Kryeparlamentarja Nikolla takohet me kreun e Dhomës së Deputetëve në Itali: Jeni avokat të integrimit tonë Europian! Roberto Fico: Të hapen negociatat sa më parë

Apr 12, 2022 | 10:59
SHPËRNDAJE

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka pritur në takim këtë të martë, kreun e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Ficon.

linditanikolla

Në një  deklaratë për shtyp pas takimi, Nikolla u shpreh se Italia është avokatja e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

“Shpreha mirënjohjen për Italinë si avokate e integrimit europian të Shqipërisë si dhe për Dhomën e Deputetëve si nxitëse dhe mbështetëse e kësaj avokatie.  Ndamë të njëjtin mendim për arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin europian dhe besimin se tryeza e parë do të mbahet sa më shpejt gjatë Presidencës franceze. Vlerësova mbështetjen e Italisë për ndërtimin e Shqipërisë europiane dhe një Ballkani Perëndimor në Europë. Vlerësuam angazhimin politik të qeverisë italiane dhe nismën e parlamentit për fillimin e negocimit të marrëveshjes dypalëshe për sigurimet shoqërore.

Vlerësova politikat për ruajtjen e gjuhës. I shpreha mirënjohjen për mbështetjen e Italisë dhe bashkëpunimin gjatë kryesimit të Shqipërisë në BE. Takimi ynë realizohet në një kohë të vështirë, në një kohë që dy vendet kanë dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke e përballur kontinentin në një prej krizave më të këqija që pas Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku Shqipëria sëbashku me SHBA, mbështet Ukrainën, angazhimet e Shqipërisë kanë qenë të rëndësishme.” – tha Nikolla.

Në fjalën e tij, Roberto Fico tha se në një moment të tillë kur po zhvillohet një luftë në Ukrainë, Bashkimi Europian duhet të ecë me shpejtësi drejt zgjerimit të saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Fico thotë se BE duhet të hapë sa më parë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

“Ne jemi këtu për të fuqizuar bashkëpunimin parlamentar përmes një protokolli shumë të rëndësishëm. Do të na çojë përpara në shqyrtimin e problematikave të ndryshme. Besoj se ky moment me të cilën bota po ndryshon me shpejtësi, BE ka mbërritur momenti që të nisë, të çelë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në union. Për Italinë ka qenë çështje thelbësore dhe sot është ndërruar dhe në çështje strategjike.

Zgjerimi i Bashkimit Europian drejt Ballkanint Perëndimor. BE duhet të çojë përpara të gjithë procedurat e anëtarësimit, dhe në veçanti të Shqipërisë. Komuniteti shqiptar në Itali është mëse i integruar dhe gjithashtu dhe niveli i sipërmarrjes së shtetasve shqiptarë në Itali është tejet i lartë. Po diskutohet në parlamentin italian ligji për shtetësinë që të gjithë ata që kanë lindur në Itali dhe kanë kryer një cikël shkollor, do mundet të përftojnë shtetësinë italiane” – tha Fico.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura