Kukësi mendon për sezonin e ardhshëm, me listë në dorë për rinovimet

May 3, 2018 | 10:26
SHPËRNDAJE

Me fitoren në Korçë, kampionët e Kukësit kanë hedhur një hap të sigurt drejt vendit të dytë, i cili pritet të jetë një mundësi e artë për të luajtur në Champions Ligë, duke qenë se vendimi për dënimin e Skënderbeut nga UEFA vazhdon të jetë në fuqi. Drejtuesit e Kukësit me të përfunduar sezoni, më saktë me t’u arritur objektivi, ku matematikisht do sigurohet vendi i dytë, do angazhohen për të riorganizuar ekipin sidomos për Kupat e Europës, por dhe sezonin e ri, pasi shumë prej futbollistëve dalin të lirë në fund të sezonit.

kontratat

Por secili prej lojtarëve, dhe pse iu përfundon kontrata me mbylljen e kampionatit, nëse nuk i lejon klubi, nuk largohen dot, pasi kanë klauzolë të përcaktuar qartë që do të jenë pjesë e ekipit për ndeshjet e Kupave të Europës. “Panorama Sport” mëson se nuk janë të paktë futbollistët që iu skadon kontrata, pavarësisht se shumica prej tyre e kanë me të drejtë rinovimi dhe për një sezon tjetër. Dhe klubi pritet që një pjesë të madhe të këtyre lojtarëve t’i thërrasë për të firmosur kontratat e reja.

NDESHJA – Trajneri Pakult ka vijuar përgatitjet për sfidën kundër Lushnjës, e cila do të luhet ditën e shtunë në “Zeqir Ymeri” në Kukës. Tekniku austriak ka kërkuar që i gjithë ekipi të qëndrojë me “këmbë në tokë” dhe mos t’i kap euforia mbas fitores në Korçë. Ai u ka kujtuar dhe ndeshjet e më- parshme me lushnjarët, të cilët kurrsesi nuk duhen nënvlerësuar, pasi ishin pikërisht ata që në sfidën e shkuar në “Zeqir Ymeri” e mposhtën Kukësin. Sakaq, trajneri ka vëzhguar me imtësi situatën në radhët e ekipit, pasi problematika dëmtimesh apo kartonësh ka.

Kukesi

Pakult nuk ka në dispozicion në këtë takim Elton Kalenë dhe Albi Allën, të cilët kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, ndërsa kapiteni Shameti vijon rikuperimin. Qendërmbrojtësi i është bashkuar grupit, por nuk ka marrë ngarkesë të plotë, përveçse ka testuar këmbën me disa ushtrime me topin. Pritet që as në këtë takim Shameti mos të luajë, pasi mjekët kanë kërkuar kohë që ai të rikuperohet plotësisht. Ndërsa Rrumbullaku nuk ka dalë dje në stërvitje, pasi ka qenë me temperaturë. Presidenti Gjici e konsideron të papranueshëm çdo rezultat tjetër veç fitores në ndeshjen ndaj Lushnjës. S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura