Kuçovë, 800 nxënës presin 7 muaj hapjen e shkollës

Mar 31, 2015 | 23:10
SHPËRNDAJE

Nxënësit e shkollës “28 nëntori” në Kuçovë, prej 7 muajsh po sorollaten nga një ambient në tjetrin, pa mundur të stabilizohen.

Shkolla e tyre, për të cilën u dhanë 350 mijë dollarë, ka tre muaj që ka mbaruar nga restaurimi, por vetëm kaq. Fondi i akorduar nga SHBA ka mjaftuar për godinën, e cila nga brenda sot është bosh.

Shkolla “28 nëntori” në Kuçovë

Punimet janë kryer në parametrat bashkëkohore, sipas projektit, por ambientet jashtë shkollës janë në gjendje skandaloze. I gjithë territori jashtë është i kredhur në baltë dhe zhavorr vende-vende. Po ashtu, në ambientet e brendshme mungojnë orenditë më elementare, siç janë bankat.

Në shkollën 9-vjeçare janë të regjistruar 800 nxënës, të cilët nuk dihet se kur të ulen në klasat ku kanë qenë deri një vit më parë. Prindërit e tyre thonë se nuk e kuptojnë pse nuk i ka hapur dyert për kaq shumë kohë shkolla për fëmijët e tyre. “Kjo shkollë është më e mira në të gjithë rrethin. Ne e pranojmë faktin që ajo ndryshoi me restaurimin, por duam t’i kthejmë fëmijët sa më parë aty për të vazhduar në mënyrë normale më- simin”. Shqetësimi kryesor vjen për parashkollorët, të cilët në çdo kohë duhet të shoqërohen nga familjarët e tyre për në shkollat periferike të qytetit të Kuçovës.

Drejtoresha e Arsimit në Kuçovë, Egla Gjika, thotë se institucioni që ajo drejton është i interesuar që punimet të mbyllen sa më shpejt. “Por ne kemi përfunduar ambientet brenda, por pajisjet mungojnë, ashtu si dhe territori jashtë godinës. Ne si drejtori jemi të kënaqur me punimet e firmës, por jo nga donatori, i cili nuk ka dhënë fonde as për riparimin e shkallëve të brendshme të kateve”, thotë Gjika. Sipas saj, edhe bankat po vonohen nga donatorët që kanë marrë përsipër këtë investim.

Në stemën e financuesve theksohet se restaurimi i shkollës “28 nëntori” po bëhet nga bashkëpunimi mes SHBA-së dhe popullit shqiptar, me mbështetjen e Komandës së SHBA-së në Europë, si dhe nga zyra e “Defense Cooperation”, Ambasada Amerikane në Shqipëri.

NGA DILAVER XHELILI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura