Lamtumirë kosto e lirë e punës në fason!

Oct 5, 2015 | 9:29
SHPËRNDAJE
Prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve paralajmërojnë se do të rrisin kostot për klientët e tyre të huaj gjatë vitit të ardhshëm. Sipas tyre, kostot e rritura këtë vit janë të papërballueshme dhe do të reflektohen në çmimin e shërbimeve për klientët e huaj

ilus

Prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve ishin përgatitur për një “udhëtim” të pasigurt këtë vit. Porositë nga jashtë nuk do të mungonin, por shumë faktorë të tjerë, duke filluar nga taksat e paketës fiskale dhe ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike, do të siguronin më pak të ardhura për sipërmarrësit e fabrikave më të mëdha të përpunimin në vend. Kur kanë mbetur edhe tre muaj nga mbyllja e këtij viti, sipërmarrësit e sektorit të veshjeve dhe këpucëve shpresojnë të mbeten në bilancin e vitit të kaluar dhe të mos shënojnë ulje të xhiros, e mbi të gjitha të fitimit.

Flamur Hoxha, sipërmarrës i kompanisë ‘Kler’, thotë se sektori ka kërkesë të vazhdueshme. Por, sipërmarrësve u kërkohet më shumë përshtatje me klientët e huaj, pasi ata janë të interesuar për shërbime sa më të plota, mundësisht një produkt përfundimtar. Sipas z. Hoxha, “tregu i ofertave ka ndryshuar shumë krahasuar me pak vite më parë. Nëse deri dje, shumica e partnerëve kërkonin një pjesë të procesit, sot ka kërkesa për procese të plota”. Për kompanitë që nuk kanë arritur të bëjnë investimet e duhura “për të kërcyer” nga fason te prodhues, kërkesa të tilla e shumëfishojnë vështirësinë e punës.

Punetore te nje fabrike fasonesh te kompanise "Felix", ne qytetin e Shkodres./r/n/r/nWorkers, of a factory on apparel company "Felix", in Shkodra.
Punetore te nje fabrike fasonesh te kompanise “Felix”, ne qytetin e Shkodres./r/n/r/nWorkers, of a factory on apparel company “Felix”, in Shkodra.

Por sfidat e tregut të huaj, ku kërkesa nuk mungon, konkurrojnë fuqishëm me sfida të brendshme. Vetëm për shkak të ndryshimit të vlerësimit të tarifave, fabrikat e veshjeve dhe këpucëve, raportojnë një rritje me 50% të çmimit të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, tatimfitimi është 50% më i lartë.

Përfaqësuesit e sektorit thonë se sfidat u shtuan në muajin shtator. Një faturë direkte, shumë e kundërshtuar prej tyre, është ajo e skanimit të mallrave. Pavarësisht se kontrata u rishikua, shoqatat e biznesit ankohen se po fut në “gropë” sipërmarrjet fason. Sipas kontratës me koncesionarin, për çdo faturë mbi 1000 euro, skanimi kushton 22 euro dhe për çdo faturë nën këtë vlerë, skanimi është 5 euro. Presidenti i Biznes Albania-s, Luan Bregasi, vlerëson se kjo tarifë po rëndon mbi të gjitha te fasoni. Sipas tij, për një kamion të ngarkuar me veshje apo këpucë, mund të ketë 20 kode e rrjedhimisht po kaq fatura shoqëruese, çka nënkupton se vetëm për një ngarkesë, tarifa e skanimit do të shkojë në 220 euro. Një taksë e tillë është paradoksale sipas administratorëve të kompanive fason. Ata kujtojnë se tregtia e këtyre produkteve ka xhiro e volum të lartë, por nivel të ulët fitimi.

 

Krahu i lirë i punës, jo më

Fitimi i ulët është pika e fortë dhe e dobët e këtij sektori.

Aksioni kundër informalitetit nuk e prek direkt fasonin, por në mënyrë indirekte shtrëngimi i kontrolleve është një presion shtesë për biznesin, thonë sipërmarrësit. Por ata shohin edhe një anë pozitive të gjithë këtyre shërbimeve, (ndonëse e tillë mund të mos jetë për interesat e qeverisë). Sipas prodhuesve të veshjeve në Tiranë dhe Durrës, kontrollet dhe rritja e kostove shpresohet të “bindin” disa prej sipërmarrësve për të rritur tarifat e punës për një njësi. Sipas tyre, edhe pse ka kërkesë nga jashtë, shumë sipërmarrës, që nuk kanë bërë hapa cilësorë në investime, tolerojnë në çmimet e shërbimeve duke vendosur çmime shumë të ulëta. Sipas Flamur Hoxhës, kjo nuk është në shërbim të biznesit, e madje nuk është as e nevojshme, për sa kohë oferta nga jashtë nuk mungon.

Disa prodhues të kontaktuar nga “Monitor” tregojnë se vitin e ardhshëm kanë në plan të rrisin tarifat për klientët e tyre europianë, duke ndjekur disi modelin bullgar. Administratori i një prej fabrikave të këpucëve në Durrës tregon se i ka paralajmëruar klientët se vitin tjetër do të rrisë tarifat me 5-10%.

Prodhuesit saktësojnë edhe se planet për rritjen e kostove nuk pritet të reflektohen në paga më të mira në një të ardhme të afërt. Sipas tyre, shtrenjtimi i tarifave do të shërbejë për të kompensuar kostot e rritura të aktivitetit, për shkak të shtimit së taksave, çmimit të energjisë, tarifës së skanimit dhe qirasë së ndërtesave.

 

2016-a, në pikëpyetje

Rritja e tarifave është i vetmi zhvillim i qartë i një pjese të sipërmarrësve për vitin e ardhshëm. Për herë të parë ndoshta pas 25 vitesh, industria e fasonit nuk është në gjendje të bëjë një parashikim të përafërt për vitin e ardhshëm, se si pritet të jetë ecuria e eksporteve të tyre. Ata pritet të lundrojnë në ujëra të turbullta, të trazuara si nga jashtë edhe brenda vendit.

Fokusi i fasonit është të bëjë një bilanc për të parë nëse mbijetoi këtë vit, ku pjesa e humbur tashmë është ajo e tregut grek. Bashkëpunimi me grekët është shuar, e kjo pritet të ketë lënë shenjë në industri.

Sipas Shoqatës së Fasonistëve, Italia vijon të kryesojë tregjet me të cilat mund të punohet. Ata thonë se është rritur interesi i porositësve nga Italia.

 

Viti nuk filloi mirë sipas BSH

Sipas të dhënave të indeksit të prodhimit, vërehet tkurrje e prodhimit në disa nga nëndegët e industrisë përpunuese, sidomos në sektorin fason.

Banka e Shqipërisë vëren në Raportin e fundit të Politikave Monetare se, rënia e prodhimit në industritë tekstile dhe të veshjeve, të lëkurës dhe këpucëve, që zënë peshën më të lartë (30.1% për vitet 2012 – 2014) në industrinë përpunuese, sugjeron se kjo industri ka pasur ndikimin negativ më të madh në ecurinë e industrisë përpunuese.

Banka shpjegon se, duke qenë industri të orientuara kryesisht drejt eksporteve, kjo mbështetet edhe nga rritja e ulët vjetore e disa zërave të eksporteve të produkteve tekstile dhe të veshjeve të lëkurës dhe këpucëve në tremujorin e parë.

Vlera e shtuar në sektorin e industrisë në total u rrit me 7.6% në terma vjetorë, pas rritjes së ulët vjetore prej 0.8% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Dega e industrisë përpunuese, për shkak të përkeqësimit të fasonit, kontribuoi në një masë të ulët, me 1.2 pikë përqindje.

Në mes të këtij viti, sipërmarrësit e sektorit që zë me punë një shtresë të madhe e të varfër të popullsisë i kërkuan qeverisë uljen e disa taksave që rrisin koston e prodhimit, e që ulin konkurrueshmërinë e sektorit në rajon.

Përmes një drafti me 6 pika për paketën e re fiskale, që shoqëron buxhetin e 2016-s, përfaqësues të fasonëve kërkojnë heqjen e tatimfitimit për rastet kur ai shkon për riinvestim në teknologji.

“Tatimfitimi që tashmë është 15%, nëse do të investohet nga ky sektor në pajisje dhe teknologji, do të jetë zero. Pikërisht kjo pjesë që tatohet të shkojë në rinovim teknologjie rrit në një shkallë më të lartë kualitetin e produktit”, tha Arben Peci, president i Dhomës Kombëtare të Veshjeve.

Kërkesë tjetër e biznesit është rimbursimi i TVSH-së korrente dhe asaj të prapambetur brenda afateve ligjore.

TVSH e akumuluar prej vitit 2005 për biznesin fason kap shifrën e 49.3 miliardë lekëve, prej të cilave 43.1 miliardë janë rimbursuar. Ndërsa për vitin 2014-2015, nga 17.4 miliardë lekë, 400 kompani janë rimbursuar në vlerën e 17 miliardë lekëve.

Kërkesa të tjera të biznesit janë heqja e TVSH-së për nënkontraktorët, që sipas fasonëve, mund të shkaktojë falimentimin e ndërmarrjeve nënkontraktore, uljen e taksës për ndërtesat, ndryshimin e taksimit në terminalet doganore, nga taksë fikse në taksë orare si dhe faturimin e konsumit të energjisë elektrike, sipas nivelit të tensionit të furnizuar.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura