Kush fiton nga kriza turke?

Aug 17, 2018 | 12:07
SHPËRNDAJE

ENIO CIVICI enio-civici

Sa serioze është kriza e li rës turke? Cilët janë aktorët? Cilat do të jenë pasojat? Kush është prekur më shumë? Në cilat implikime përfshihet Shqipëria? Këto janë pyetjet më normale që duhet të bëjë një qytetar shqiptar i kujdesshëm, të dijë se çfarë po ndodh me një ndër partnerët më të afërt të Tiranës zyrtare dhe asaj tregtare. Por përpara, në një  paragraf ose dy, është e rëndësishme të paraqitet konteksti historik dhe diplomatik në të cilin jemi. Fillesa e rënies së lirës turke nisi me hapa mikroskopikë ekzaktësisht 1 muaj më parë, kur u zhvillua dhe takimi historik mes Trump-it dhe Putin-it. Në atë ditë, sipas editorialit të “The Guardian”, sigurisht që nuk u shitën vetëm buzëqeshje dhe fotografi ekskluzive. Aty, në mënyrë besoj aspak diplomatike, u tund dhe statusquo-ja e hapësirave të influencës të secilit shtet. Pas Kim Jong, Macron, May apo të tjerë liderë individualë, është e qartë strategjia e Trumpit për të rinegociuar peshat influencuese të SHBA-së në secilin rajon të globit. E ndërsa Turqinë deri tani e ka takuar si pritëse në Shtëpinë e Bardhë apo si një nga anëtarët e NATO-s, u desh një datë dhe vend specifik e asnjanës për të takuar Putin-in. Sipas këtij arsyetimi, por dhe një besimi të mbetur popullor, për sa i përket botës, Rusia është një aktor me peshë më të madhe se Turqia, të paktën në momentin që flasim. Për pasojë, në rajonin e Euroazisë deri në kufirin kinez, SHBA-ve u intereson mbi të gjitha marrëdhënia e qëndrueshme me Rusinë më shumë se me shtete të tjera, qofshin këto dhe aleate si Turqia. Vetëm në këtë prizëm mund të interpretohet shfrytëzimi i burgosjes së një pastori për të nisur një luftë tregtare relativisht të padrejtë, ku lojtari më i vogël është ai turk.

Çfarë ndodhi ekzaktësisht? Sanksioneve bllokuese të çelikut të nisura nga Shtëpia e Bardhë, të ndjekura nga fjalia “..Marrëdhëniet tona me Turqinë nuk janë të mira në këtë moment…”, tregjet iu përgjigjën pozitivisht, duke e shitur pozicionin e tyre në bursë, i cili kishte lidhje me ekonominë e Turqisë. Pasoja direkte ishte zhvlerësimi i monedhës turke, lira. Presidenti i vendit, Erdogan, ishte i pari dhe më i ashpri në përgjigjen ndaj këtij vendimi, ku nuk ngurroi të shprehej, “..Ne do të reagojmë ndaj atyre që i shpallën luftë botës, duke prekur dhe Turqinë, ne do të krijojmë aleanca të reja..” Në ditët në vazhdim, qeveria turke e rriti nivelin e rrezikut, duke deklaruar bojkot të pajisjeve elektronike amerikane si dhe bllokim të materialeve të ndërtimit që vinin nga SHBA-ja. Por rezultati ishte përsëri një rënie e monedhës së lirës, e cila u zhvlerësua me më shumë se 20% dhe preku nivelin më të ulët prej dekadash duke u shkëmbyer me 7.24 me dollarin amerikan. Lenini thoshte se mënyra më e mirë për të shkatërruar një sistem kapitalist është të turpërosh monedhën e tij. Aq e madhe ishte rënia e lirës turke, sa efekti dominò filloi dhe rënia preku gjithashtu ruplën indiane. Shqetësimit në rritje të investitorëve, bankave dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, iu përgjigj fillimisht presidenti turk, i cili sipas “Financial Times” e quajti rritjen e normave të interesit si “…Nënën dhe babain e gjithë të këqijave, pasi shkaktojnë rritjen e kostove…” Në ndjekjen e së njëjtës linjë, Banka Qendrore e Turqisë, edhe pse prej muajsh përballet me një nivel inflacioni prej 16%, kur objektivi është 5%, u përgjigj thjesht duke rritur kostot e huamarrjes për bankat vetëm për instrumentet “overnight” dhe jo duke rritur normën bazë të interesit. Qeveria turke, në vazhdimësinë e tentativës për të qetësuar tregjet, me anë të ministrit të Financave, Berat Albayrak, prezumisht me emër shqiptar, i quajtur dhe Jared Kuschner i Turqisë, publikoi dhe një plan aktiv masash, të cilat do të implementohen nga ekzekutivi i Ankarasë.

Aktualisht ndodhemi në këtë moment, kur lira turke ka ndaluar rënien, por tregjet shfaqen të mbështjella me mungesë besimi në masat e brendshme dhe në pritje të një qetësimi të marrëdhënieve mes dy shteteve. Por ashtu si thamë më lart, në tekst dhe në kohë, duhet kuptuar se cila është marrëdhënia diplomatike dhe cilat janë zonat e influencës, në të cilat përkojnë SHBA dhe Turqia.

Si arriti Turqia në këtë gjendje dhe a është borxhi turk ndryshe nga të tjerët? Si një shtet me një borxh të lartë të jashtëm, Turqia radhitet ndër ekonomitë emergjente, të cilat për shumë vjet, me një monedhë relativisht të dobët, e kanë bazuar financimin kryesisht në investime të dominuara në dollarë. Një tjetër problem që ka prekur ekonominë turke është dhe fakti se 72% e rezervave të saj janë në ar dhe tek sa ky i fundit ka humbur vlerë në dy vitet e fundit, efekti ka prekur dhe “pasurinë” e shtetit turk. Në këtë varësi dhe në dobësim të monedhës ka ndikuar dhe vendimi i zgjatur në vite i qeverisë turke për të promovuar norma të ulëta interesi. Këto të fundit kanë shtyrë një pjesë të madhe të kompanive turke t’u nënshtrohen kredive dhe të përfshihen përherë e më shumë në borxh. Edhe pse kemi parë shpesh programe shpëtimi ndërkombëtare për ekonomi në zhvillim, rasti i Turqisë është ndryshe nga të tjerët. Nëse në Greqi apo Spanjë duhej shpëtuar shteti, pasi borxhi sovran ishte i lartë, në Turqi duhen shpëtuar bizneset duke e bërë situatën shumë më të komplikuar.

Cila është lidhja e Shqipërisë me këtë krizë?

Përtej marrëdhënies historike, tregtisë së pandalur që nga vitet ‘90 si dhe rritjes së prezencës së kapitalit turk në Shqipëri përmes bankave, telekomunikacionit e së fundmi aviacionit, Shqipëria përmban pashmangshmërisht një peshë të pasojave të zhvlerësimit të lirës. Për periudhën janar–qershor 2018, eksportet shqiptare drejt Turqisë kanë rënë me 880 milionë lekë, ndërsa importet turke drejt Shqipërisë janë rritur me 700 milionë lekë. Pra, në kontekstin e marrëdhënieve tregtare, rënia e monedhës turke do të favorizonte importet. Dhe nëse trendi i ngushtimit të deficitit tregtar vazhdon, atëherë do të bëjë pikërisht atë edhe në momentet që flasim. Por kaq me lajmet e mira. Aspekti negativ i një lire turke të dobët është humbja e fuqisë së kapitalit që financohet nga kjo monedhë, pra pikërisht likuiditeti dhe investimet turke në vendin tonë janë të parat që vuajnë. Për t’iu rikthyer titullit të shkrimit, më duhet të them se është e rëndësishme të kuptohet që nëse ka një fitues, atëherë ka përherë edhe një humbës. Për sa i përket prekjes së ekonomisë shqiptare dhe zhvillimit të saj nga kriza aktuale turke, jemi në kohë për të konsideruar ndërhyrjet e mundshme.

Atë që nuk e bën dot ushtria, e bën lehtësisht ekonomia. Sigurisht që krahasimi për shkaqet dhe momentin nuk qëndron, por përballë grushtit të shtetit të vitit 2016, Turqia sot përballet me një rrezik disa herë më të madh. Jo vetëm për qeverinë e Erdogan, por dhe për strukturën financiare të secilit shtetas turk. Sigurisht, nëse kjo krizë vazhdon dhe nuk mbyllet thjesht me një “tweet”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura