Legalizimet, 910 pronarët që marrin paratë e kompensimit

May 27, 2016 | 14:34
SHPËRNDAJE

LegalizimetNdahet fondi 8.5 milionë USD, dokumentet që duhen

Përfituesit të shpërndarë në 7 qarqe, Tiranë, Elbasan, Dibër, Korçë, Durrës, Lezhë dhe Fier

Janë 910 pronarë të shpronësuar për efekt të procesit legalizues, të cilët do të kompensohen financiarisht.
Një ditë pas vendimit të qeverisë, ALUIZNI ka publikuar listën e plotë të qytetarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Referuar tabelës, përfituesit janë të shpërndarë në 7 qarqe të vendit, përkatësisht në Tiranë, Elbasan, Dibër, Korçë, Durrës, Lezhë dhe Fier.

Ndërsa vlera e përgjithshme e kompensimit kap shifrën e 858 milionë lekëve. Me ndryshimet e bëra së fundmi, pronarët nuk do të përfitojnë më 4 këste kompensimi, siç ka ndodhur deri më tani, por 5 në masë totale 70 për qind të vlerës së pronës. Në këtë mënyrë, detyrimi që i mbetet agjencisë përkundrejt tyre reduktohet në masën 30 për qind. Veç kësaj, drejt zgjidhjes do të shkojë edhe problematika e vonesave në ndarjen e parave, duke bërë që dy proceset, përkatësisht ai legalizues dhe ai kompensues, të ecin paralelisht.

“Agjencia e Trajtimit të Pronave angazhohet se do të punojë për të arritur objektivin, që brenda një afati të arsyeshëm të arrihet në 100% masa e shpërblimit, duke përmbyllur në këtë mënyrë një proces mjaft të rëndësishëm”, ka bërë më herët të ditur drejtoresha e ATP-së, Qato. Për kryerjen e pagesës në masën respektive për secilin prej pronarëve të shpronësuar, është e nevojshme që më parë të bëhet plotësimi i dosjes.

Në momentin që do të njoftohen nga Agjencia e Pronave, qytetarët duhet të paraqiten për të plotësuar formularin e aplikimit dhe për të dorëzuar dokumentet e nevojshme, përkatësisht numër llogarie, kopje të kartës së identitetit, prokurë të posaçme, mandatin e pagesës prej 2 mijë lekësh, certifikatë familjare dhe dëshminë e trashëgimisë.

Per te pare listen e plote klikoni ketu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura