Leskaj takon homologun amerikan, mbështetje për audituesit e KLSH

Dec 10, 2016 | 8:15
SHPËRNDAJE

Gjatë punimeve të Kongresit XXII të INTOSAI-t në Abu Dhabi, kryetari i KLSHsë, Bujar Leskaj, u takua me homologun Gene L. Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Qeverisë (GAO) së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

leskaj

Gjatë takimit, kryetari i KLSH-së i paraqiti Dodaro-s kërkesën zyrtare të KLSH-së që në vitet në vazhdim dy auditues të GAO-s të atashohen në KLSH, për të kontribuar kështu drejtpërsëdrejti në trajnimin e stafit auditues, kryerjen e auditimeve me synim luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar, si dhe hartimin e strategjisë së re institucionale 2018-2022.

“Kjo, u shpreh kryetari i KLSH-së, mund të ideohet si një projekt dhe të kalojë përmes USAID-it, të cilit KLSH i është drejtuar tashmë, ose mund të mbështetet financiarisht edhe nga institucione të tjera”. “Ne, theksoi Dodaro, do vazhdojmë të mbështesim SAI-n shqiptar në rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të tij institucionale dhe këtë propozim tuajin ne do ta shqyrtojmë me prioritet”.

Nga ana tjetër, kreu i zyrës së auditimit të qeverisë amerikane, Dodaro, e njohu kryetarin e KLSH-së me mundësitë që ofronte GAO nëpërmjet Qendrës së Ekselencës, e cila kishte si mision promovimin e mirëqeverisjes, ndërtimin e kapaciteteve organizative, vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ofrimin e trajnimeve të cilësisë së lartë, asistencës teknike dhe produkte apo shërbime konkrete në fushën e auditimit.

Prej dy vjetësh, KLSH-ja ka përkthyer dhe botuar standardet e përgjithshme të GAO-s (librin e verdhë), të cilat së bashku me standardet ndërkombëtare të auditimit (përmes projektit 3i), i konsideron si udhërrëfyes në procesin e auditimit dhe atë të zhvillimit institucional të KLSH-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura