Lavdia e një emri

Jun 10, 2018 | 11:00
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

tupe

Opinioni shoqëror në atd heun tim tmerrësisht demokratik drogohet (edhe unë, madje, veçse herë pas here) me… me informacion e vetëm informacion, besomëni; sigurisht, si disa prej të ngjashmëve të mi, unë bëj pjesë tek ata lexues që e dinë fort mirë se informacioni me tepri (jetojmë mjerisht në epokën e fake news-eve) e vret informacionin e saktë, por, sidoqoftë, të paktën një herë në ditë, kryesisht natën vonë ulem para ekranit të televizionit dhe ndjek edicionin e fundit të lajmeve ose bredh nëpër portale në kërkim të një të vërtetë thuajse të pakapshme! Kështu më ndodhi një mbrëmje, këtë javë pikërisht: i lodhur pas një dite të gjatë me lloj-lloj punësh të vogla të bezdisshme, isha mbështetur rehatshëm te kolltuku im i preferuar dhe po shikoja me një sy të përgjumur e po dëgjoja me një vesh po aq të përgjumur edicionin e fundit të lajmeve në kanalin MoodTV ku disa emra përsëriteshin herë pas here: Rama-RamaRama, Tahiri-Tahiri-Tahiri, Xhafaj-XhafajXhafaj, Gjykata e Prokuroria, ambasadori amerikan e ambasadori italian, Basha-Berisha-Babale, Rama-Rama-Rama, përherë e përsëri Rama, pafundësisht Rama, garë e gargarë kombëtare kjo deri në tejngopje, deri në marramendje.

“Ah, kjo politika, gjithmonë në plan të parë si në kohën e diktaturës hoxhiste, ndoshta edhe më keq!”, thashë me vete, kur befas, pavarësisht zërit monoton e nanuritës të folësit, më tërhoqi vëmendjen lajmi se së shpejti një grup qytetarësh do të hidhnin në rrjetet sociale për t’u firmosur një peticion që do të kërkonte ndërrimin e emrave të disa rrugëve në kryeqytetin tonë arna-arna e gati krejtësisht kitsch; të paktën, i përgjumur siç isha, kështu m’u dëgjua.

Mandej, folësi vazhdoi me një zë papritmas të gjallëruar: “Lidhur me këtë informacion, le të dëgjojmë mendimin e përfaqësuesve të nismëtarëve të këtij peticioni, si edhe reagimet e qeverisë e të opozitës…”

Çuditërisht, të gjithë folësit ishin të të njëjtit mendim: meshkuj e femra, të rinj e të vjetër, të djathtë e të majtë, besimtarë, agnostikë e ateistë. U habita se si, të gjithë shprehën njëzëri të njëjtin mendim, ndonëse ideja fillestare e peticionit kishte qenë e një zonje të re nga radhët e ngjeshura të shumicës së mavijosur parlamentare.

“Ne, përfaqësuesit e politikanëve të rinj – u shpreh zonja e re në trajtë konkluzioni –, kemi kënaqësinë e jashtëzakonshme t’i bëjmë me dije teleshikueset dhe teleshikuesit se nismëtarët e rilindjes së emrave të rrugëve në kryeqytetin tonë të lavdishëm, i propozojnë mbarë popullit shqiptar që ‘Shëtitorja Dëshmorët e Kombit’ të quhet tash e tutje dhe përjetësisht ‘Shëtitorja Edi Rama’, pra, me emrin e udhëheqësit tonë të lavdishëm dy herë kryeministër absolut i Republikës po aq absolute të Shqipërisë, së shpejti pjesë përbërëse e Bashkimit Europian.

Sigurisht që për të shmangur çdo interpretim tendencioz e keqdashës të këtij propozimi profetik si shprehje të kultit të individit, ne, mbështetësit e nismës në fjalë, jemi konsultuar me kancelaritë e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të Këshillit të Europës e të NATO-s, të cilat na përgëzuan për përçapjen tonë të përsosur, madje na premtuan me seriozitetin më serioz e me lumturinë më të lumtur se në kryeqytetin e secilit vend të Bashkimit Europian do të ketë së shpejti dhe pashmangësisht një rrugë me emrin e Kryeministrit Rama.

Ju bëjmë gjithashtu të ditur se, falë emulacionit kapitalist dhe për të mos mbetur prapa treshes së lartpërmendur, vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me mbështetjen e Kongresit, të Departamentit të Shtetit, të CIAs e të FBI-së, na siguroi katërcipërisht se në qytetin kryesor të çdo shteti të SHBAve do të ketë një rrugë me emrin e zotit Edi Rama dhe një shesh me emrin dhe statujën e tij në kalë, aq më tepër që, në adoleshencën e vet, sipas gojëdhënës urbane, ai e shihte herë pas here veten në ëndërr duke shaluar kalin e vetë heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut, në sheshin që mban sot ende emrin e tij.

Së fundi, Presidenti amerikan i kërkon me përulësi e njëherazi me admirim zotit Edi Rama të pranojë që ekzoplaneti KOI7923.01 të mbajë tash e tutje emrin EdRam, aq më tepër që ky ekzoplanet është zbuluar nga sateliti Kepler në periudhën 20092013, pikërisht atëherë kur Shkëlqesia në fjalë luftoi dhe ia arriti të bëhej Kryeministër i Republikës së Shqipërisë”. I mrekulluar nga ky lajm dehës, desha të ngrihesha nga vendi për të shprehur entuziazmin tim të pashoq, por befas rrëshqita nga kolltuku e rashë në qilim dhe, tek u zgjova, e kuptova që sapo kisha parë një ëndërr, ndërsa veshi më zuri vetëm fjalët e fundit të folësit: “Zonja e zotërinj, sapo dhamë edicionin e fundit të lajmeve në MoodTV. Mirupafshim, pra, nesër mbrëma në të njëjtën orë. Natën e mirë!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura