Kuvendi mbetet i bllokuar, seanca prodhon edhe një takim konsultativ me PAN-in

Aug 14, 2017 | 13:24
SHPËRNDAJE

Një tjetër vazhdim i seancës konstitutive të Kuvendit nuk ka prodhuar zgjidhje të bllokadës së institucionit ligjvënës. Koalicioni PAN, që i takon ta propozojë kryetarin e Kuvendit, ka munguar sërish në seancë. Sikur deputetët e këtij koalicioni ka vepruar edhe Teuta Rugova e LAA-së dhe deputetët e të gjitha minoriteteve, duke pamundësuar kuorumin për vazhdim të seancës. Përfundimi: 2 orë debat duke shkelur Rregulloren e punës së Kuvendit dhe një thirrje e një takimi tjetër konsultativ nga kryesuesi Adem Mikullovci me përfaqësuesit e partive politike, për të mërkurën në orën 10:00.

Adem Mikullovci i VV-së, si deputeti më i vjetër i Kuvendit, ka kërkuar 15 minuta pauzë, me të hapur punimet e vazhdimit të seancës konstituive të ditës së hënë, pak pas orës 10 të mëngjesit. Në sallë ishin vetëm 55 deputetë të LAA-së dhe VV-së.

Por, pas rifillimit të seancës, dy deputetë tjerë nuk e panë të arsyeshme kthimin në Kuvend, duke pamundësuar sërish kuorumin.

Deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, sikurse kishin paralajmëruar, nuk u paraqitën në seancë për të propozuar Kadri Veselin për kryeparlamentar. Bojkotit të tyre iu bashkua edhe Teuta Rugova e LAA-së dhe deputetët minoritarë në Kuvend.

E për t’u shmangur sërish ky bojkot, kryesuesi Adem Mikullovci tha se do t’i përgjigjet kërkesës së PAN-it për një takim të ri konsultativ me përfaqësuesit e partive politike, duke e thirrur atë për të mërkurën në orën 10:00. Ani pse, vetë Mikullovci tha që Vetëvendosje, të cilës i takon, nuk do të marrë pjesë në këtë tryezë.

I njëjti, pasi sqaroi se në sallë s’ka kuorum për mbajtje të seancës, duke shkelur rregulloren e punës, u dha fjalën deputetëve për debat, shkruan Gazeta Express.

Më shumë se 10 deputetë, kryesisht iu drejtuan PAN-it me akuza e thirrje për kthim në Kuvend. E më të rëndat vinin nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, pati edhe propozime. Avdullah Hoti propozoi që partitë politike, bashkë me ekspertë, të hartojnë një kërkesë për interpretim të Gjykatës Kushtetuese, për situatën e krijuar në Kuvend. E bashkëpartiaku i tij, Arben Gashi, ftoi kolegët që të votojnë nënkryetarët e Kuvendit, në pamundësi të kryeparlamentarit.

“Rregullorja e Kuvendit nuk na mundëson këtë. Pasi nënkryetari i koalicionit të parë dhe nënkryetarët tjerë zgjidhen në pako”, ia sqaroi menjëherë Mikullovci Gashit, duke hedhur poshtë propozimin e tij.

Seanca e së hënës pati edhe përplasje mes përfaqësuesve të partive humbëse të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Deputeti i VV-së i akuzuar për terrorizëm, Frashër Krasniqi, duke iu referuar Haradinajt e Veselit, tha se komandantët s’po kanë guxim të vinë në seancë, e po ashtu pretendoi se të njëjtit po kërkojnë ndihmë nga njerëz të krimit, për të krijuar votat për krijimin e Qeverisë, duke iu referuar edhe Ukë Rugovës, djalit të presidentit historik Ibrahim Rugova.

“Po të mos ishin ata komandantë, as zoti Mikullovci nuk do të ishte në këtë Kuvend që ta drejtojë seancën në gjuhën shqipe”, iu kundërpërgjigj Krasniqit, Labinot Tahiri, ish-këngëtari, i zgjedhur deputet i AKR-së.

Deputeti tjetër i koalicionit LAA, Naser Osmani i LDK-së, ia kujtoi Krasniqit se vetë është i akuzuar.

“Kjo foltore të mos tentohet të shndërrohet në një foltore ku dikush e merr rolin e prokurorit e është në bankën e të akuzuarit”, tha Rugova, duke aluduar në aktakuzën për sulmin terrorist ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, në të cilën përshihet edhe deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi.

Ndërkohë sa mbahej kjo seancë, PDK-ja kishte mbledhur kryesinë e saj në seli qendrore, derisa PAN-i si koalicion konfirmoi pjesëmarrjen në takimin konsultativ të thirrur për të mërkurën në orën 10:00.

Pozitivisht, këtij takimi, iu përgjigj edhe LAA, e për këtë tregoi Avdullah Hoti, pas mbylljes së seancës.

S’ka kuorum në Kuvend, por deputeti i VV-së vazhdon fjalimin

Pas pauzës 15 minuteshe të vazhdimit të katërt të seancës konstitutive të Kuvendit, në sallë kanë munguar edhe dy deputetë tjerë. Kjo nënkupton se Kuvendi serish nuk ka arritur të krijojë kuorumin, pasi në sallë të pranishëm janë vetëm 53 deputetë.

Kryesusi Adem Mikullovci ka treguar se seanca nuk mund të vazhdohet, megjithatë deputeti i VV’së, Glauk Konjufca ka marrë fjalën në foltore.

Ai ka kritikuar PAN’in e ka fajësuar presidentin Thaci për bllokadën e Kuvendit.

“Presidenti Thaçi është kryekëput i koalicionit PAN. Kjo i bie qe koalicioni PAN nuk po vijnë në seancën që ekan thirre vet”, tha Konjufca, shkruan Gazeta Express.

Ndryshe, të hënën në sallë kanë munguar edhe deputetët e AKR’së, që janë pjesë e koalicionit LAA, përjashtuar Korab Sejdiun i cila ka qëndruar në sallë.

Nga LAA ka munguar edhe deputetja e LDK Teuta Rugova.

Siç edhe ishte paralajmëruar, edhe PAN ka munguar serish dhe deputetët e minoriteve.

Ndërpritet seanca/ AKR i bashkohet bojkotit të PAN-it dhe minoriteteve në Kuvend

​Deputetja e LAA-së, Teuta Rugova, as në vazhdimin e katërt të seancës konstituive të Kuvendit, nuk është parë në sallë. Kësaj here as deputetët e AKR-së nuk kanë marrë pjesë në seancë.

Të pranishëm në Kuvend, sipas kryesuesit Adem Mikullovci, janë vetëm 55 deputetë në sallë, dhe kjo nuk mundëson kuorumin për vazhdimin e seancës.

Mikullovci tha se për këtë kërkon 15 minuta pauzë.

Në sallë, përveç deputetëve të koalicionit PAN, kanë munguar edhe deputetët e minoriteve, Teuta Rugova e LAA-së dhe deputetët e AKR-së.

Sot përpjekja e katërt për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot duke filluar nga ora 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve.auto_Kuvendi_i_Kosoves1498803728

Megjithatë, koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës së sotme, duke thënë se e njëjta është thirrur në mënyrë të njëanshme.

Sipas saj, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, e ka bërë të qartë se Grupi Parlamentar do të bojkotojë seancën,  në rast se nuk mbahet takimi konsultativ i të gjitha subjekteve politike.“Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj e ka bërë që ditur qëndrimin që nuk marrim pjesë në seancë pasi ajo është thirrur në mënyrë të njëanshme. Hoxhaj ka propozuar që të mbajmë takimin konsultativ të mërkurën, dhe  më pas të thirret seanca”, tha Deliu-Kodra.

Ajo ka shtuar se PDK është për zgjidhjen e krizës institucionale përmes një konsensusi në mes të të gjitha subjekteve politike dhe jo siç deklaroi ajo, në mënyrë të njëanshme.Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave. Ai madje gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se në seancën e nesërme do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum.

Në anën tjetër, Shtetet e QUINT-it kanë shprehur brengosjen e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë, duke thënë se është përgjegjësi e liderëve kosovarë t’i krijojnë institucionet por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen.

Ndryshe, sot për herë të katërt do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura