimit me bazë performancën nuk do të sjellë dobi vetëm tek universitetet shtetërore, por edhe të studentëve të tij. “Ligji u gjendet pranë studentëve në nevojë, duke krijuar një fond të posaçëm bursash për gjithë kategoritë që për pamundësi financiare nuk ndjekin sot studimet, për studentët që ndjekin degë me prioritet kombëtar dhe për ekselentët. Financojmë për studentët në nevojë, aty ku ka nevojë më shumë shoqëria dhe aty ku gjenerohet ekselenca”, nënvizoi ministrja, duke theksuar sërish se çdo gjë që thuhet në ligj, ka referencë vetëm institucionet publike. Në lidhje me kërkimin shkencor, ndryshimi që ligji i ri sjell, mundëson që ai të jetë një tregues i rëndësishëm i matjes së cilësisë dhe shndërrohet në një kriter të rëndë- sishëm për financimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura