Kush është organizatori i “Masakrës së Cërrikut”, që OFL i çoi “ultimatumin” në burg

Aug 19, 2020 | 13:56
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Një i dënuar për vrasje dhe 4 të tjerë për çështje që lidhen me narkotikët, janë personazhet e radhës që kanë marrë letër dje nga OFL-ja për të deklaruar pasurinë brenda 48 orëve.met bozi

Mes tyre është edhe Met Bozi, i akuzuar si organizatori i “Masakrës së Cërrikut”, i cili aktualisht ndodhet në burg. Edhe personazhet e tjerë janë jo pak të njohur, pasi emrat e tyre janë bërë publikë në media për operacione mjaft të rëndësishme droge, siç ishte zbulimi i laboratorit të heroinës në Has, apo trafiku i kokainës nga Panamaja. Personat që morën dje letër nga OFL-ja për të deklaruar pasurinë janë: Elis Bahushi, Edmond Stafa, Met Bozi e Bledi Çepa nga Elbasani, si dhe Armand Gavelli nga Berati.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut për veprime të mëtejshme. OFL-ja është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL-ja do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”, tha zyrtarisht Policia.Met-Bozi-1-750x654

MASAKRA E CERRIKUT

Met Bozi është një nga të dënuarit që mori dje formularin e Forcës së Ligjit për të deklaruar pasurinë. Ai ndodhet në burg që prej vitit 2016, kur u arrestua nga Policia e Elbasanit si një prej organizatorëve të “Masakrës së Cërrikut”. Masakra ndodhi në vitin 1997, ku mbetën të vrarë 6 punonjës të Gardës së Republikës. Policia tha 4 vite më parë se kishte arrestuar shtetasin Met Bozi, dënuar me burgim të përjetshëm.

Ai ishte arrestuar edhe më herët, por në vitin 2012 Gjykata e Apelit i dha lirinë, duke e arsyetuar se kishte mungesë provash. Masakra ndodhi në 23 maj të 1997, kur njëra nga makinat e blinduara të Policisë, teksa u fut në qytet, u përball me breshëri të shtënash. Ndaj saj u qëllua me antitank dhe brenda u hodh edhe granatë. Brenda mjetit disa gardistë u dogjën, të tjerët që mundën të dilnin u gjendën përballë breshërisë së armëve. Nga sulmi mbetën të plagosur edhe 16 efektivë të tjerë.

TRAFIKU I DROGES

Katër personat e tjerë që morën letër nga OFL-ja janë të dënuar për çështje droge. I pari është Elis Bahushi, një nga 27 të arrestuarit e dy viteve më parë, i akuzuar si i përfshirë në ngritjen e laboratorit të përpunimit të heroinës në fshatin Brenog të Hasit. Nga hetimet e atëhershme dyshohej se 37- vjeçari Bahushi ka pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike dhe përbërësve të saj nga Turqia drejt vendit tonë. Disa hyrje-dalje nga sistemi TIMS, ku Elis Bahushi ka udhëtuar më shpesh në Turqi, Maqedoni dhe Kosovë, provoheshin nga sistemi. Policia shprehej se Bahushi dhe familja e tij prej më shumë se 25 vitesh ushtronin aktivitetin e tyre tregtar në qytetin e Elbasanit, kryesisht në fushën e veshjeve dhe metrazhit. Furnizimin me lëndë të parë, familja Bahushi e kryente në Turqi dhe për këtë arsye ka dyshime nga Prokuroria se dy ekspertët turq, të cilët janë shpallur në kërkim nga Policia shqiptare, të jenë dërguar në vendin tonë nga 35-vjeçari Elis Bahushi. Personazhi tjetër është Edmond Stafa, i cili në vitin 2017 u arrestua pasi kërkohej në Itali. Sipas mediave italiane, thuhej se arrestimi i tij vinte pas zbulimit të 28 kg heroinë të fshehur në një zgavër të bërë në murin e një apartamenti në Stezzano, pas operacionit të kryer nga Policia lokale e Bergamos në vitin 2000. Personi tjetër që mori letër dje është Armand Gavelli, i cili 5 vite më parë është ekstraduar nga Caracas i Venezuelës. Gavelli, 49 vjeç, nga Berati, ishte i dënuar me 12 vjet burg për trafikim të lëndëve narkotike. Me vendimin penal nr. 19, datë 23.03.2012, Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte dënuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”. Sipas Policisë, shtetasi Armand Gavelli, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, nga Panamaja në drejtim të Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura