Laze del hapur: Votoj Dukën, ja 3 arsyet pse duhet të vazhdojë

Jan 13, 2018 | 18:00
SHPËRNDAJE

Arben Laze del hapur në krah të Armando Dukës në zgjedhjet për president të FSHF-së. Dhe si delegat i klubit të Elbasanit deklaron votën e tij për kreun aktual të këtij institucioni. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Laze pohon se në të kaluarën, kur ka menduar se Duka nuk ka bërë asgjë, ka votuar edhe kundër tij, por këtë mandat është pro tij, teksa e argumenton edhe me tri arsye këtë votë.

Laze dhe Duka

Në fund, nuk mungon batuta edhe në rast se president i FSHF-së bëhet Bashkim Fino, teksa kujton fjalët e kryeministrit Edi Rama në adresë të Donald Tramp para se të zgjidhej president i SHBA-ve.

Laze, ju jeni delegat i Elbasanit për të votuar për presidentin e FSHF-së. Cilin përkrahni për kreun e këtij institucioni?

Së pari, klubi i Elbasanit ka propozuar që Armand Duka të hyjë në garë për postin e presidentit. Ndaj, mund të them se vota e klubit të Elbasanit është pro Dukës.

Pse do votoni Dukën?

Sipas meje mund të rendis tri arsye pse Duka duhet të vazhdojë të jetë në krye të FSHFsë. E para, qyteti i Elbasanit i është mirënjohës për ndërtimin e stadiumit në këtë qytet dhe është meritë e tij kjo gjë. I solli një zhvillim gjithë qytetit në këtë aspekt. Pa llogaritur edhe infrastrukturën në të gjithë vendin në futboll.

E dyta, suksesi me Kombëtaren, ku për herë të parë morëm pjesë në një Europian dhe nuk mund t’ia mohojmë Dukës pjesën e tij të meritës. E treta, me sa mbaj mend dhe di unë, Shqipëria ia doli të fitojë një gjyq në arenën ndërkombëtare me Serbinë për atë që ndodhi në Beograd dhe nuk kishte ndodhur më parë të dilnim të fituar. Unë kam qenë në atë ndeshje dhe ka qenë vërtet një situatë jo e mirë.

Dakord, por nuk mendoni se ka ardhur koha për një tjetër president në krye të FSHF-së?

Dëgjoni, unë kam qenë nga ata që kanë votuar edhe kundër Dukës. Para tetë vitesh kam qenë kundër tij dhe këtë gjë ia kam thënë në sy dhe e dinë të gjithë. Kur nuk më pëlqen puna që bën, unë jam nga ata që i dal edhe kundër. Por, këtë mandat ka bërë vërtet shumë për futbollin shqiptar, ndaj edhe jam pro. Mendoj se duhet të vazhdojë me projektin e tij në krye të këtij institucioni.

Nuk mendoni se Fino mund t’i sjellë më shumë futbollit shqiptar?

Kam respektin maksimal për Bashkim Finon, por kushdo që do të ishte nga politika unë do të votoja kundër. Larg politika nga futbolli. Këtë po e thotë një njeri që, për afro 13- 14 vjet si president i klubit të Elbasanit, ka bashkëpunuar me të majtë e të djathtë dhe nuk e kam ngatërruar asnjëherë sportin me politikën. Për mua, njerëzit që kontribuojnë në sport janë më të mirët në botë, të majtë apo të djathtë qofshin.

Mendoni se është gjëja e duhur që po dilni kaq hapur sepse mund të fitojë edhe Fino…

Secili ka mendimin e vet për kë do të votojë dhe unë nuk ndikoj aspak tek askush. Unë kam kurajën të dal hapur, pavarësisht respektit që kam për të dy kandidatët.

Dakord, por nëse fiton Fino, çfarë do të bëni?

Besoj se e dini se çfarë tha Kryeministri ynë për Trampin para zgjedhjeve për president të Amerikës. Çfarë po ndodh sot? Asgjë, gjithçka ecën normalisht dhe vazhdojnë bashkëpunimin. Unë s’kam thënë asgjë për Finon, pasi gëzoj respekt edhe për të. E njëjta gjë do të ndodhë edhe nëse fiton Fino, do të bashkëpunojmë dhe shpresoj që futbolli të ecë përpara.

Fjala juaj e fundit për zgjedhjet?

Unë gjithë jetën do të mbështes futbollin, me aq mundësi sa do të kem. Le të fitojë kush ta meritojë, por larg politika nga futbolli.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura