Kush do të punojë në Shqipëri?! Popullsia mbi 65 vjeç do të jetë sa 80% e forcës së punës më 2070

Feb 2, 2024 | 7:12
SHPËRNDAJE

Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë në vitet në vijim që të ofrojë një jetë dinjitoze për pensionistët.

te moshuar

E para shumica e atyre që punojnë aktualisht nuk paguajnë sigurime dhe e dyta plakja e shpejtë e popullsisë po rrit varësinë e moshave të vjetra ( ky raport shpreh popullsinë +65 në përqindje të forcës së punës 15-65 vjeç).

Në vitin 2023 Shqipëria e kishte grup-moshën  mbi 65 vjeç sa 25 % e forcës së punës (15-65 vjeç),  në nivele të krahasueshme rajonale. Por zhvillimet e pafavorshme demografike do të bëjnë që në vitin 2070 grup-mosha +65 të jetë sa 80 % e forcës së punës (15-65 vjeç), përllogarit Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e fundit të marrëveshjes me Shqipërinë.

Varësia e të moshuarve në Shqipëri në vitet 2070 do të jetë në nivelet më të larta rajonale (shiko grafikun e mëposhtëm). Kjo do të thotë se në dekadat në vijim popullsia në moshe pune do të barazohet me pensionistët. Por zhvillimet reale të popullsisë të cilat në dekadën e fundit kanë shkuar me keq se projeksionet i bëjnë edhe më trishta zhvillimet.

Vitin e kaluar pensioni mesatar në vend arriti në 19 000 lekë (rreth 200 dollarë) në muaj. Ata në decilin më të ulët marrin mesatarisht 8500 lekë në muaj dhe ato në decilin më të lartë 38 mijë lekë. Ndërsa pensioni social që merret në moshën 70 vjeç nga ata që nuk kanë paguar sigurime arriti në 8,588 lekë në 2022, që është afërsisht një e katërta e pagës minimale.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se në të ardhmen ka të ngjarë që më shumë njerëz në të ardhmen të marrin vetëm pensione të pjesshme, pensione sociale për shkak të kohëzgjatjes së pamjaftueshme të kontributit.

Kjo e kombinuar me uljen e shkallës së zëvendësimit mund të ngrejë shqetësime për rritjen e varfërisë në moshat e vjetra. Ndërsa në vitin 2012 personat që kanë dalë në pension kishin kontribuar mesatarisht 35 vite, ata që dolën në pension në 2022 kontribuuan mesatarisht për 27 vite.

FMN këshillon qeverinë të adresojë mbulimin e dobët të popullsisë në moshë pune me sigurime. Për arritur këtë Fondi rekomandon stimuj për të rriturit në moshë pune që të paguajnë sigurime.

Gjithashtu përfitimet e pensioneve në të ardhshmen duhet të jenë i harmonizuar mirë me kontributet.

Për të frenuar përkeqësimin e përfitimeve në pleqëri Fondi rekomandon lehtësimin e pensioneve vullnetare dhe skemat private, pasi në disa vende kanë nxitur njerëzit të paguajnë sigurime për pensionin./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura