Pas paralajmërimit të Ramës, ndryshime të thellë në strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin. Ja kush do jenë drejtorët e rinj (Emrat)

Jul 5, 2021 | 10:36
SHPËRNDAJE

p

Ashtu siç kishin paralajmëruar kryeministri Edi Rama dhe më pas ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, janë bërë sot ndryshime të thella në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.

Duke filluar nga Tirana, Gjovalin Loka i cili mbante detyrën e drejtorit të Departamentit të Sigurisë në kryeqytet është emëruar në krye të drejtorisë së Elbasanit.

Kujtojmë që Loka u lirua nga detyra e drejtorit në Tiranë vetëm disa ditë më parë pas ngjarjes tragjike në Velipojë ku mbetën të vrarë 4 persona dhe pas paralajmërimeve të Çuçit dhe Ramës për ristrukturim të policisë.

Shefi i komisariatit nr.2 në Tiranë, Oliton Bistri është emëruar drejtor i policisë së Durrësit ndërsa numri dy i Departamentit të Sigurisë, Dhimitraq Ziu emërohet drejtor i Policisë Rrugore.

Në drejtorinë e Fierit është larguar Bledar Çeliku dhe në vendin e tij u emërua Ferdinand Mara nga drejtoria e Korçës.

Vendin e tij në qytetin e Korçës e zuri Ardian Çipa, i cili deri më tani ishte pjesë e Akademisë së Sigurisë.

TË GJITHA LËVIZJET NË STRUKTURAT E POLICISË SË SHTETIT

Ndryshime në nivel drejtues në strukturat vendore të Policisë së Shtetit. Në kuadër të ristrukturimit për rritjen e forcës goditëse dhe parametrave të sigurisë në vend, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur ndryshime në nivel vendor e qendror.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër Skënder Hita transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Bledar Çeliku transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Ferdinant Mara transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Gjovalin Loka ish-Drejtori i Departamentit për Sigurinë emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Lorenc Shehu transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Shefi i Komisariatit të Policisë Nr 2 në Tiranë Oltion Bistri transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Ardian Çipa deri tani në Akademinë e Sigurisë transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

Hamdi Fjore deri tani zv.dr i DVP Korçë transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

Edmond Tarkaj deri tani drejtor i Policisë Rrugore, transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Dhimitraq Ziu deri tani zv.drejtor për sigurinë në DVP Tiranë , transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë Rrugore.

Luigj Vathi drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë deri tani transferohet dhe emërohet Zv.drejtor për sigurinë ne DVP Tiranë.

Neritan Nallbati deri tani drejtor i DVP Berat transferohet dhe emërohet Drejtor i Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Niko Brahimaj transferohet dhe emërohet Drejtor i Institutit të Policisë Shkencore.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të luftuar maksimalisht krimin e organizuar dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët.

ÇFARË DEKLAROI MINISTRI I BRENDSHËM PËR NDRYSHIMIN E STRUKTURAVE

“Po përgatitemi për një fazë të re të reformës dhe të forcës parandaluese dhe goditëse të Policisë së Shtetit.

Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të Policisë së Shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, do të krijojmë një kuadër rregullator të ri, për të futur praktika të hetimit të të ardhurave të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtje ligjore në qarkullim. Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e efektivëve të qarkullimit me kamera trupi”, u shpreh Çuçi në konferencën per gazetaret.

DEKLARATA E KRYEMINISTRIT RAMA

Për këtë ka folur dhe kryeministri Edi Rama i cili në një deklaratë për mediat tha se strukturimi i Policisë së Shtetit do të ndodhë edhe më shpejtë se sa ishte planifikuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura