Letërkëmbimi/ Dorëshkrimi i Enverit: Gratë e Bllokut zihen për mustaqet e Çelos (FOTO)

May 12, 2015 | 10:25
SHPËRNDAJE

S’u mjaftonte parajsa në Bllokun e famshëm, por aspironin përherë diçka më tepër në raport me njëra-tjetrën dhe hierarkinë e burrave në piramidën e Partisë dhe të shtetit.

 Smira dhe xhelozitë e grave të liderëve komunistë kanë qenë mistere të panjohura, jo vetëm për publikun e thjeshtë, por edhe për pjesën tjetër të nomenklaturës që jetonte jashtë oazit përrallor të udhëheqjes. Ajo që fshihej për të tjerët, si shumëçka prej ndodhive të “gjigant-bunkerit” në mes të Tiranës, s’mund t’i shpëtonte kreut të regjimit, krijuesit të vetë Bllokut, që mbretëroi si i tillë për gjysmë shekulli. Sado të kamufloheshin prapësitë si kjo pagrykësia e zonjave hijerënda, në një mënyrë apo një tjetër do të vinin në veshin e tij. Pavarësisht se Hoxha s’i përmendi kurrë zyrtarisht të tilla sjellje, për arsye të kuptueshme, një pjesë e tyre kanë lënë gjurmë në dorëshkrimet e tij konfidenciale të rezervuara me siglën “Tepër sekret”. Nga moria e tyre “Panorama” publikon sot një korrespodencë të Enverit me dy nga gratë e fuqishme të udhëheqjes komuniste, të cilat pas një grindjeje vulgare kërkojnë ndërhyrjen e tij për të penalizuar njëra-tjetrën. Sfondi i intrigës së radhës ka në qendër qejfmbetjet nga një vizitë kortezie në Kinën e largët në vjeshtën e vitit 1974. Vito Kapo, gruaja e numrit dy të Partisë, asokohe kryetare e Bashkimit të Grave, e pakënaqur nga emërtesa partiake që e ka privuar nga e drejta për të kryesuar delegacionin që vizitoi Pekinin, vë në dijeni shefin e Partisë nëpërmjet një letre konfidenciale për dobësitë e gabimet parimore që janë konstatuar në takimet me zyrtarët e lartë kinezë. Sakaq, Eleni Pashko, gruaja e Josif Pashkos, ish-zyrtare e lartë e qeverisë komuniste, në letrën që i drejton Hoxhës dy ditë më vonë adreson një mori ankesash për Kapon, e cila pa asnjë shkak e ka vlerësuar të padobishëm rolin e saj në kryesimin e delegacionit. Më poshtë zbardhim të plotë tekstin e letrave dhe shënimin e Enverit me shijen që ka provuar nga kotësia e argumenteve të dy shoqeve të besuara që zihen për “mustaqet e Çelos” dhe merren me cikërrima e gjëra të kota, që s’u kanë hije”…

LETRA E VITO KAPOS

Shoku Ramiz,

Dje mblodhëm delegacionin e BGSH që u kthye nga vizita në RP të Kinës. Diskutuam bashkërisht raportin përfundimtar. U kërkova vërejtjet mbi realizimin e objektivave, mbi përgatitjen, përbërjen etj. U bënë vërejtje për një caktim më në kohë të pjesëtarëve të delegacionit që të përgatiten, për materialet që duhet të njohin etj. Meqë raporti ishte punuar duar-duar nga disa shoqe, bëra vërejtje për shtesa ose heqje çështjesh. Shoqja Eleni Pashko që e kishte shkruar vetë një kopje të raportit u shpreh: “Në Kinë na pyetën për shoqen Vito Kapo dhe na thanë se i kishte marrë malli për të; u interesuan si shkon me punë”. Eleni nuk ishte dakord me konkluzionin e shkruar në raport, ku thuhej se shoqet kineze gjatë takimeve kishin krijuar përshtypjen sikur donin që në krye të delegacionit të ishte shoqja Vito. Kjo,- tha Eleni, do të thotë që delegacioni nuk u kryesua mirë. Këtu ndërhyra dhe u shpreha se nuk është çështja e Vitos, por në qoftë se duhet bërë ndonjë sugjerim për delegacionet e kësaj kategorie, sidomos nga organizatat e masave (u përpoqa të shpjegoj gjerë që të mos krijohej asnjë përshtypje se unë qenkam superiore nga Eleni), duke theksuar rëndësinë e titullarëve gjatë vizitave në botën e jashtme. Shoqja Eleni tha se neve nuk e kuptojmë një gjë të tillë.

Përveç këtyre vërejtjeve për raportin u kërkuan shpjegime edhe për këto çështje: Shoqja Nurie Bushgjoka tha: Sikur nuk dolëm shumë të qarta nga takimi me anëtarin e Byrosë Politike, Te Ngu El, për faktin se ai na pyeti ku është tani Koçi Xoxe dhe Panajot Plaku (?!)etj. Po ashtu,- shtoi ajo, shoqja Eleni, gjatë darkës me Gen Biao, kishte zmadhuar rolin e ndihmës së Kinës për vendin tonë, duke pohuar se ai është vendimtar për Shqipërinë. Unë ndërhyra dhe thashë se duhet të ketë qenë një gabim të foluri, një lapsus dhe shoqja Eleni e aprovoi.

Në fund unë theksova se duhej të kishit insistuar për disa probleme të emancipimit të gruas, të punës me grupmoshat e ndryshme të grave, të marrëdhënieve me jashtë e sidomos me OKB-në. Po ashtu e quajta me vend të theksoj mendimin tim mbi takimin me Çi Te Nguci sepse dhe shoqja Eleni më kishte thënë që atje sikur s’u ndanë mirë, dolën pak të nervozuara. Theksova se mbase nuk ishte e drejtë pyetja: Ku është tani Koçi Xoxe e Pananjot Plaku? Ndërkaq, tërhoqa vëmendjen për ta vlerësuar më mirë atë që u kishte thënë Te Ngu Eli lidhur me dokumentet që iu gjetën në çantë Lin Biaos për Liri Belishovën, për të cilat nuk i ishte thënë as ambasadorit. Dhe në fund e quajta me vend kritikën e bërë për paraqitjen jo të mirë të informacionit mbi punën e delegacionit në kryesi.

Sa mbarova këto vërejtje, sh. Eleni m’u hodh mua me një breshëri fjalësh duke thënë “S’është e vërtetë, mua shumë shoqe më thanë se fole shumë mirë, se e kryesove mirë delegacionin”. I përmenda vërejtjen time në fund të mbledhjes dhe meqë insistonte, i argumentova një nga një dobësitë që kishte treguar në delegacion:

1-Nuk fole për sukseset e popullit dhe të grave kineze.

2-Doje të flisje për miqësinë, nuk tregove fakte, fole për pritje, thirrje dhe në fund the pritja qe shumë e mirë, por mos kujtoni se u pritëm si disa me popull e me gonge, që mbase i keni parë dhe në televizor. Kujt i duhej ky krahasim? Ç’kuptim ka?

3-Pse nuk e shkrove në raport interesimin e shokëve kinezë për shëndetin e udhëheqjes, për shokët kryesorë të Partisë e të qeverisë, që të nxirrej edhe ndonjë konkluzion në shërbim të lidhjeve të ngushta që ekzistojnë midis vendeve tona.

4-Çfarë rëndësie kishte për kryesinë që t’i thoshe se ata nuk na i treguan konceptet për familjen, ose ata thoshin që gruaja merr pjesë në të gjitha punët, por ne pamë që në ndërtim kishte pak gra dhe kur ua përmendëm e pranuan dhe e lidhën me pikëpamjen e Konfucit që po të marrë pjesë gruaja në ndërtim prishet shtëpia.

5-Nga tërë eksperienca e RP të Kinës ngrite çështjen se atje e kuptuam çdo të thotë të mbështetesh në forcat e veta. Se pati një ndërmarrje që ish ngritur me forcat e veta pa asnjë ndihmë. “Kurse te ne kuptohet me ndihmën e ndërmarrjeve të tjera”.

Përsëri, shoqja Eleni theksoi se në këtë mënyrë u mohua dhe u nxi tërë puna e delegacionit.

Diskutimi përfundoi me një gjendje nervozuese të shoqes Eleni. Çështja nuk mbaroi me kaq. Sot, shoqja Eleni më kërkoi takim. E prita menjëherë. Më tha se nuk më ka zënë gjumi për akuzat, se ato kanë karakter politik, se ti këtë punë e bëre për të nxirë e mohuar punën time. E bëre nga inati që ke për mua. Ti doje të shkoje vetë në Kinë, prandaj nuk i hoqe nga raporti fjalët që na thanë për ty aty. Unë do t’i them këto në raport dhe raportin do ta firmos vetëm unë.

Pasi e lashë të mbarojë, i thashë të dëgjojë e të mos nxehet si dje që s’la njeri të fliste, por ndërhynte me nervozizëm.

 Të dëgjova, më dëgjo!- i thashë.

I theksova se ti shoqja Eleni duket se nuk pranon kritikë dhe nuk nxjerr mësime nga jeta e Partisë. Po nuk dhamë ne shembullin, si do flasin të tjerat?! Unë pranova të metat dhe në drejtim të përgatitjes së delegacionit, por duke menduar për ty nuk e thirra delegacionin për të nxjerrë përgjegjësinë tënde. Pranova sentimentalizmin dhe nuk kontrollova. Ti shoqja Eleni s’ke mendim të mirë për mua, do t’i ruash ato ruaji, unë fola para delegacionit, po deshe vëri edhe në raport. Për sa i takon argumentit për informacionin e dobët që bëre në kryesi, ti i pranon si fakte, por mendon se s’tregojnë ndonjë dobësi. Le të gjykojë KQ i Partisë.

Në këtë kohë kërkoi të ballafaqohet me shoqet e delegacionit. I thirra dhe bëmë ballafaqimin. Ato përsëritën vërejtjet e mia për Elenin. Atëherë unë mora shkas e sqarova shoqet se pse ka ardhur shoqja Eleni dhe si e konsideron ajo qëndrimin tim të djeshëm.

Shoqet i thanë që u nxehe, s’dite të mbash gjakftohtësi, kërkove vetë gjëra të kota. Raporti duhet të jetë në emër të delegacionit dhe jo vetëm mendimet e tua. Mosmarrëveshja na dëshpëroi.

Shoku Ramiz.

Ju shkrova me hollësi për këtë ndodhi. Para mbledhjes së delegacionit, shoqet më thanë që mëse dy herë, shoqja Eleni është shprehur në Kinë: “S’bëjmë dot pa ndihmën e RP të Kinës”.

Unë desha të zbatoj normat, këtë kërkesë imperative të Partisë, për t’i vlerësuar çështjet parimisht, por ja çfarë shkaktoi kritika. Zakonisht jam përpjekur të bëj autokritikë, por dhe të kritikoj, në kritikë përpiqem të vë argumentet, mbase s’kam takt, nuk e gjej dot në këtë rast. Sidoqoftë ju them se u përpoqa të mbaj qetësinë, por juve besoj do të na thërrisni dhe të na tregoni gabimet.

Përshëndetje shoqërore

Vito Kapo

Tiranë më, 26 tetor 1974

LETRA E ELENI PASHKOS

I dashur shoku Enver,

Më falni që po ju shqetësoj në një kohë jo oportune, por jam e detyruar t’ju shkruaj për një çështje që jo vetëm më shqetëson mjaft, por ka edhe karakter parimor.

Sikurse jeni në dijeni për një muaj isha në krye të një delegacioni të grave në RP të Kinës dhe për këtë gjej rastin të falënderoj KQ që më caktoi mua në këtë mision të rëndësishëm. Unë me gjithë shpirt u përpoqa ta kryej me ndërgjegje komuniste këtë detyrë.

ENVER HOXHA NE PRESIDIUMIN E KONGRESIT TE 8 TE BASHKIMIT TE GRAVE

Kur u ktheva, në një mbledhje të zakonshme të kryesisë së grave të Shqipërisë, informova shkurtimisht për punën e delegacionit. Megjithëse aty nuk pati asnjë vërejtje, mbas dy javësh, shoqja Vito Kapo duke marrë disa fraza të shkëputura të informacionit tim, duke i interpretuar ato jashtë përmbajtjes dhe shtrembër, në mbledhje të delegacionit që ishte në Kinë që u bë më 25 tetor, formuloi për mua disa mendime që unë i konsideroj akuza politike. Unë sigurisht nuk i pranova, por edhe nuk e zgjata dhe të nesërmen i kërkova asaj të ndërrojë mendimet dhe të tërheqë akuzat. Ajo jo vetëm nuk i pranoi, por shkoi edhe më tej, duke më akuzuar se gjoja unë nuk pranoj kritikën, mbivlerësoj veten dhe më porosit që të reflektoj më tepër.

Duke e parë kështu, mendova t’ua parashtroj edhe Juve këtë çështje e në veçanti akuzat e saj.

1-Se gjoja unë duke folur për takimin me shoqen Thëng Hin Çao (gruaja e Çu En Lait) nuk përmenda interesimin e saj për shëndetin tuaj, por fola për interesimin e saj për shoqen Vito, shoqen Nexhmije e shoqen Fiqrtet. Kjo akuzë nuk qëndron sepse jo vetëm në kryesi e thashë interesimin e saj për Ju, por mbi të gjitha bisedat e lira me shokë e shoqe të ndryshëm, në fjalimet dhe takimet unë e shpreha interesimin e madh të shoqeve kineze për udhëheqësin tonë.

2-Se gjoja unë gjatë informacionit u shpreha në mënyrë të tillë që lashë përshtypjen se ne në Shqipëri paskëshim punuar më shumë për emancipimin e gruas dhe delegacioni ynë dha këshilla të vlefshme për gratë kineze, kurse unë në fakt shpreha përshtypjen që krijuam atje, se shoqet kineze në kushtet që kanë, nuk futeshin aq thellë në problemet e familjes siç futemi ne për emancipimin e gruas, megjithëse edhe ato kishin disa probleme.

3-Se gjoja unë nuk e kam të qartë parimin e zbatuar nga Partia e jonë për mbështetjen me forcat tona sepse paskam shprehur me shumë entuziazëm për iniciativat e grave kineze që me forcat e tyre, ndërtojnë fabrika e uzina të reja pa kërkuar ndihmë në fazën fillestare nga lart. Në fakt unë përmenda një eksperiencë të mirë që përputhet dhe me parimin tonë të mbështetjes në forcat e veta.

4-Se gjoja në takimin e parë me shokun Gen Biao kam mbivlerësuar ndihmën e RP të Kinës për vendin tonë. Unë kudo kam shprehur qëndrimin dhe vlerësimin e Partisë tonë ndaj kësaj ndihme dhe madje shokët e Ambasadës kishin mendime të mira për bisedat e zhvilluara, përfshirë edhe këtë bisedë ku ishin prezent. Unë nuk e kuptoj se ku qëndron gabimi dhe mbivlerësimi i tepruar kur shpreh atë që ka shprehur Partia prej vitesh.

5-Së fundi, shoqja Vito keqinterpretoi thënien time se delegacioni u prit me ngrohtësi e përzemërsi në RP të Kinës me manifestime e pa manifestime, por pa gonge. Unë desha të shpreh kështu ngrohtësinë e shoqeve kineze që i dhanë rëndësi ngrohtësisë e përzemërsisë e jo pompozitetit e gongeve, kurse shoqja Vito e interpretoi këtë si dëshirë për t’u pritur me pompozitet. Sa shtrembër! Unë edhe sot e kësaj dite nuk mund të harroj atë ngrohtësi e pritje të përzemërt, që iu bë delegacionit dhe e vlerësoj atë si shprehje të lartë të miqësisë që kanë farkëtuar dy partitë tona.

Këto ishin kryesisht akuzat e shoqes Vito, e cila jo si kuadër i shtron kundrejt meje pas dy javësh, ndërsa siç tha dhe vetë me shoqe të tjera të kryesisë i ka biseduar më parë.

Por, ndërsa nga njëra anë më kritikoi mua për mbivlerësim të vetes, nga ana tjetër përforcoi mendimin që shoqja Hatixhe Katro kishte shkruar në raportin që do t’i dërgohet KQ sikur shoqet kineze bënë aluzion që në krye të delegacionit të ishte shoqja Vito Kapo, duke e interpretuar këtë se ka rëndësi politike e parimore. Sigurisht unë dhe shoqet e tjera të delegacionit nuk pranuam të vihej një gjë e tillë, sepse nuk u bë një kërkesë e tillë nga ana e shoqeve kineze. Ne mendojmë se e kryem detyrën sipas mësimeve të Partisë tonë.

Më falni shumë për shqetësimin, por unë e shoh veten se e kam kryer mirë detyrën e ngarkuar.

Me shumë respekt,

Eleni Pashko

Tiranë më 28.10.1974

Porosia e Hoxhës për Ramiz Alinë

Shoku Ramiz,

Nuk i kuptoj që të dyja këto shoqe që grinden për “mustaqet e Çelos”, të cilat i bëjnë “çështje parimore” si njëra dhe tjetra. Ç’hyn këtu “s’e pyeti”, a nuk pyeti gruaja e Çu En Lait për shëndetin tim, se u shkrua a nuk u shkrua kjo gjë në raport, ose se “duhej” shënuar në raportin që bëri Leni (e kuptoj unë) se kinezët lanë apo nuk lanë të kuptonin se duhej në krye të delegacionit të ishte shoqja Vito etj.”. Këto më duken mua janë cikërrima, gjëra të kota, zënka të vogla që nuk duhet dhe nuk kanë hije të ngjasin në mes shoqesh sa të më shkruhen letra mua. Por më duket se këto gjëra e kanë burimin në mendjemadhësinë e të dyjave, si të Lenit dhe të Vitos. I thirrni dhe iu tërhiqni vëmendjen për origjinën e patolerueshme të mendjemadhësisë nga të interesuarat, por kur këndoj të tilla gjëra, nuk gjej arsye tjetër në këto sensibilitete të sëmura dhe pickojnë të personalitetit. Të kemi ca kujdes në frymën e punës në kryesinë e gruas, se mos na krijohen hatëre të kota.

Enver, 28 tetor 1974
 

Afrim Imaj

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura