Libri i Maks Velos/ “Prostitutat rikthehen në Karavasta pas largimit në ‘90”

Sep 19, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Maks Velo e kishte quajtur Mesas fshatin Adriatik midis Lushnjës dhe Fierit, që e frymëzoi për të shkruar novelën “Kafe Karavasta”. Në fakt, ai nuk ka as emër, nuk ka pse të ketë emër, sado që ka se kë të përfaqësojë. Është kufizuar diku hapësira për të mbledhur një grusht njerëzish, dikur të bashkuar nëpër biruca, sot të lënë në rrugë, në një birucë ca më të madhe. Nuk se të bie ndonjëherë rruga andej, në mos rastësisht. As Maksi nuk do ta kishte zbuluar nëse një ditë nuk do të kishte vendosur që bashkë me Bujar Hudhrin të vizitonte fshatin, ku dikur e patën çuar Ismail Kadarenë pas vërejtjes që i bënë.

Maks Velo
Maks Velo

Nuk është fare nevoja të merremi me interesin e Maksit ndaj kësaj gërmadhe që i zunë sytë. Jo se i bënë përshtypje ato pak pallate, u kuriozua për historitë që jetonin brenda tyre. Dikur kishin jetuar si ai vetë, nëpër burgje. Por ndërsa Velo i ishte rikthyer kryeqytetit, këta njerëz–hije shkonin e vinin në një copë rrugë, uleshin nën një hije, i shtynin me këmbë një kockë një qeni dhe e shumta uleshin aty… te kafja. E vetmja kafe e asaj copë toke të plasaritur nga padobia. “Baraka e kafenesë ishte e veçuar si një lumturi e trishtuar. Heshtja në qiell ishte e rëndë me një hije gri të ndarë me shirita. Një qen i vetmuar që vinte rrotull ishte paqësor dhe grumbullonte e lëpinte kockat që hidhnin njerëzit, por kamerieri dilte papritmas dhe e gjuante me një hu që e mbante përskaj derës. Qeni angullinte, vraponte, kapërcente kanalin, por pas dhjetë minutash kthehej prapë.

Toka ishte e errët me një përzierje ngjyrash kafe të errët, të zezë plumbi dhe një grije të shndritshme që ishte krijuar nga mineralet e thara të kripës. Këneta ishte tharë nga të burgosurit në vitet pesëdhjetë, kishte dyzet vjet, po ishte e pashfrytëzueshme se nuk mbinte asgjë”. Gjithë kësaj atmosfere, Maks Velo i është rikthyer sërish! Novela e disa viteve më parë, “Kafe Karavasta”, do të plotësohet së shpejti me një pjesë të dytë. Novela u rikthye në vëmendjen e medias disa muaj më parë, pasi doli filmi me regji të Iris Elezit, “Bota”. Përkimet e filmit me novelën, akuzat e Maks Velos për vjedhje që nuk morën asnjëherë përgjigje nga regjisorja, e nxitën autorin t’i rikthehej edhe një herë librit. Zhvillimet dhe personazhet e rinj, sikundër në pjesën e parë të librit, janë të gjitha të marra nga ngjarje e personazhe konkretë!

Kemi shkëputur më poshtë vetëm dy prej historive. Njëra është një ngjarje e bujshme e Tiranës së viteve ’50-të, ndërsa vijimi, pa dhënë të dhëna konkrete emrash, është realiteti që njohim të gjithë, me personazhe nga vendi të cilit i referohet. Andrea, siç lexuesit e “Kafe Karavasta” kanë kuptuar, është autori!

Pjesë nga libri i pabotuar Ditari i Andreas.

Historia e Rikardit, djalit që u kthye nga Amerika për t’u burgosur e vetëvrarë

Kujtimet më vijnë rrotull si në një karuzel. Ikin, largohen, pastaj papritur më dalin përpara dhe nuk lëvizin.

Shumicën e tyre e shoh si një film bardhezi, me figura që lëvizin, por pa zë. Ka personazhe të tjera, të cilave u dëgjoj vetëm zërin, por figurën nuk e dalloj dot. Ka edhe raste si ky i Richard Rich-it që më bëhen vetëm si silueta gri, as nuk lëviz e as nuk flet. E ëma, një bukuroshe korçare që shkëlqente dhe prezantonte një premtim lumturie të pafund, vajzë e re, u martua me një amerikan, zotin Richi, në vitet 1930.

Nuk e kam të saktë ish-amerikani në Korçë apo kjo ish në familjarët e saj në Amerikë! Lindën një djalë, Richardin (Rikardin). Me sa duket e lodhi amerikanin, lodhi edhe veten e saj, (le ta quajmë lodhje moskuptimin midis dy personave). Vendos të kthehet në Korçë. Me sa duket, ajo mbante mend Korçën e serenatave, të ballove në bashki, të Pashkëve dhe të Krishtlindjeve, të Karnavaleve dhe festave në manastire. Ishte viti 1950. Në fillim jetuan në Korçë, pastaj u nisën për në Tiranë. Banonin në një shtëpi njëkatëshe karshi maternitetit.

1402397644419

Para derës ish një shesh i vogël, ku djemtë e lagjes loznin me top prej lecke. Rikardi tani ish pesëmbëdhjetë vjeç, por rinte i veçuar dhe shqipen nuk e fliste mirë. Studionte piano dhe praktikohej gjatë, kjo i bënte të pakënaqur fqinjët. Kishte zakone amerikane, në verë rinte me pantallona të shkurtra, flokët e zinj i krihte djathtas. Ecte me hap të vendosur, nuk shikonte njeri në rrugë, shtrëngonte në duar partiturat e pianos kur shkonte për mësim. Fëmijët e tallnin, filluan të flasin se ishte homoseksual.

E ëma vajti në autoritet, si një qytetare amerikane kërkoi të kthehej prapë në Amerikë. Atëherë arrestuan Rikardin, e dënuan për agjitacion propagandë. Në vitin 1963 punonte në kampin e Rrëshenit, aty e gjeti Robert Vullkani. Mbaroi burgun, u lirua. I kishte hyrë tmerri, rrinte i mbyllur brenda. E arrestuan prapë, këtë herë me nenin e parazitizmit se nuk donte të punonte.

Vdiq në burgun ordiner apo u lirua, këtu për mua fillon një errësirë… Kreu vetëvrasje, preu damarët, vari veten apo e vranë në galeri, e mbytën në krevat?! Nuk jam i qartë, nuk kam mundur ta sqaroj! E ëma u vesh në të zeza, u tha ngadalë si një pemë e prerë.

Ditari i Andreas.

Seksi si shpëtimi i botës

Futem në autobus, në xhamin e majtë ishte një vajzë me fytyrën dhe shikimin jashtë. Kish qafë e shpatulla të bukura, lëkurë të bardhë, një bishtalec të lidhur. Fytyrën nuk po ia shihja dot akoma. Duhet të ish e bukur! Dhe ashtu doli vërtet! Autobusi ndaloi në stacion. Kur po zbrisnim, i lirova rrugë dhe i buzëqesha. Zbriti e para, ndaloi pak, eci ngadalë dhe më foli…

-Të njoh… po më shihje gjatë gjithë rrugës!

Mbeta i hutuar!

-Po, nuk e dija që qenke kaq e hijshme!

Kanë një shqisë të veçantë që meshkujve i mungon. Kapin në ajër çdo vështrim që iu drejtohet, çdo mendim që ke për to. I deshifrojnë pa u gabuar, sidomos kur të bëjnë përshtypje ose kur të magjepsin. Kanë një shqisë të pestë.

-Një seks, apo tërë botën…?

-Nuk kuptoj, ç’do të thuash?!

-Po ja, dua ta di prej teje se s’kam bërë sefte… pse është si magnet?

Sikur të të thoshin o seksin, o botën, kë do të zgjidhje?

Dua të them o tërë botën shëtisje, të ishe i pasur, por ama si eunuk… të mos shijoje asnjëherë një marrëdhënie seksuale…, kë do të zgjidhje?

Aktorja Flonja Kodheli në filmin “Bota”, xhiruar në Karavasta
Aktorja Flonja Kodheli në filmin “Bota”, xhiruar në Karavasta

-Sigurisht seksin e femrës pa u menduar fare, se seksi është bota e tërë. Bota e tërë nuk e zëvendëson atë. Dhe kur vjen në moshën time, e vetmja gjë që të mundon janë rastet që kishe mundësi dhe i neglizhove, nuk i përfundove. Të bëhen si një top i zjarrtë që më del parasysh dhe nuk më largohet. Tërë eksperiencat seksuale të duken një… dy femra, më të bukurat, më kanë pyetur pas aktit se çfarë ndjeva… si t’u duk më thanë… o, u përgjigja, si në qiell…, asnjëherë më parë nuk kam pasur një kënaqësi të tillë… u kënaqën… këtë donin… një vlerësim mbi të tjerat!

Kurse një grua e mençur e hapur dhe e sinqertë më tha: “Dëgjo, që kur e kam bërë për herë të parë, aty e kam mendjen”. Mirela çeli një butik, e bleu dyqanin, e ka mbushur me tualete: parfume të kuq buzësh, kremra, bojë flokësh… i solli me një kamionçinë nga trageti.

Po kush do t’i blejë moj?…

-E ke gabim, e di si tha… atje hapa shalët, këtu do të hap dyqanin se u lodha. Tani do të bëhem biznesmene. Janë dhjetë fshatra rrotull… do të vijnë të blejnë… se tani, që ta dish, meshkujt më parë të nuhasin… i duan me erëra të mira… është shtuar konkurrenca se aty poshtë njëlloj është të thonë…

-Do të bëjmë një party, do të mbledhim shoqërinë këtu te kafeneja, lajmërova orkestrën e Lushnjës, Hyrkën se ata lozin tallave…

-Po me ç’rast kjo? -E po me sa duket nuk e ke marrë vesh, na martohet Luli me Pëllumbin… do të shkojnë në Greqi.

-A na lejojnë?

-Kush moj të mos na lejojë, kur marrin ato çeqet tona me postë ju vjen mirë?! Ke parë të protestojë njeri? Hiç mos ki gajle! Ne jemi stare! Lufta bëhet atje në trotuaret, por si ne s’ka se sa për këta këtej kafeneve rrinë gjithë ditën. Europën e pushtuam ne! Lavdia e Karavastasë jemi ne se këta nuk i njeh njeri… mua më vijnë, më kërkojnë me emër… ku është ajo Xhani thonë?!

Ama i kënaq! Orkestra mbaroi këngën “Moj sulltaneshë moj”. Vajzat u ulën nëpër vendet.

-Moj Mira, se ti je e kënduar… ç’është kjo fjala që e kam dëgjuar këto ditë moj dhe nuk e di?!

-Ç’fjalë moj Zenepe?!

-Tranzicioni!

-Po si të ta shpjegoj… atje në aeroport ke lexuar tranzit, pra kalimtare, afroje veshin të mos na dëgjojnë… tranzicioni do të thotë të ta bëjnë nga mbrapa.

-Si?! Vërtet?!

E që ta dish s’kam lënë njeri të ma bëjë nga mbrapa… madje kam humbur goxha lekë, por s’kam pranuar!

Pra, kjo qenka?!

Prandaj e kanë kaq inat moj, s’paskan faj! Po s’i dihet, mos lavdërohem kot… se një ditë edhe mund të pranoj… me moshë edhe mund ta pranoj tranzicionin. Edhe këta të shkretë, s’kanë nga venë…, por e kaluan tranzicionin ama…

-E ke gabim, nuk e kanë kaluar akoma, vazhdon, s’i dihet kur do të mbarojë… se ka edhe tranzicion pa fund… kur ta mban gjatë brenda! Orkestra filloi: Lalë i Karavastasë/ si zogu pa fole/ vërtitesh te pylli me pisha/ të gjuash një nga ne…

-Aj gëzuar… me fund!

-Gëzuar… sikur jemi zënë një herë bashkë?!

-E mbaj mend, në autostradën e Torinos! -Ti ule çmimin.

-S’e kisha fajin unë… -E di, e di, ai Bajram Shëllira.

-,Jo po që ta dish unë nuk e ul pazarin, ata pepinot çmenden pas meje…, ku është ajo femra thonë?!

-Dhe unë aq e kam, 50 euro ora, 100 në motel.

-Ë mo ju të orkestrës, si shumë e zgjatët pushimin! Duam atë këngën korçare “Kur fërkohen bythkat e tua” atë, atë duam….

Orkestra: “Fieri mbuloi luadhet tatëpjetë/ leshi kaçurrel ngritur përpjetë/ o të putha vendinë/ në majë të Shëndëllisë/ kur fërkohen bythkat e tua/ motori ndizet vetiu/ lumturia jote kërcet si zjarri/ me dëllinjë/ në krroi pandesë/ në errësitë do të t’i lëpijë shalëtë/ si krikllën e birrës…

Vajzat duartrokitën pa pushim.

-Ka pirë tri gota, shiko si kërcen!

-Po këto mo e shpëtuan Shqipërinë, se përpara thoshim të puthsha në ballë, tani themi të puthsha atë seksin e fermës… është markë e cilësisë së lartë! Enveri donte të përhapte marksizmin, por s’e bëri dot… kot mo…

Këto e bënë të njohur Shqipërinë! Se po shkove një herë me njërën, nuk e harron vendin e tyre, u bë me pionierët e Enverit! Kurvat janë e vetmja organizatë e vullnetarëve pa kufi, e vërtetë! Ato nuk njohin raca, besime, grada, tituj, shtetësi… Janë e vetmja demokraci e vërtetë! Është i vetmi parlament, ku meshkujt shkojnë pa pasur nevojë të zgjidhen! Vetëm aty populli mashkullor rrëfehet pa hipokrizi, rrëfehet me të vërtetë.

Kurvat vendosin barazi dhe drejtësi, nuk janë si gjykatat tona! Kurvat janë të vetmet që sjellin mirësinë e munguar. Vepra shëruese e kurvave nuk krahasohet me asnjë tjetër, ajo shtrihet në shekuj, mbuloi tërë hapësirën tokësore! Trupi i tyre është libri që nuk ka për t’u lexuar kurrë! Është i vetmi korpus i pashkruar. Është sekreti i madh i historisë njerëzore!

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura