Kush është Lumjan Matmuja, mëngjarashi me kapuç që vuri tritolin te farmacia e Tahirit

Feb 28, 2015 | 16:00
SHPËRNDAJE

Personi që dyshohet se ka vendosur 400 gramë tritol të lidhura me celular në farmacinë e Bashkim Tahirit, është 27-vjeçari, Lumjan Matmuja.

Personi me biciklete qe vuri tritolin te farmacia e Bashkim Tahirit

Ky është personi që kamerat e sigurisë së lokalit pranë vendngjarjes e kanë fiksuar duke lëvizur me biçikletë, me kapuç në kokë e maskë në fytyrë dhe që vendosi pakon me eksploziv sipër kondicionerit.

Duke iu referuar materialit të Policisë së Tiranës dhe analizës së pamjeve filmike, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dyshime të arsyeshme se parametrat fizikë dhe lëvizjet që kryen autori në vendngjarje, përputhen me të dyshuarin Matmuja.

Veç kësaj analize që u është bërë pamjeve, burime nga grupi hetimor thanë se personi që ka vendosur tritolin mbi kondicioner është mëngjarash, pasi përdor gjithmonë dorën e majtë, karakteristikë kjo edhe e të dyshuarit Lumjan Matmuja.

Këto dyshime janë përforcuar edhe nga lëvizjet që ai ka kryer në zonën ku ndodhi ngjarja, para, gjatë dhe pas shpërthimit, pasi janë verifikuar qelizat e celularit dhe numrit që ai kishte në përdorim. I njëjti person, sipas burimeve, ka vendosur edhe pakon me eksploziv që nuk shpërtheu në Rrugën “Muhamet Gjollesha”, para se të vendoste tritolin në farmacinë e Tahirit.

Nga veprimet hetimore, rezulton se edhe dy prej të arrestuarve kanë qenë në këto dy zona, në kohën kur ndodhej edhe 27-vjeçari Matmuja. Personat që e kanë mbështetur në distancë të afërmin e tyre, sipas organit të akuzës janë Erjon Dule dhe Kamber Bruka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura