Tragjedi në brigjet franceze/ Mbytet gomonia me emigrantë, 31 persona humbin jetën. Ka edhe të zhdukur

Nov 24, 2021 | 17:50
SHPËRNDAJE

Të paktën 31 persona humbën jetën këtë të mërkurë (24 nëntor) pasi gomonia e tyre u përmbys duke lundruar për të kaluar kanalin nga Franca për në Mbretëri të Bashkuar.

emigrante

Franck Dhersin, zëvendës udhëheqës i transportit rajonal si dhe kryetar i qytetit Teteghem në veri të Francës tha se shifra e të vdekurve ka arritur 31 dhe dy persona janë të zhdukur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Gerald Darmanin tha se do të niset drejt bregdetit.

“Emocione të forta përballë tragjedisë dhe vdekjeve të shumëfishta si pasojë e përmbytjes së anijes me emigrantë”, shkroi ai në Twitter.

Kryeministri francez Jean Castex tha se mbytja e anijes ishte një “tragjedi”, duke shtuar se ata që vdiqën ishin viktima të “kontrabandistëve kriminelë”.

Ndërkaq, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson tha se është i shokuar nga vdekjet.

“Mendimet dhe dhembshuria ime janë me viktimat dhe familjet e tyre… por kjo tragjedi thekson se sa e rrezikshme është të tentohet të kalohet kanali në këtë mënyrë”, tha ai pasi udhëhoqi një mbledhje urgjente të kabinetit.

Kanali ujor në mes dy shteteve është ndër pjesët me më së shumti trafik të anijeve si dhe me rryma të forta të ujit.

Në muajt e fundit, situata e emigrantëve në bregdet është përkeqësuar me një rritje të tentativave për të kaluar Kanalin. Të shtunën e kaluar, 243 emigrantë që përpiqeshin të arrinin në Angli u shpëtuan nga autoritetet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura