VIDEO/ Dorëzohen pas negociatave vëllezërit Aliko. Lutje policisë: Aman mos na vrisni!

Jun 29, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Para se të dilnin me duart lart përballë policisë, dy vëllezërit e kërkuar kanë thirrur për disa minuta “aman mos na vrisni, ju lutemi, na premtoni se nuk do na prekni”. Arrestimi mësohet se është kryer pas rreth katër orësh mbajtjeje nën rrethim të dy personave të dyshuar nga ana e forcave speciale RENEA. 

Vëllezërit Aliko

“Prej orës 16:00, rreth 500 forca policore kanë rrethuar në zonën e Kardhiqit dy personat e dyshuar. Vendqëndrimi i tyre është mësuar mbi bazën e informacioneve në rrugë operative. Dy vëllezërit Aliko po lëviznin në drejtim të grykës për në zonën e fshatrave të Cepos, por janë pikasur dhe Policia u ka bërë thirrje të dorëzohen”, thanë burimet zyrtare.

Sipas tyre, dy vëllezërit janë futur në një zonë me shkurre dhe kanë qëndruar të fshehur aty për disa orë. Gjatë kësaj kohe, drejt vendit të ngjarjes është nisur edhe një helikopter i Ushtrisë me forca policore.

NEGOCIATAT

Prangosja e dy personave të kërkuar që mendohet se kanë qenë personat kryesorë të grupit të armatosur në Lazarat është bërë edhe me ndihmën e babait të tyre. Ka qenë shtetasi Adil Aliko, që së bashku me policinë ka shërbyer për kryerjen e negociatave dhe bindjen e të rinjve që të vetë- dorëzoheshin.

Gjatë negociatave, Adil Aliko u ka thënë djemve të tij të dorëzoheshin pasi “kishte folur me policinë dhe kishte marrë premtimin se dy të kërkuarit nuk do të vriteshin apo dhunoheshin”.

RRETHIMI E ARRESTIMI

 Helikopteri i Ushtrisë ka bërë transportin e forcave RENEA nga Kardhiqi, duke i dislokuar në të gjitha pikat gjeografike në raport me vendin ku fshiheshin të kërkuarit. Policia ka krijuar kështu një perimetër sigurie dhe ka bërë edhe rrethimin e zonës.

Forcat RENEA për dy orë me helikopter kanë krehur zonën e dyshuar ku fshiheshin të kërkuarit, ndërkohë që efektivë të tjerë specialë kanë ngushtuar perimetrin e sigurisë teksa kontrollonin dhe lëviznin në formën e një rrethi që mbyllet.

 Kur punonjësit e Policisë janë afruar në zonën ku ndodheshin dy vëllezërit e kërkuar dhe kanë pasur kontakt zanor e vizual me ta, RENEA ka përdorur negociatat për të bërë të mundur daljen e tyre nga vendi ku ishin fshehur.

Punonjësi i Policisë mësohet se u ka premtuar dy të kërkuarve se nuk do të prekeshin, por duhej të dilnin nga vendi ku fshiheshin me duart lart pa bërë asnjë përpjekje për të sulmuar policinë dhe për t’u larguar. Pas përsëritjes së këtij mesazhi disa herë radhazi nga ana e negociatorit të RENEA-s, i cili ishte prezantuar në emër, është bërë kapja dhe arrestimi i dy vëllezërve Arbjon e Alban Aliko.

Në momentin e arrestimit ata nuk kanë pasur armë zjarri me vete apo pranë tyre dhe për këtë arsye ka nisur kërkimi për armët. 

TRASHËGIM SOKOLAJ




NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura