LIBRI/ Gjithçka që duhet të dini përpara se të merrni një qen

Sep 21, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ky libër i kushtohet kafshës që kujtojmë se njohim më mirë se gjithë të tjerat, por për të cilën ka ende shumë për të mësuar! Libri është një manual mbi mirëqenien e qenit; ju shpjegon si të kujdeseni për të dhe ju tregon mënyrën më të mirë për të gëzuar shoqërinë e tij. Është themelor si për ata që kanë qen, ashtu edhe për ata që kanë ndër mend të adoptojnë një të tillë.

qeni

Qenin e adoptojmë që të kemi një shok e jo një skllav. Pretendojmë të jenë të dashur si fëmijët, ndërkohë që i duam autonomë si të rriturit, duam të na bëjnë shoqëri kur kemi nevojë, por të jenë “të padukshëm” në pjesën tjetër të ditës; i duam të jenë të shëndetshëm e të zotët për gjithçka, ndonëse i kemi marrë që të na kënaqin, e të jenë bukuroshë lozonjarë…

Sa shumë pretendojmë prej tij! Dhe mirë bëjmë… Qeni përmbush të gjitha kërkesat tona. A nuk është miku ynë më i mirë?! Por, përse duhet ky libër? Për të folur për qenin; si jeton, për çfarë ka nevojë si dhe çfarë “mendon”. Për të folur për raportin njeri-qen: si të krijoni një marrëdhënie sa më të fuqishme me të; si të përmirësoni raportin me qenin; si të jeni shokë më të mirë për të!

Te libri “Qeni im”, përgatitur nga Doris Bytyçi Cerga, do të gjeni këshilla për ushqimin, lindjen-plakjen, edukimin e stërvitjen e qenit, këshilla për rritjen e këlyshëve, sterilizimin e tyre, këshilla për zgjedhjen e qenit, blerjen apo adoptimin e tij nga streha e kafshëve. Të njohësh qenin do të thotë të ballafaqohesh me një identitet tjetër, të ndryshëm nga yni. Takimi i njeriut me qenin ndryshoi domosdoshmërish nga të dyja palët, kështu që të studiosh identitetin e qenit, është njëkohësisht edhe një mënyrë për të kuptuar diçka më shumë rreth qenies njerëzore!

Në këto faqe do të gjeni informacionin rreth historisë së qenit, nga origjina e deri në ditë tona, ndonjë kuriozitet mbi raportin e njeriut me qenin, një raport vërtet unik e special, që e bën qenin mikun tonë më të mirë, histori qensh të famshëm të historisë dhe aforizma për qenin. Në çastin që hyn në shtëpinë tonë, qeni bëhet pjesëtar i familjes, e si i tillë, ka të drejtën të jetojë bashkë me ne një jetë të qetë e dinjitoze.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura