Kronika e verës kthehet qejfprishur dhe një bisedë intime me Kryeministrin

Aug 8, 2020 | 9:38
SHPËRNDAJE

Agron-GjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Nuk e di ç’patën, por disa personazhe të kronikës verore u larguan prej saj si djalli nga temjani. Nuk duam të argaliset mileti me ne, thanë, dhe në fytyrën e xhindosur u lexohej tërsëllima dhe kërcënimi. U mundova të merrem vesh me ta, t’i lus me kafe, ujë a bozë të ftohtë por s’qe e thënë. Zienin si bletët në koshere. “E gjetëm veten si meze tek akçihania jote, do përfundosh ti i denoncuar te policia që duam” lanë myzhdenë dhe mbyllen derën me rropamë. Iknin me vrap si dreqërit në mesnatë.

I pashë nga dritarja tek largoheshin dhe mbi supe mbanin pluhurin e qosheve, ku u rehatuan verave me zheg, por edhe diçka nga lavdia e kohës që ndamë bashkë merrnin me vete. Por miqtë e mirë në ditë të vështirë njihen. Më telefonoi vetë Kryeministri. “Merr kë të duash nga të mitë aty, ka lëndë të parë boll dhe njerëzia kënaqet me ta, vetëm ca m’i kurse, sidomos ata që kujdesin ia kanë falur kërpudhës dhe reformave; Musain që po sjell pleh të freskët lope (bajga në gjuhën popullore) nga Drishti i Shkodrës dhe Ulsiun me fatin prej Kromuelli, mbi shpatullat e të cilit ka rënë reformimi i shtetit”. Nuk kisha si të mos emocionohesha nga kjo zemërgjerësi.

“Po me Ditmirin ç’të bëj”, e pyeta. “Atë e ke merak vetë,-tha,-se ju malësorët e Malësisë së Madhe keni shkuar mirë me Bushatlinjtë, mjafton të rilexosh ‘Fratin e Pashallarëve Bushatli’ të At Zef Pllumit, paçka se ata qerratenj, kur bënin pakte me sulltanin, ju harronin dhe me ju ndanin vetëm kryengritjet dhe iluzionet për Atmen, por jo pushtetin e pasurinë tek ktheheshin në gjiun e Padishahut si evlatër bukëshkalë. Ndihmoje të shkruajë atë letër siç duhet krejt Mehmet Pashë Plaku i Portës së Lartë se thonë që i vogli i ngjan, kështu të kuptojnë të tjerët se cilat gabime nuk duhen bërë kurrë në jetë dhe të jap fjalën se do të mendohem dhe nuk do e çoj në satër”. Eh, ç’më gjeti, kërkova vetulla, po nxjerr edhe sytë, tani edhe lutja e Dritos më duhej. Por do e shkruaj së shpejti një variant dhe do e bëj publik.

“Gjithsesi, para se të ma nisë,-theksoi,-jepjani pak Elisës, prej së cilës mund të merrni sugjerime të dobishme në gjetje titujsh, në theksim distancash hierarkike e sidomos në zulmën e të shprehurit besnikëri”. “Po Ferhatit, Shalësit, Felajt, Fates, Denajt, Klosit”, sugjerova me naivitet? “Kush janë këta?”, u dëgjua një përçartje nga ana tjetër? “I kisha harruar fare, ç’m’i kujtove! Më mirë jo, se janë gjëra të thella këto e turbullohen. Nuk paguhen për të menduar ata”. Po Damjanit se janë miq? “Damo, mik, babë e nënë vetëm mua më ka, sidomos tani që SPAK-u po i vërtitet dosjes së Dibrës vikati. E ke parë që s’e ka për gjë të bëhet qesharak në këshillin politik?”. “E kam parë pohova”. “E pra, se është në siklet”.

“Mos duhet ta shohë edhe Sandrushi faqekuqi”, mërmërita… Një joooo e zgjatur desh më çau timpanin. “Lërë atë tha, se ti ma propozove i pari për ministër, nuk të ka hije, pastaj ai është nën stres se do t’i zërë vendin Lindita Nikollës me çdo kusht, ndaj e sulmoi edhe publikisht. Jam në hall më beso, me tre kryetaret e bashkive shkon keq, drejtorët i mbledh si ushtarë, u thotë më shkruani mbi letër çfarë keni bërë mirë, çfarë keni bërë keq dhe sa vende pune bosh keni aktualisht, ndaj xhan të kam, mo e nga! Pastaj, në vitin 2050, ai do ta çojë në zero numrin e aksidenteve”. Mblodha fuqitë dhe një ‘qoftë e bërë!’ më doli nga kraharori si krusmë. Në fund, ashtu befas, më bëri një pyetje: “Do bëjë përshtypje Erjon Braçe me maskë, po të vendosë edhe një te sytë a nuk duket si Antonio Banderas tek luan Zorron?”

Me këso grimca ngarkuar, mora udhën për në Shëngjin, të freskohem në det, mejtova. Ndenja ca ditë, u poqa në diell si simite në furrë. Atje, koronavirusi nuk ekzistonte.

Në Lezhë po aq. Po të mbaje maskë, të shikonin si ufo. T’u flisje për pandeminë, të shikonin me mëshirë. Të mos u jepje dorën, i çmerisje dhe në ballë u vegonte mendimi se ky paska lojtur nga fiqiri.

U ktheva përsëri në Tiranë. Një ditë pashë miken Kumbaro afër stadiumit “Dinamo”. Ndjeva mall, desha ta ngjatjetoja se 8 vjet larg, s’kishte njeri rrotull, por ajo përshëndeste herë makinat, herë pemët dhe kur u jepte dorën atyre, refreni ishte i njëjtë me Edi Ramën: Gjithçka është e mundur dhe bio. Mbeta pa fjalë.

Habia më e madhe qe me inxhinierin e PD-së, Bernard Banushin. Kohë më parë, kur e pata takuar për të fundit herë, ika nga sytë këmbët se shikimin e kishte mynxyrë dhe vringëllinte një dygrykëshe sermi për këdo që kritikonte Lulzim Bashën. Bëra sikur nuk e pashë, por më thirri, nga t’ia mbaja. U ktheva, por leqet, ama, më dridheshin. Ç’të shihje, veshur me një kostum linoje, kollare të lëmuar dhe një borsalinë mbi kokë, filloi të më fliste butë e shtruar për filozofinë, doktrinën, misionin, programin, qytetarinë dhe etiken e Bashës. “Barrë e rëndë na pret,-tha,-po do t’ia dalim”. Një e madhe metamorfozë kishte ndodhur, Sauli ishte bërë Pal. Pushteti po troket në derë të opozitës mendova. Ai i bekuar i ëmbëlson mendimet.

Verë me surpriza, s’ke ç’thua! Një pasdite, në lagjen time dëgjova ca brohoritma. Rroftë Enno Bozdo! – thërriste njëri. Aferim Aldo Bumçit! – ia kthente tjetri. Një urraaa për Tritan Shehun! Një përshëndetje për Orjola Pampurin! – gjëmonin dy të tjerë. Selam Luçiano Boçit! – një grumbull. Rroftë Gert Bogdani dhe Mond Spaho! – ca të tjerë. S’po kuptoja gjë dhe pyeta një burrë: Ç’po ndodh? “Populli opozitar po propozon kandidatët për deputetë”, dhe më këqyri drejt e në sy. Të njoh ty tha, je yni. Do të bëhet Shqipëria, më pyeti. Ëhë, do të bëhet, ia ktheva gjithë entuziazëm.

Lajmet s’kanë të pushuar. Me titra shoh se PD-ja ka krijuar një komision me burra e gra zamani për të seleksionuar deputetët. Një zjarrmi e madhe ndihet kudo për t’u bërë At i Kombit. Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Mark Marku, Genc Ruli dhe zonja Enriketa Papa do kenë punë të vështirë. Më në fund një gjë e re dhe e mirë e madje serioze, mes shumë shakash të politikës. Nuk duken persona që, nëse i bën prift nuk ua rruan dot mjekrën.

Në Bejrut, nami i zi. Shpërtheu një xhephane e dogji gjysmën e qytetit me njerëz e katandi. Në Skrapar gjithashtu u dogj një fabrikë dhe tymi u zgjat deri në grykë të Mezhgoranit. Thonë që LSI-ja aty ka Mekën e vet, ndaj ka dërguar vetë Braimllarin babaxhan dhe tre ish- deputetë rioshë, emri i të cilëve nuk kujtohet lehtë se kanë një vit që s’kanë dalë në TV dhe janë harruar. Se libra nuk shkruaj që të mbeten në kujtesë të uruarit.

Teksa po bëhesha gati ta mbyllja këtë rrëfenjë që filloi qejfprishur, kur ia behu Bardhyl Londo: Po pse kështu mor bir, tha. Unë: Ç’të kam bërë? E ç’do më bëje më shumë se kaq?! Dikur i filloje kronikat me mua, tani m’u desh të vija vetë këtu. U ndjeva në faj. Po ja, u justifikova, kronika është kështu deledash pa gjini, joserioze, personazhet me ikën, mirë që nuk më futën ndonjë shpullë. Po ç’thua, foli vëngër. Kjo është gjëja më serioze që bën, ndaj mos guxo ta hapësh kronikën më pa mua, se shpullën e ke nga unë dhe kam dorë të rëndë, ta dish. Ndjeva lehtësim, por edhe trandje tek përfytyroja dackën e poetit që dua, e cila vranullohej lart në ajër sipër kokës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura