“Laboratori” kinez i reformës shëndetësore

Apr 1, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE
SHEFQET DELIALLISISHEFQET DELIALLISI
I shte një shkrim i revistës mjekësore prestigjioze “New England Journal of Medicine” me titull: “ Mësime nga Lindja – Sistemi Shëndetësor kinez që evoluon me shpejtësi”, që më tërhoqi vëmendjen. Mësime për sistemin shëndetësor nga Kina!? Shumëkujt mund t’i duket e pamundur. Por, siç do shihni më poshtë, përshtypja e parë është e gabuar. Eksperimentet e shpeshta, të thella, në një hark kohor të shkurtër, vendosmëria për korrigjime, pragmatizmi i theksuar pa komplekse ideologjike, importimi i zgjidhjeve të aplikuara me sukses në vende të tjera, e kanë shndërruar Kinën në një “laborator” të vërtetë të sistemeve shëndetësore. Por le t’i kthehemi eksperimenteve…
EKSPERIMENTI I PARË…
Në viti 1949, kur Mao Ce Dun dhe Partia Komuniste morën kontrollin e Kinës, krijuan sistemin shëndetësor tipik të vendeve komuniste. Shteti kishte në pronësi, financonte, drejtonte gjithçka. Mjekësi private s’ekzistonte. Shërbimi shëndetësor propagandohej “falas” (në të vërtetë pa pagesë direkte), për pasojë, sigurimi shëndetësor konsiderohej i padobishëm. Arritje propagandohej sistemi i punonjësve shëndetësorë në komunitet, të quajturit “mjekë këmbëzbathur” që ofronin kujdes mjekësor të zakonshëm, tradicional kinez dhe shërbime shëndetësore publike në çdo fshat, në sajë të të cilit pretendohej se u arrit një ulje e vdekshmërisë foshnjore. Në fakt, sukses i vërtetë i sistemit shëndetësor kinez në këtë periudhë, ishte shëndeti publik sipas modelit sovjetik që siguroi kontrollin e sëmundjeve infektive, përmes imunizimit dhe masave sanitare. Ky eksperiment zgjati 30 vjet (1952- 1982)… Duhet theksuar se në këtë periudhë, Mao diktator i gjithëpushtetshëm i shkaktoi Kinës dy katastrofa. Urinë e madhe, nga e cila gjetën vdekjen miliona kinezë, me eksperimentin e quajtur “Kërcimi i madh përpara” për krijimin e një shoqërie socialiste përmes industrializimit dhe kolektivizimit të shpejtë nga fundi i viteve ’50, dhe “Revolucionin Kulturor” që filloi nga fundi i viteve 1960 që eliminoi elitat dhe e ktheu Kinën shumë vite prapa.
EKSPERIMENTI I DYTË…
Në vitin 1978 në krye të Partisë Komuniste erdhi Ten Siao Pin reformator. Ai hoqi dorë nga gjithëpushteti dhe vendosi një udhëheqje kolegjiale. Krijoi një sistem politik autoritar, të ndryshëm nga të gjithë diktaturat e tjera. Partia Komuniste hoqi dorë nga dogmat ideologjike. Rregullat ishin në funksion të suksesit. Ten Siao Pin e konvertoi sistemin ekonomik kinez pothuaj në një ekonomi tregu dhe e decentralizoi atë. Duke besuar në rolin rregullues të mekanizmave të tregut të lirë, Kina filloi një eksperiment të dytë me sistemin shëndetësor. Brenda natës ndryshoi tërësisht mënyrën e financimit. Sistemi shëndetësor publik u shpërbë. Spitalet filluan të veprojnë si subjekte fitimprurëse, në një treg të parregulluar. Me mosndërhyrjen, në mënyrë informale qeveria e sanksionoi privatizimin e spitaleve dhe klinikave. Ndërkohë, privatizimi i ekonomisë bujqësore, nxori jashtë loje sistemin shëndetësor ekzistues në fshat. Punonjësit shëndetësor humbën subvencionin nga shteti. U detyruan t’i kthehen praktikës private. “Mjekët këmbëzbathur” drejtimi i të cilëve ishin shërbimet publike, iu kthyen shërbimeve teknike (më fitimprurëse për ta): shitje barnash, aplikim infuzionesh intravenoze, “terapi” mjaft popullore për të gjitha problemet shëndetësore në Kinën rurale. Kjo bëri që çmimet e barnave të rriten dukshëm. Më dramatik, eksperimentin e bëri fakti që pjesa më e madhe e popullsisë e pasiguruar mbeti e pambrojtur ndaj kostos në rritje të trajtimit të sëmundjeve, ndërkohë që industria private e sigurimit shëndetësor s’ekzistonte. Vetëm 49% e kinezëve në zonat urbane, të punësuarit në shtet dhe 7% e 900 milionë kinezëve të zonave rurale ishin të siguruar. Në një aspekt, qeveria ruajti kontrollin. Çmimin. Vendosi çmime të ulëta për shërbimet, barnat rutinë, për të siguruar akses në kujdesin shëndetësor bazë në spitalet dhe klinikat publike, por i la dorë të lirë mjekëve, të prirë për fitim, të përdornin ilaçe dhe teknologji të shtrenjta, gjë që rriti së tepërmi koston e kujdesit shëndetësor dhe reduktuar aksesin për të. Shërbimet shëndetësore u bënë të papërballueshme për shumicën. Pagesa nga xhepi i pacientëve u rrit nga 20% në vitin 1978, në 58% në vitin 2002. Ndërkohë, në sektorin mjekësor privat mjaft fitimprurës të lulëzuar, pasanikët e ri merrnin kujdes të teknologjisë së lartë në mjedise komode. Eksperimenti tronditi stabilitetin social. Humbi besimi ndaj institucioneve shëndetësore, ndaj personelit shëndetësor. Sulmet fizike mjaft të shpeshta ndaj mjekëve e nxorën gjendjen jashtë kontrollit. Kjo bëri që qeveria kineze të ndalet… Eksperimenti i dytë, zgjati 30 vjet (1978- 2008).
EKSPERIMENTI I TRETË DHE NË VAZHDIM…
Në vitin 2008, qeveria zyrtarisht e braktisi eksperimentin e sistemit shëndetësor, bazuar në parimet e tregut të lirë. Filloi korrigjimi i gabimeve. Duke përfituar edhe nga rritja e shpejtë ekonomike, filloi (është në vazhdim) ndërtimi i një sistemi të ri që do sigurojë kujdesin shëndetësor bazë, të përballueshëm për të gjithë deri në vitin 2020. Sigurimi shëndetësor u konsiderua “thembra e Akilit” e sistemit. Ka filluar ribërja e tij. Si hap i parë, deri në vitin 2012 u sigurua mbulimi me sigurimin shëndetësor, të subvencionuar nga qeveria për 95 % të popullsisë. Mbulim modest, por gjithëpërfshirës. Ndërkohë, në zbatim është përvoja e suksesshme e Singaporit. Në Singapor nuk ka asnjë iluzionin për kujdes shëndetësor falas. Gjithkush paguan për vizitat mjekësore, shtrimet në spital, primet e sigurimit shëndetësor, etj.. Gjithmonë ka një komponent bashkëpagese nga pacienti për shërbimin shëndetësor, si pjesë e filozofisë së përgjegjësisë individuale. Nuk ka subvencione të “dollarit të parë”, nuk ka mbulim të sigurimit nën skemën e sigurimit kombëtar. Çdo punonjësi i zbritet 6-9 % nga paga e tij për t’ia depozituar në një “Llogari Kursimi për Shëndetin”, e cila është e trashëgueshme, e pataksueshme, me interes. Nëpërmjet saj dhe shpenzimeve nga xhepi, pothuaj gjithkush ka mundë- si ta paguajë shërbimin shëndetësor. Dhe meqenëse paratë janë të vetë pacientëve, ata nuk i shpërdorojnë ato me shpenzime të panevojshme. Pikërisht, këtë përvojë Kina ka filluar ta aplikojë, duke detyruar gjithë ndërmarrjet private dhe shtetërore t’u ofrojnë punonjësve “Llogarinë e Kursimeve Mjekësore”, e cila mbulon shpenzimet për kujdesin shëndetë- sor deri në 10 % të pagës vjetore të çdo punonjësi. Kur shpenzimet janë më të larta, përdoret plani për shërbimet shëndetësore “katastrofike”, me kosto deri ne 400% të pagës. Më tej u ndal në orientimin e sistemit shëndetësor. Është e provuar se në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme (për shkak të mundësive të kufizuara ekonomike), por dhe në ato me të ardhura të larta, shërbimi parësor përmirëson ndjeshëm gjendjen shëndetësore të popullsisë, është jetik në menaxhimin e shëndetit dhe sëmundjes dhe kontrollin e shpenzimeve. Megjithëse kjo pranohet nga të gjithë, vazhdon përqendrimi në drejtim të shërbimin spitalor super të specializuar, barnave, pajisjeve mjekë- sore të fundit, ndërhyrjeve të sofistikuara, që e bëjnë sistemin të papërballueshëm ekonomikisht. Kjo ndodh se shërbimi spitalor është më i ngarkuari politikisht. Njerëzit kërkojnë rezultate të shpejta në përmirë- simin e shëndetit. Politikëbërësit, përfitime politike të shpejta (brenda mandatit të tyre). Kina tashmë është duke e korrigjuar orientimin spitalor të sistemit, duke përhapur dhe fuqizuar një rrjet të gjerë kombëtar klinikash të kujdesit shëndetë- sor parësor në të gjithë vendin. Problem, që vazhdon të sfidojë sistemin shëndetë- sor kinez për shpenzimet e papërballueshme, është Kujdesi Spitalor Terciar. Shumë prej tyre, në pronësi publike, por të shtyrë për fitim. Autoritetet iu kthyen edhe një herë përdorimit të forcave të tregut për ta vënë në vijë këtë sektor. Në vitin 2012, investitorë privatë u ftuan të privatizojnë deri në 20% të këtyre spitaleve. Rezultatet priten të vlerësohen. Një tjetër gabim ishte nënvlerësimi i sëmundjeve infektive. Decentralizimi dhe nënfinancimi i strukturës së shëndetit publik e dëmtoi ndjeshëm aftësinë e Kinës për një përgjigje të koordinuar dhe të efektshme sëmundjeve infektive epidemike. Kjo u pa në përballimin problematik të epidemisë së SARS, frenimin e epidemisë në rritje të infeksionit me virusit (HIV) apo shpërthimet e tuberkulozit. Qeveria u është rikthyer investimeve për rehabilitimin e aparatit të kontrollit të sëmundjeve infektive. Dhe funksionimit të spitaleve të sëmundjeve infektive. Një veçori që vlen të theksohet, meqenëse Kina përbëhet nga dy shoqëri: urbane dhe rurale, me diferenca të mëdha mes tyre, është nisja e dy strategjive të ndryshme për përmirë- simin e problemeve në të dy drejtimet.
NE VEND TE MBYLLJES…
Duke ndjekur rrugën e sistemit shëndetësor kinez, vërehen disa ngjashmëri me rrugën që ne kemi ndjekur. Në dy probleme do ndalem veçanërisht. Së pari sigurimin shëndetësor, “zemrën” e sistemit shëndetësor, pa të cilin në kushtet e ekonomisë së tregut, sistemi shëndetë- sor s’funksionon. Në ngritjen e tij, ne kemi ngecur në vend. As nuk vazhdon reforma e nisur para vitit 2013, qëllimi final i së cilës ishte kalimi gradual në skemën me kontribut të veçantë për kujdesin shëndetësor. Madje, futja gratis pa kriter e shumë njerëzve, në skemën e sigurimit shëndetësor ka bërë që persona kontribuues në skemë, të demoralizohen dhe të mos futen në skemë, duke e kolapsuar atë. Nga ana tjetër, as nuk po ndërtohet sistemi i premtuar pas vitit 2013, që do zhbënte ISKSH-në dhe do t’i kthehesh skemës së financimit nëpërmjet taksimit të përgjithshëm. Gjendja i është lënë spontanitetit… Problemi i dytë është orientimi i sistemit shëndetësor drejt sistemit spitalor. Më saktë, shërbimin spitalor terciar (QSUT), që gati po konsiderohet si shëndetësia vetë. (Pjesën më të madhe të buxhetit të shëndetësisë e merr sistemi spitalor dhe më shumë se gjysmën e tij, QSUT, e kolapsuar nga mbingarkesa). Nëse sistemin do ta konsideronim një ndërtesë, ajo do kishte tri kate. Kati i parë, Shëndeti Publik dhe Kujdesi Shëndetësor Parësor. Kati i dytë, Shërbimi Shëndetë- sor Dytësor (spitalet rajonale). Kati i tretë, Shërbimi Spitalor terciar (QSUT). Normalisht, një ndërtesë kërkon themele të forta dhe ndërtimi fillohet nga kati i parë, jo nga kati i tretë… Është e vërtetë që çdo vend përpiqet t’ia përshtatë sistemin, karakteristikave ekonomike, politike, kulturore, mjedisore, epidemiologjike, demografike që ka. Por, ndonëse qasjet janë të ndryshme, sfidat janë të ngjashme. Ndonëse sistemet shëndetësore ndërtohen në forma të ndryshme, “tullat” që përdoren janë të njëjta. Mësimet që dalin nga “laboratori” kinez i sistemeve shëndetësore janë të vlefshme për të gjithë. Ato vërtetojnë edhe një herë se politikat shëndetësore s’duhet të jenë as të majta, as të djathta, thënë ndryshe, edhe të majta, edhe të djathta. Sepse i tillë është edhe shëndeti, as mall, as e drejtë njerëzore, thënë ndryshe, edhe mall, edhe e drejtë njerëzore…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura