“Leximi në rënie drastike”, flet kreu i Shoqatës së Botuesve: Shifrat tona si të INSTAT

Nov 16, 2018 | 12:17
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Leximi ka rënë në mënyrë drastike. Rezultatet e INSTAT, që 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar gjatë vitit të kaluar asnjë libër, përputhen dhe me rezultatin e anketimeve të bëra nga Shoqata e Botuesve”.

44258723_1838299056253462_3001948145790746624_n

Kështu u shpreh dje, në ceremoninë e hapjes së edicionit të 21-të Panairit të Librit, i cili prej vitesh tashmë zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri. Nisur nga këto rezultat, edhe tema që do të përfshijë ditët e Panairit do të jetë pikërisht “Sfidat e leximit”. “Tema e këtij panairi është leximi. Ndoshta edhe të shtyrë nga diskutimet e shumta, që janë bërë pas anketimeve të INSTAT dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë për rënien drastike të leximit. Ju e dini konkluzionin e INSTAT se rreth 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër në kuadër të një viti.

46134626_1873231872760180_8251312803378364416_n

Ky rezultat i anketimit të INSTAT ka shkuar pak a shumë në të njëjtën vijë edhe me rezultatet e anketimeve që kemi bërë ne, me një tjetër metodologji. Leximi ka rënë në mënyrë drastike dhe arsyet janë të shumta, sociale, ekonomike, psikologjike apo arsimore. Prandaj, kemi zgjedhur këtë temë dhe në valën e kësaj teme ka edhe shumë aktivitete që lidhen me leximin”, tha Ymeri. Në praninë e botuesve, shkrimtarëve e përkthyesve të pranishëm në ceremoni, Ymeri bëri thirrje për bashkëpunim të të gjitha institucioneve për të dalë nga kriza e leximit. Ai përmendi disa nisma pozitive të ndërmarra nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit për nxitjen e leximit, por edhe për pasurimin e bibliotekave publike.

46355516_1873228459427188_383984004841340928_n

“Është detyrë e shtetit t’u sigurojë të rinjve libra në bibliotekat publike. Prej vitit 2012 nuk ka pasur asnjë pasurim të bibliotekave të shkollave. Këtë vit po shohim disa lëvizje”, tha Ymeri. “Ministria e Kulturës ka një pikëvështrim të qartë për punët me librit, por ne theksojmë që duhet punuar akoma më shumë për rritjen e buxheteve dhe përqendrimin e tyre, qofshin edhe ato lokale, për bibliotekat provinciale sidomos. Një detyrim i Ministrisë së Kulturës është që së bashku me ne të këmbëngulim për të ulur në minimumin e vendeve europiane TVSH mbi librin, e cila është anormale dhe shumë e lartë. Kërkojmë që të jetë në kufirin 4-6 % dhe me cikël të mbyllur”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Botuesve, duke iu rikthyer edhe një herë një problemi të kahershëm që shqetëson botuesit, që është TVSH-ja mbi librin, që vazhdon të jetë në masën 20%”.

46285326_1873231752760192_6715186869149106176_n

Në vijim të temës mbi leximin, sot Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë konferencën “Sfidat e leximit sot! Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”, në një panel diskutimi me botues, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave, përkthyes etj. për të shkëmbyer mendime rreth promovimit të leximit dhe edukimit të lexuesve, fëmijë dhe të rinj. Edhe këtë vit, në Panairin e Librit marrin pjesë të njëjtat shtëpi botuese, duke përfshirë edhe disa të reja nga Maqedonia e Mali i Zi, institucione të angazhuara me botimin e librit, organizata jofitimprurëse që merren me librin, ambasada të huaja, por edhe librari, madje edhe ato që funksionojnë virtualisht.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura