“Kujtoj me dhimbje shoqëruesin e grupit tonë, që e zhduku Sigurimi”/ Dëshmia e rrallë e marksistit italian që vizitoi Shqipërinë e Enver Hoxhës: Vetëm pse pranoi një dhuratë…

Mar 27, 2024 | 7:34
SHPËRNDAJE

deshmiaIntervistoi Roland Sejko

“Stalinistë të papërkulur të të gjithë botës, bashkohuni. Adhurues të diktaturës të proletariatit, marksistë-leninistë (me vizë në mes) të paepur, luftëtarë të revizionizmit sovjetik e, fundamentalistët të Partisë Komuniste Italiane. Të gjithë në Shqipëri. Për të parë arritjet e marksizmit të kulluar dhe stalinizmit të qëruar”. Vinjetisti i famshëm Italian, Sergio Staino, baba i Bobo-s, zëri kritik i së majtës në faqet e ‘Unita’-s dhe dhjetëra gazetave italiane, rrëfen se si nga viti 1968 deri më 1978, shoqëronte grupet radikale komuniste italiane në Shqipërinë socialiste. “Grupimi ynë komunist, i ashtuquajturi i linjës së zezë, ishte i vetmi që njihte Enver Hoxhën si lider të komunizmit në Europë. Për shpërblim, edhe Enver Hoxha, vetëm ne na njihte si bashkëbisedues në Itali” rrëfen Staino, sot marksist i penduar. “Gjithë të tjerët, nga Berlingueri e poshtë, deri te grupet extra parlamentare më ekstremistë, nuk quheshin të besuar”.

Si i besuar, Staino organizonte qëndrimin e shtegtarëve marksistë që donin të preknin me dorë mrekullitë e socializmit shqiptar. Çdo vit i njëjti program, nisje me traget nga Bari, mbërritje në Budvë të Malit të zi, autobuz deri në kufirin shqiptar, i cili kapërcehej më këmbë, me valixhet në dorë, përgjatë dy kilometrave të brezit kufitar, tokë e askujt që ndante Shqipërinë me Jugosllavinë. E pastaj hyrja triumfale në tokën e premtuar, vizita të shoqëruar në fabrika e uzina, kurse mbi mendimin teorik të Hoxhës, takime me zyrtarë të lartë, itinerarë kulturorë.

Me mbarimin e verës, shtegtarët ktheheshin e nisnin veprimtarinë e tyre revolucionare në Itali në pritje të verës tjetër të stazhit komunist. “Mu deshën vite të kuptoj se në ç’lemeri kisha rënë” thotë sot Staino, i përzënë nga Shqipëria më 1978-ën për të mos u kthyer më kurrë. Me kthimin në Itali atë vit, do të shpikte personazhin e tij më të rëndësishëm të vinjetave, Bobo-n, gjallë e shëndoshë sot si kurrë më parë, me thumbat e veta satirike çdo ditë, në faqet e para të ‘L’Unita’-së.

Zoti Staino, ju e keni prekur me dorë mashtrimin mbi të cilin ndërtohej sistemi komunist. Duke filluar nga mënyra si ju paraqisnin në mbledhjet e partisë: ju ishit “karikaturisti që e bën borgjezinë të dridhet”?!

Eh, po. Informacioni në Shqipëri ishte një gjë e veçantë. I shpiknin të gjitha lajmet që i jepnin për të ngrënë popullit. Një herë madje, gjeta një gazetë, ku për të treguar krizën që theksohej gjithmonë të sistemit kapitalist perëndimor, kishin botuar si foto aktuale, pra në vitet ’70-të, një foto tejet të famshme që e njohin të gjithë, të njerëzve në radhë, në Nju Jork në 1929, në momentin e krizës së madhe. Një gjë e 1929-ës shitej si të kishte ndodhur 50 vjet më pas. Unë nuk bëja përjashtim nga kjo lloj logjike.

Nomenklatura e partisë kishte nevojë t’i paraqiste popullit marrëdhëniet e veta ndërkombëtare, dhe kështu unë isha shndërruar në një karikaturist, që çdo mëngjes bënte borgjezinë t’i dridheshin leqet e këmbëve, me laps në dorë. Kini parasysh që unë botoja karikaturat e mia herë pas here, në një gazetë që quhej “Nuova Unità” dhe që dilte një herë në javë, dhe jo përditë, dhe që e lexonin në rastin më të mirë 1000 veta, pra imagjinoni ç’frikë më kishte borgjezia!

Ju ishit komunist italian. Përse shkonit në Shqipërinë socialiste? Ç’prisnit të gjenit?

U lidha me Shqipërinë gjatë krizës me Partinë Komuniste italiane, sepse unë si shumë të rinj të tjerë, (e jo vetëm të rinj), nuk e pamë me sy të mirë revizionizmin që kishte filluar brenda partisë komuniste, për parimet marksiste-leniniste, dhe rreth zbatimit të tyre, veçanërisht në Bashkimin Sovjetik. Duke mbrojtur vlefshmërinë e ideologjisë marksiste-leniniste dhe staliniste, kundër një zbatimi që objektivisht, linte për të dëshiruar.

Dy partitë që u ngritën në nivel ndërkombëtar kundër këtij revizionizmi, që përshkonte gjithë lëvizjen komuniste, qenë Partia Komuniste Kineze dhe Partia e Punës së Shqipërisë. Të gjithëve na mori vala filo-kineze, sepse natyrisht ishte partia më e madhe, më e rëndësishme, dhe nga pikëpamja e produktit publicistik, ishte më e pranishmja në tavolinat tona. Por Shqipëria kishte avantazhin, që ishte më afër nesh.

Kështu që u duk e udhës në atë moment të përmirësonte marrëdhëniet me revolucionarët e vërtetë italianë, që ishin më të bindurit për ndarjen e Partisë Komuniste ortodokse, dhe për formimin e një partie të re, që të kthehej në fillesën e saj të shëndetshme staliniste. Ndarja e vitit ‘66, qe një ndarje e sponsorizuar nga Tirana, nga Enver Hoxha personalisht. Unë në këtë parti hyra në 1969, dhe për pothuaj dhjetë vjet të jetës sime, kam qenë militant shumë i pasionuar, në mes kontradiktash të panumërta, pra m’u desh shumë për ta kuptuar, në ç’lloj vorbulle kisha hyrë.

Thatë se ndarja e 1966-ës, u drejtua nga Hoxha, nga komunistët shqiptarë, brenda partisë italiane?

Po! Kështu ndodhi. Qenë ata që shtynë më shumë për këtë çarje. Qenë ata që vunë në dukje më shumë ndarjen, ftuan menjëherë drejtuesit e partisë në Shqipëri, i nderuan, dhe lindi një miqësi personale, midis sekretarit tonë që quhej Fosco Dinucci dhe vetë Enver Hoxhës.

Si ishte një vizitë tipike e një delegacioni të partisë marksiste-leniniste në Shqipëri?

Herën e parë në Shqipërinë socialiste, shkova me një delegacion të vogël, ishim katër italianë, katër drejtues të shoqatës Italia-Albania. Mbërritëm me avion nga Bari, me një fluturim Bari-Tirana, me një “Foker” që kryente këtë shërbim. Na pritën në mënyrë mjaft të qetë dhe tradicionale, drejtuesit e ministrisë së Jashtme, na çuan në hotelin më të bukur të Tiranës, që ishte një hotel i ndërtuar nga Ciano, gjatë pushtimit italian, Hotel “Dajti”.

Mbaj mend që na çuan të shihnim gjëra artistike, arkeologjike si rrënoja romake, etj. Ajo që vura re, e ndodhte gjithnjë kështu, ishte vështirësia për të hyrë në kontakt me njerëzit e thjeshtë, vështirësi që diktohej nga fakti që dukej sikur asnjë, nuk fliste italisht. Më vonë mora vesh që shumica fliste italisht dhe që shikonte fshehurazi televizionin italian, mirëpo nuk e jepnin veten se dinin italisht, për të mos krijuar probleme me policinë sekrete (Sigurimin e Shtetit).

Çfarë ju goditi më shumë, në ardhjet tuaja të para në Shqipëri?

Një gjë që më bëri shumë përshtypje: duke vizituar vendin, në disa qytetet më pështynë, dhe unë nuk kuptoja pse. Shoqëruesit më kërkonin falje dhe më shpjegonin se disa të rinj nuk e kuptonin faktin pse mbaja mjekër, pasi në Shqipëri, kishte pasur një fushatë të madhe kundër degjenerimit borgjez, që kalonte edhe nga mjekra. Ajo shihej si diçka tipike e priftërinjve ortodoksë dhe myslimanë, që në Shqipëri ishin shpallur të jashtëligjshëm, sepse Shqipëria ishte shteti i parë ateist. Pra kishte ngatërresa të tilla, ndaj më kërkohej t’ua falja.

Ishte ndryshe situata kur shkova në rrugë tokësore, për të shoqëruar disa grupe në Shqipëri, duke i rënë nga Jugosllavia. Ishte një gjë e çuditshme sepse, më përpara keqtrajtoheshe nga jugosllavët, kur merrnin vesh se duhet të shkoje në Shqipëri. Në Mal të Zi, të vidhnin gjërat, të zvarritnin për arsye burokratike, me pak fjalë na trajtonin sikur të ishim budallenj.

Na thonin: “Çdo bëni në Shqipëri?! E meritoni keqtrajtimin”! Kurse pasi mbërrinim në Shqipëri, duhej të kamufloheshim. Delegacioni që mbërrinte, ndoshta pikërisht për të mos u përsëritur keqkuptimi që kisha pasur unë për shkak të mjekrës, duhet të kishte një imazh, që të përkonte me atë që regjimi shqiptar kishte ndërtuar për revolucionarin e vërtetë.

E si paraqitej ky imazh?

Kishte pankarta në Shqipëri ku tregohej si duhej dalluar një mikroborgjez i degjeneruar. Ai kishte flokë të gjatë, mbante mjekër, mbante xhinse kauboj, kishte këpucë me taka të larta, kishte në një dorë saksofon dhe në një tjetër një revole. Ky ishte portreti tipik, ndaj të gjithë ata që do të hynin me delegacione miqësore, nuk duhet të kishin asgjë të përbashkët me ato pankarta. Për të arritur këtë gjë zbuluam që në kufi, kishte një ushtarak rrobaqepës, një ushtarak berber, të cilët merrnin një nga një anëtarët e delegacionit dhe i “ri-vishnin”.

Mua më rruan mjekrën, por dhe shumë të tjerëve. Madje edhe një partizani napolitan që kthehej në Shqipëri, për të parë tokën për të cilën kishte luftuar; edhe me të qenë të pamëshirshëm, ia prenë mjekrën spic, që kishte mbajtur për gjithë jetën. Ata që kishin pantallona kauboj, ua prisnin, ua ngushtonin poshtë, duke ua kthyer në pantallona tub të zakonshme. Grave u zgjasnin mini-fundet. Kam parë delegacione marksistë-leninistësh suedezë e finlandezë, me flokë shumë të gjatë, si shenjë rebelimi ndaj rregullave perëndimore, dhe me të mbërritur në kufi i qethnin zero, sepse duhet të hynin në Shqipëri si marksistë-leninistë, sipas stilit shqiptar.

Kjo ishte pritja. Pastaj kishte shumë kontroll nga policia, vështirësi për të shëtitur vetëm sipas dëshirës, për të folur me njerëzit, dhe shumë, shumë zhgënjim, kur nëpër fjalimet zyrtare, dëgjoje të flitej për disa parime që nuk kishin asgjë të përbashkët me marksizëm-leninizmin, përkundrazi që shpesh i takonin qarqeve të të djathtës më reaksionare, apo madje të Kishës Katolike.

Për ju që keni qenë një ndër të paktët perëndimorë që arrinin të hynin në Shqipëri, si mund të përkufizohet komunizmi shqiptar në vetvete, në këndvështrimin e atëhershëm dhe të tanishmin?

Komunizmi shqiptar, kam zbuluar më vonë, ka bërë një përzierje të çuditshme, ndërmjet aspekteve më dogmatike të filozofisë komuniste, pra të “Manifestit të Partisë komuniste” të Marksit, dhe të mendimeve të Leninit, dhe pastaj atyre të Stalinit, por duke i shkrirë me atë ligj të njohur mesjetar të Lekë Dukagjinit, që ishte në fuqi në Shqipërinë malësore, fshatare e baritore, që bazohej kryesisht mbi trashëgiminë dhe gjakun. Kështu krijonte situata ku elementet e një padrejtësie, bazoheshin në përkatësinë në një familje të caktuar, në përkatësinë në një gjenealogji të caktuar.

Kjo mendoj se ishte gjëja më e frikshme që krijonte padyshim situata të trishta. Një herë shkova në Shqipëri me një shok, i ati i të cilit ishte shqiptar, i lindur në 1943-shin në Shqipëri, nga nënë italiane dhe baba shqiptar. Në vitin 1945, e ëma ishte kthyer në Itali, sepse i ati ishte zhdukur, kishte vdekur por askush nuk dinte si kishte ndodhur e, ku kishte përfunduar. Mikut tim i kishte mbetur dëshira për të zbuluar kush ishte i ati, çfarë kishte bërë, dhe pse kishte vdekur.

Kishte një dyshim. E ëma nuk i kishte folur kurrë për vdekjen e të atit, sepse ishte sëmurur rëndë, ishte çmendur plotësisht. Kështu e ndihmova të vinte me ne, për të gjetur rrënjët e tij. Dhe shqiptarët na informuan brutalisht, se i ati kishte qenë drejtor i një ndërmarrjeje bujqësore shumë të madhe në Durrës, nën regjimin fashist, se ishte pushkatuar nga partizanët, pasi e kishin marrë natën nga ndërmarrja. Për këtë arsye, mikut tim i thanë se prania e tij në Shqipëri, ishte një fyerje për të gjithë martirët e revolucionit, dhe se duhej të largohej brenda 48 orësh.

Unë u përpoqa t’u shpjegoja se ai nuk kishte të bënte aspak me të atin, se kishte ikur nga Shqipëria, kur ishte vetëm 2 vjeç, se ishte komunist dhe ishte i mirë, bujar…por asnjë rezultat. Fakti që ishte i biri i një fashisti, e bënte pa më të voglin dyshim edhe atë vetë fashist, dhe kur unë u thashë; “Shiko se ky nuk është fashist”, ata m’u përgjigjën: “Atëherë do të thotë se i është rebeluar gjakut të tij, do të thotë se ka tradhtuar të atin, dhe si i tillë, nuk mund të qëndrojë në Shqipëri”. Nuk kishte rrugëdalje, sepse kishte dy shtylla mbajtëse: ideologjia dhe gjenealogjia, dhe as gjenealogjia, nuk i lejonte të qëndronte aty.

Po juve, delegacioneve perëndimore, ju të “privilegjuarve” të themi, që mund të hynit në një vend që ishte plotësisht i mbyllur, a s’ju kish shkuar ndonjëherë në mendje, se ajo që ishte ndërtuar në Shqipëri, ishte një diktaturë?

Ishte diktaturë, e dinim. E teorizonim edhe ne sepse pranonim diktaturën e proletariatit. Por me kohë kuptova, vendosa të dal nga vorbulla dhe të denoncoj, se ajo nuk ishte një diktaturë proletariatit, – nëse një e tillë mund të ekzistonte, personalisht nuk besoj më se një gjë e tillë, është e mundur. Shpresoj që askush tjetër, të mos provojë ta ndërtojë përsëri, sepse kjo diktaturë e proletariatit, përputhej plotësisht me çfarëdolloj shteti policor, pra një shteti policor në shërbim të një grupi të vogël drejtuesish, i cili mbante pushtetin politik e ekonomik, dhe e përdorte në mënyrë kërcënuese, me të gjitha mjetet tipike, të shtypjes policore.

Kjo shtypje policore shihej, veçanërisht, në praninë e Sigurimit që praktikisht ishte gjithandej. Ju a keni pasur mundësi ta ndienit, rreth jush apo tek njerëzit e tjerë?

Është gjëja më e trishtë e vendeve socialiste. Ndihej në Shqipëri, siç ndihet prej vitesh dhe sot e kësaj dite në Kubë. Mund të arrije të flisje me njerëzit, nëse i gjeje të izoluar në një moment të qetë e të sigurt, përndryshe nuk kishte mundësi dialogu, sepse gjithçka ishte e kontrolluar. Por gjëja më e tmerrshme, ishte zhdukja e njerëzve. Njihje dikë që ndoshta ishte shkrimtar apo poet, bëje miqësi me të, flisje, e takoje prapë vitin tjetër, vije re që nuk ishte si gjithë të tjerët, që kishte idetë e veta, që kishte një tru që funksiononte, kishte njëfarë shpirti të pavarur…!

Ktheheshe vitin e tretë dhe ky ishte zhdukur. Pyesje: Po filani ku shkoi?! Të përgjigjeshin: “Kush? Për kë e ke fjalën”?! Asnjë nuk e njihte më. Po Filani, Fisteku…?! Të përgjigjeshin: “Ah po… ndoshta ishte këtu, por ndoshta ka ikur me punë…”! Po Ku? “Nuk e dimë…”! Me siguri përfundonin në kampe përqendrimi, apo i eliminonin, i pushkatonin, dhe kjo ishte e zakonshme, ndodhte në të gjitha vendet komuniste.

Ndaj kur edhe sot dikush mbron atë çka ka mbetur nga vendet komuniste, duke filluar nga Kuba, më ngrihen qimet përpjetë. Gjëja më e shëmtuar e negative e komunizmit është fakti, që ka shkaktuar padrejtësi dhe gjëra të tmerrshme ndaj popullsisë, po aq sa ka bërë edhe kapitalizmi, në fazën e tij fillestare. Shfrytëzimi i njeriut që ka ushtruar komunizmi, është i ngjashëm me atë që në shekullin XIX-të bëri kapitalizmi, kur futi minierave edhe fëmijët, kur shfrytëzoi njerëzit, duke i vënë të punojnë nga 14-16 orë në ditë.

Me dallimin që kapitalizmi e bënte në emër të pasurimit, pa e fshehur asnjëherë qëllimin e vet, që ishte pasurimi material. Ndërsa komunizmi e bënte në emër të drejtësisë shoqërore, të dashurisë, vëllazërimit, solidaritetit. Dhe padrejtësia e rëndë e ushtruar me këtë moto, shkatërroi shpirtin e njerëzve.

Zoti Staino, kur lind një diktaturë sipas jush, kur lind stalinizmi?

Kam arritur në përfundimin që stalinizmi lind në çastin kur dikush thotë, se ka ndodhur kjo e kjo tjetra, por që më mirë të mos merret vesh, pasi të tjerët mund të nxjerrin përfundime të gabuara, ndaj më mirë të fshehim të vërtetën. Ja ky është fillimi i stalinizmit. Kur unë bëj një karikaturë, më ka ndodhur në të shkuarën, që ndonjë të më ketë thënë: “kjo karikatura është e vërtetë, por bën mirë të mos e bësh, sepse nuk është me vend, politikisht”.

Atëherë nxehem dhe vendos ta bëj patjetër, pasi nuk ekziston oportunitet politik në informacion. Informacioni duhet të jetë i lirë dhe i plotë. Nëse ndodh një gjë dhe e mbaj të fshehur, sepse oportunizmi politik më këshillon kështu, kjo nuk është tjetër, veç fillimi i stalinizmit.

Stalinizmi në Shqipëri, ndryshe nga ai në vendet e tjera, shihej, prekej me dorë. Po një perëndimor që besonte në teorinë marksiste, ç’përshtypje i bënte?

Stalinizmi ishte i dukshëm, i prekshëm, por fshihej, sepse siç e thashë ishim aq të përfshirë nga dëshira, për të parë diçka që u përgjigjej parimeve për të cilat kishim lindur, sa minimizonim të gjitha sinjalet që na vinin si stalinizëm. Ndokush edhe i ka favorizuar. Unë kujtoj me dhimbje Myftar Viganin, kam qarë më pas për të, një person shumë të dashur, që ishte shoqëruesi ynë gjatë vizitave të para. Ishte njeri i thjeshtë, që ç’nuk ka kaluar, u bë martir i një shoqërie.

Nuk ndihej shumë komunist, si të thuash, i pëlqente të rrinte në shoqëri, lumturohej me pak. Ne arrinim në Shqipëri të veshur mirë, me të mira materiale që atij i mungonin, ndaj kënaqej shumë kur dikush i dhuronte një palë çorape, apo këmishën. I pranonte dhuratat e falënderonte me zemër, natyrisht duke thyer një rregull të hekurt të regjimit, që detyronte të gjithë popullin shqiptar, të mos pranonte asnjë dhuratë nga perëndimorët, pasi çdo shqiptar duhet të tregonte, që i mjaftonte ajo që kishte, nuk i mungonte gjë.

Një ditë një nga anëtarët e delegacionit, njëfarë Menegatti e denoncoi. Shkoi nga shqiptarët dhe u tha: “E dini që shoqëruesi ynë Myftar Vigani, ju bën me turp, sepse pranon dhurata nga persona të delegacionit, duke dhënë përshtypjen se keni nevojë”?! Natyrisht Myftari u zhduk, nuk na shoqëroi më. Dhe më vjen turp e keq, se qe një maskarallëk i bërë nga një italian i grupit tonë…!

A e vinit re që në Shqipëri, përveç kultit të Stalinit, ishte lartuar një një tjetër kult, ai i diktatorit Enver Hoxha?

Kulti i Enver Hoxhës, ishte në nivel të paimagjinueshëm. Siç ju thashë kur shkoja në Shqipëri, më duhej të hiqja mjekrën, dhe e keni parasysh që menjëherë më pas lëkura nën mjekër, del disi e zbehtë dhe e fryrë. Kur mbërrija në Shqipëri, më thoshin që i ngjaja Enver Hoxhës, ishte kompliment i madh. Në fakt kujtoj njëherë, kur kam qenë në maternitetin e Tiranës, të gjitha doktoreshat m’u afruan e buzagaz më thoshin “Ah! Sa shumë i ngjan Enver Hoxhës”?!

Njëherë edhe e “përdora” ngjashmërinë me Enverin. Na çuan në Elbasan, për të parë Kombinatin Metalurgjik, që ishte krenaria e industrisë shqiptare. Në restorant kërkova të provoja tavën e kosit, e më thanë: “Nuk e parashikon menyja, por po të duash shko në kuzhinë dhe fol me kuzhinierin. Meqë i ngjan Enver Hoxhës, zor se ta prish qejfin”. Shkova në kuzhinë duke qeshur e duke besuar se po talleshin me mua, por kuzhinieri me të më parë mbeti gojëhapur: “Ua! Po ti qenke kopje shoku Enver”?! Kur e pyeta nëse na e përgatiste atë pjatë, ma ktheu: “Natyrisht! Për shokun Enver, tavën me kos e, ç’t’i dojë zemra”! E me këtë dua të them që kulti i Enver Hoxhës, ishte aq i fuqishëm, sa i transmetohet edhe atyre që ngjanin me të.

Si njohës nga afër i diktaturës, a mund të thoni sot se regjimi komunist në Shqipëri, ka qenë një ndër më të egërit e Evropës Lindore?

Këtë nuk e di. Nga ç’kam lexuar edhe në Rumani, Bullgari e në vetë Bashkimin Sovjetik, kanë hequr goxha. Nuk jam në gjendje të bëj një bilanc edhe për faktin që kur diskutohet për vuajtje, është vështirë të matet shkalla e vuajtjes. E në vendet komuniste, ka pasur shumë vuajtje e padrejtësi, që më shkaktojnë dhimbje edhe vetëm t’i mendoj, sepse me vetëdije apo pa vetëdije, kemi përgjegjësi edhe ne, për gjithë këto gjëra të tmerrshme.

Ndoshta po të kishim më pak dëshirë për mbrojtjen e ideve e, më shumë dëshirë shkencore për të kuptuar vërtet realitetin, mund të kishim denoncuar kohë më parë këtë gjë, apo të paktën të mbështesnim veprimtarinë e Partisë Komuniste italiane, që në këtë aspekt ka qenë mjaft e guximshme. Me Berlinguerin, diti të largohet dhe të denoncojë padrejtësitë e shumta.

Natyrisht Shqipërinë e njoha nga afër, por nuk ka qenë realiteti që kam dashur më shumë. Si gjithë brezi im, jam dashuruar me revolucionin në Kubë, që ka qenë i vetmi revolucion, që kemi parë drejtpërdrejt. Sigurisht ishte i egër, për mënyrën si asgjësoheshin kundërshtarët, si shkeleshin të drejtat e njeriut, si shtypej çdo formë disidence, si justifikoheshin aksionet absurd, me motivime politike. E si mund të masësh shkallën e dhunës? Unë e kam tepër të vështirë.

Zoti Staino, pse dështoi komunizmi, në gjithë vendet ku u përpoq të ndërtohej?

Në realitet, padrejtësitë e mëdha të bazuara mbi gënjeshtra, duhet të bien herët e vonë, siç ra fashizmi, nazizmi. Jam më i prirë të kuptoj arsyet e fashizmit e të nazizmit, sepse lindin nga vullneti i keq, i mallkuar i një grupi të vogël, për të shfrytëzuar dhe pasur privilegje nga shtypja e popullit. Ky është fashizmi e nazizmi. E për të bërë këtë, nuk e fshehin, e thonë hapur: “Ne jemi racë e epërme, duhet të ngremë një botë të epërme e, për këtë kemi nevojë të shfrytëzojmë e të zhdukim të gjithë ata që na pengojnë, në realizimin e kësaj ideje”. Është një egërsi e hapur.

Në socializëm nuk është kështu, e njëjta egërsi dhe të njëjtat objektiva interesash të një grupi, fshihen pas sloganesh solidariteti. E konsideroj një fat të madh, rënien e sistemeve komuniste, por mendoj se dëmet e shkaktuara, ende nuk kanë sosur, përkundrazi, dëmet e komunizmit do të kushtëzojnë akoma për shumë kohë, zhvillimin e shoqërisë në mbarë botën. E them këtë duke pasur parasysh Kinën, Bashkimin Sovjetik, të gjitha ato forca politike në Evropën e sotme, që besojnë akoma në komunizëm, që e mbajnë si element karakterizues të ideve të tyre. Mendoj se duhet të ri-mendojmë thellë gjithçka, pikërisht në emër të atyre vlerave që, përmes komunizmit, dëshironim të vinim në jetë.

Staino, më shumë se një disenjator…?!

Sergio Staino, është shumë më tepër se një vinjetist i thjeshtë. I diplomuar në arkitekturë, Staino ka bashkëpunuar me gazetat më të rëndësishme italiane, dhe është themelues i gazetës satirike “Tango”. Në vitet ’80-të, bashkëpunon me televizionin me emisionet e famshme të Drive In-it, ndërsa më 1993-në RAI, drejton “Cielito Lindo”, duke i paraprirë asaj që do të bëhej Zelig. Bashkëpunon me teatro të ndryshëm, për një kohë të gjatë ka qenë drejtor artistik i Teatrit “Puccini” të Firences dhe i veprimtarisë së madhe; Estate Fiorentina. Është njëkohësisht regjisor i dy filmave artistikë; “Cavalli si nasce” dhe “Non chiamarmi Omar”. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura