Kukësi-Tirana, izraelitët e bëjnë lëmsh

Aug 30, 2018 | 10:24
SHPËRNDAJE

Kukësi-Tirana bëhet lëmsh nga ShqipëriIzrael. Ndeshja e javës së tretë mes verilindorëve dhe bardhebluve nuk do të luhet në Elbasan, por është spostuar në “Loro Boriçi” dhe do të luhet të dielën në orën 16:45. Është ky vendimi më i fundit i FSHF-së, që për të pasur një fushë në kushte sa më optimale, nuk ka lejuar që ndeshja Kukësi-Tirana të luhej në Elbasan, ndryshe nga sa ishte e programuar në fillim.

Loro Borici

Të paktën ky është versioni zyrtar, por burime bëjnë me dije se stadiumi është mbyllur për çështje sigurie. Ndërkohë, sfida mes Kukësit dhe Tiranës gjatë këtyre ditëve ka shëtitur në çdo stadium. Në fillim u fol për t’u luajtur në “Selman Stërmasi”, por ishte FSHF-ja dhe kuksianët që nuk deshën. U hodh ideja që sfida të luhej në Kamzë, por edhe ky version u rrëzua. Në fund, pas negociatave u vendos që takimi të luhet në Kukës të dielën, po në orën 16:45, pasi verilindorët nuk paguajnë për impiantin e dritave.

NDESHJA E KOMBËTARES – Më 7 shtator Shqipëria do të presë Izraelin në “Elbasan Arena” në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, me  shpresën për të marrë tri pikët në këtë përballje. Kanë kaluar vetëm dy vite nga përballja e fundit midis tyre dhe, përpos humbjes 0-3 në Elbasan, mbahen mend ende masat tepër të rrepta të sigurisë nga ana e Policisë. Edhe pse Policia e Shtetit nuk ka dalë ende në një komunikatë zyrtare rreth kësaj ndeshjeje, pasi ka ende kohë deri ditën e ndeshjes, burime të “Panorama Sport” pohojnë se nuk do të ketë ndryshime nga masat e marra para dy vitesh.

Shqiperi Izrael

Ndër ato më ekstremet shihet ajo e bllokimit të tunelit në rrugën Tiranë-Elbasan, të paktën në intervalin kohor që delegacioni izraelit do të përshkruajë këtë rrugë. Përpos kësaj, as banorët që kanë shtëpinë në pallatet përreth stadiumit nuk do të lejohen të dalin nëpër ballkonet apo dritaret e tyre për të parë ndeshjen. Ndërkohë, mësohet se po shihet mundësia për të evituar radhët e gjata të hyrjes së tifozëve në stadium, duke mos i grumbulluar të gjithë në një vend, por të ngrihen pika kontrolli nëpër hyrjet e ndryshme të stadiumit. Ka qenë një “luftë” më vete futja në stadium në të tilla ndeshje, për shkak se 12500 tifozët duhet të grumbulloheshin në një vend dhe më pas të shkonin nëpër hyrjet e stadiumit, duke qëndruar më shumë se dy orë në radhë për të hyrë në impiant.

elbasan-arena-1

PËRGATITJET
 – Prej disa ditësh, në “Elbasan Arena” kanë nisur përgatitjet për të pritur sa më mirë këtë ndeshje, duke mos ia lënë gjithçka minutave të fundit dhe rastësisë. Duke nisur nga disa meremetime në ambientet e brendshme, që kanë theksuar ngjyrat kuqezi të kombëtares dhe deri te pamja e jashtme e tij. Gazeta ka siguruar një foto të këtyre ditëve të fundit, teksa e gjithë fasada qendrore e stadiumit i është nënshtruar një larjeje të plotë, duke e bërë më atraktive pamjen e jashtme të impiantit. Mund të thuhet se nga ana vizuale gjithçka është gati në “Elbasan Arena” për të pritur përballjen e parë në Ligën e Kombeve midis Shqipërisë dhe Izraelit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura