Nuk ishte aleancë politike, Tirana dhe Kukësi bëjnë thjesht teatër

Feb 11, 2017 | 18:55
SHPËRNDAJE

U fol për aleancë si politika, por Kukësi dhe Tirana nuk e bënë një gjë të tillë, thjesht dhanë teatër në “Selman Stërmasi”, në një ndeshje ku në 45 minutat e dyta mund të flitet për gjithçka, veçse për futboll.

Në pjesën e parë loja me top luhet ashtu siç duhej, me Tiranën dhe Kukësin që nuk kursehen dhe me një lojë më se të pëlqyeshme. Në fund, goli i shënuar nga Taku bën diferencën, për të çuar në pushim bardheblutë me një avantazh që ishte i merituar dhe verilindorët të ndërgjegjshëm se këtë ndeshje kishim shumë mundësi ta humbnin.

Pjesa e dytë është diçka krejtësisht ndryshe, që ka pak të bëjë me futbollin e një kampionati që cilësohet “rivalizues” si rrallëherë. Tirana duket një skuadër tjetër dhe të njëjtët mbrojtës që linin pak hapësira për Pejiç dhe Eminin, tani thjesht shoqërojnë me sy sulmuesit kundërshtarë, duke u dhuruar hapësira që trrallëherë i kanë gjetur në vitet e fundit në Superiore.

Ndaj shfaqja e turpshme në “Selman Stërmasi” vazhdon me golat e Pejiç dhe Eminit që përmbysin rezultatin dhe i japin tre pikët Kukësit, që vazhdon i qetë në kryesimin e kampionatit, pas një teatri skandaloz që u dhurua në kryeqytet.

Tirana - Kukesi pjesa 2

MINUTË PAS MINUTE

90’+3′ Mbyllet ndeshja me fitoren e Kukësit. 

eminiiii

83’ Ashtu siç pritej, erdhi edhe goli i avantazhit për Kukësin. Pas një aksioni të insistuar të Kukësit, Kale pason për Eminin në qendër dhe ky i fundit nuk gabon duke dërguar topin në rrjetë. 1-2

80’ Cise ka mundësinë të shënojë golin e avantazhit për Tiranën, por gjuajtja e sulmuesit të Tiranës, edhe pse i vetëm para Koliçit, është në trup të portierit duke shpërdoruar një mundësi të jashtëzakonshme për të shënuar.

75’ Lushtaku depërton me lehtësi deri para Likës por preferon të mos gjuajë duke humbur momentin e mirë për të shënuar.

73’ Prej disa minutash po luhet vetëm në zonën e Tiranës, me lojtarët e Kukësit që kanë hapësira që nuk gjendeshin në pjesën e parë, për të rrezikuar katërkëndorin e Likës. Është merita e këtij të fundit në disa grushtime të sakta apo edhe pasaktësi e sulmuesve të verilindorëve, që ndeshja vazhdon të jetë në barazim.

69’ Pas një goditje dënimi, Imami me kokë provon të gjejë golin, por Lika është përsëri i vëmendshëm.

68’ Ilion Lika vazhdon të mbajë në lojë Tiranën në këtë duel. Mbrojtja e Tiranës, e cila po kontrollonte gjithçka mirë në pjesën e parë tani lë shpeshherë të lirë Pejiç dhe ky i fundit arrin të gjuajë drejt kuadratit me lehtësi. Por gardiani i Tiranës grushton një tjetër gjuajtje të kroatit nga një distancë e afërt duke shpëtuar katërkëndorin nga një gol i sigurt.

63’ Lika i mohon golin e avantazhit Pejiçit i cili shfaqet në pozicionin e tij të preferuar në krahun e djathtë. Por këtë radhë portieri është në vendin e duhur për të devijuar jashtë gjuajtjen e sulmuesit kroat.

57’ Ngulmimi i Kukësit në këto minuta të para shpërblehet me golin e barazimit të Pejiç. Sulmuesi merr një pasim në zonë nga Lushtaku dhe gjuan pas një rrotullimi të shpejtë duke shmangur si mbulimin e mbrojtësit kundërshtar, ashtu edhe duke mposhtur Likën që nuk arrin të devijojë topin. 1-1.

52’ Pejiç dërgon topin në rrjetë pas një goditje dënimi nga e majta e sulmit të Kukësit, por anësori sinjalizon për pozicion jashtë loje.

46′ Nis pjesa e dytë me zëvendësim te kryesuesit e Superiores, ku Musolli i lë vendin në fushë Lushtakut.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë me Tiranën në avantazh.

41’ Përsëri Taku rrezikon portën e Tiranës. Mesfushori lëshon një gjuajtje nga distanca që kalon pak mbi kryqëzimin e shtyllave të portës së Koliçit.

39’ Tirana në avantazh. Pas një goditje dënimi, Koliçi nuk kontrolloi topin siç duhet. Sfera përfundoi te Hoxhallari dhe ky i fundit gjeti Takun, i cili pak hapa larg portës, nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. 1-0

35’ Zëvendësim i detyruar për Josën. Në fushë Caka në vend të Domgjonit të dëmtuar, shtohen problemet në prapavijën e bardhebluve.

33’ Dvornekoviç pretendon penallti pas një përplasje në zonë me Cise por Jorgji lejon lojën të vazhdojë.

26’ I afrohet golit Kukësi me Eminin që kontrollon një pasim perfekt të Shametit. Por Turtulli ndërhyn në çastin e fundit për të shpëtuar portën e Tiranës.

17’ Vjen edhe shkëndija e parë nga Kukësi, Emini në të djathtën gjuan fort në portë, por Lika grushton topin në fundore.

15’ Gjuajtje e shkëlqyer nga rreth 25 metra e Likës, përgjigje po aq e bukur nga Koliçi i cili devijon topin i cili po i drejtohej rrjetës.

11’ Goditje dënimi ballore e Tiranës, me Takun që provon me një gjuajtje të ulët, por Koliçi është i vendosur në pozicion.

8’ Kombinim nga e djathta i Dokës me takun, ky i fundit gjen Cise në qendër por nuk e devijon siç duhet, me Koliçin që kontrollon jo pa vështirësi.

3’ Disa harkime radhazi në zonën e Tiranës, por asnjë prej sulmuesve të Kukësit nuk arrin të shqetësojë Likën.

1′ Tirana fillon ndeshjen me shkelmimin e topit të parë.

tirana kukesi

Tirana-Kukësi 1-2
39′ Taku / 57′ Pejiç, 83′ Emini

Tirana: I. Lika, Domgjoni (35′ Caka), Doka (66′ Nuri), Turtulli, Hoxhallari, G. Lika, Daja, Taku, Moise, Halili (56′ Kërçiku), Cise.

Trajner: Mirel Josa

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Rrumbullaku (70′ Kale), Dvornekoviç (58′ Guri), Musolli (46′ Lushtaku), Karioka, Imami, Emini, Pejiç

Trajner: Ernest Gjoka

KV: Karioka

Gjyqtar: Enea Jorgji

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura